Era Rusi si gruaja që i këndon dashnores së burrit, sqaron konfuzionin nëse është kopjuar nga “Jolene”

Kënga me të cilën Era Rusi merr pjesë në edicionin e këtij viti të “Këngës Magjike”, “Mos ma merr” ngjason shumë me këngën ikonike “Jolene” nga Dolly Parton. Revista Anabel, ka nxjerrë disa nga vargjet e kësaj kënge e cila me të vërtetë ngjason shumë për nga tematika me “Jolene”, ku flitet për një grua e cila është e bukur dhe e gatshme ta bëjë për vete çdo burrë, derisa njëra i lutet që të mos ia marrë dashurinë e jetës së saj.

Njëjtë bën edhe Rusi në këngën e re;
“Ajo, një femër e rrallë Do ta doja dhe unë, po të isha djalë Ajo, me okun presh të zi Nga dreqin erdhe ti, je një përrallë Ajo, me plot delikatese Mmmm me prekje zvarrë të tërheq Ajo, vemendjen ta grabit Jo çdokush e kapërdin”, thotë Era në këngën e saj.

Revista Anabel, ka kontaktuar me menaxheren e këngëtares, e cila ka thënë se kënga nuk është kopje e “Jolene”.

“Nga ana e produksionit, pra muzikaliteti, nuk ka aspak lidhje me ‘Jolene’. Është tema e këngës ajo që i ka lidhur njerëzit. Vajza në fjalë i këndon partneres jashtëmartesore të burrit dhe ky koncept i ka lidhur,” tha menaxherja e Era Rusit. Më tej, ajo shpjegoi dhe si rrodhi procesi kreativ i këngës “Mos ma merr” pasi tha se “nuk kemi të bëjmë me plagjiaturë të mirëfilltë.”

“U bë vija muzikore fillimisht dhe Era me Fifin menduan të ishte një baladë e trishtë për një fenomen të kohërave tona, goxha të përhapur për momentin”, ka thënë ajo.

Ndërsa Fifi, tekstshkruesja, u prononcua për Iconstyle.al. Përveçse mohoi të ishte frymëzuar apo të kishte kopjuar nga ‘Jolene’, tha se edhe ky tekst mund të jetë bazuar në ngjarje reale, siç ka ndodhur më parë.

“Unë nuk jam inspiruar te ‘Jolene’, por te gratë të cilat janë gjithmonë të penalizuara nga të dashurat e burrave të tyre, që në këtë rast as të dashurat nuk kanë faj, por kanë faj burrat që lidhen kur janë të martuar. Është realitet i njerëzve, nuk mund ta sjellë vetëm Dolly Parton një histori të tillë. E para, akuza për ngjashmëri bie poshtë pasi nuk jam artiste që vjedh tekste ose përkthej siç ka disa të tjerë që përkthejnë tekste nga italishtja. Unë nuk e bëj këtë gjë dhe e dyta ka shumë këngë që thonë të dua edhe në shqip edhe në anglisht, i bie që të kenë vjedhur tekstet? Zakonisht bazohem në histori të vërteta dhe kësaj radhe i bie që mund të ketë pasur diçka të vërtetë brenda. Pse jo!”, ka thënë ajo. /Prive