Era Istrefi çift me Will Smith, do të këndojnë himnin e Kampionatit Botëror të Futbollit

Ajo është një super vajzë, e cila sapo ka dhënë një super lajm për karrierën e saj. U rrit në rrugët e Prishtinës, por talenti, zëri i saj e muzika, nuk u shijuan vetëm prej kosovarëve. Era Istrefi, është e vetmja këngëtare shqiptare, e rritur në Kosovë që pati “boom” ndërkombëtar me këngën “Bon Bon” të punuar nga producenti kosovar Big Bang, së shpejti ajo do të ketë edhe një tjetër hov në karrierë. Era u bë sensacion global i muzikës pop, duke marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare me projektin e saj “Bon Bon”, e më pas edhe me “Redrum” dhe “I love Yous” në bashkëpunim me reperin maroken French Montana. Por kjo s’është as fillimi i asaj që pritet të bëjë Era në ditët në vazhdim. Prive zbulon ekskluzivisht, se këngëtarja do të jetë pjesë e këngës që do dëgjohet ngado në botë përgjatë një muaji të tërë.“Era Istrefi do ta bëjë këngën e Kampionatit Botëror të Futbollit. Aktori e këngëtari i famshëm Will Smith do të këndojë me Erën në këtë projekt në të cilin producent është i famshmi DJ Deeplo, e xhirimet e spotit fillojnë nesër”, kanë thënë burime të afërta të këngëtares për Prive. Kampionati Botëror i Futbollit, që mbahet çdo katër vjet këtë vit do zhvillohet nga datat 14 qershor deri më 15 korrik në Rusi, ndërsa kjo është njëra ndër ngjarjet më të ndjekura në botë, që mbledh me miliarda shikues, qofshin ose jo adhurues të futbollit. Era Istrefi vetëm 23-vjeçe do të jetë zëri i këtij kampionati botëror, duke bashkëpunuar me një artist të njohur ndërkombëtar si; Will Smith, e duke u renditur në mesin e artistëve si; Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo. Ndërsa bota do jetë duke parë futboll e duke bërë tifo për skuadrat e shteteve e tyre, Kosova edhe pse jo në garë, do jetë prezente me zërin e Era Istrefit në Himnin e Kampionatit Botëror 2018-të.