Enkelejd Mezini njihet online me pasaniken e divorcuar me dy fëmijë, 30 vjeçari rrëfen vazhdimin e histories në SHBA

Gati dy vjet pasi ish-lojtari i “Big Brother”, Enkelejd Mezini nisi jetën e re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë bashkëshortes Suzane Cuomo, duket se po bën realitet ëndrrën e tij kinematografike. 30 vjeçari i rritur në Athinë, gjatë lojës në “BB” u bë i njohur si sozia shqiptar i Brad Pitt, për shkak të ngjashmërisë fizike me aktorin hollivudian. Pas rolit në produksionin hollivudian “Marvel e Disney”, në serialin “Luke Cage” i Marvel e “ABC studio”, shqiptari është përzgjedhur për serialin “Swiped”, një film i ngjashëm me “reality show-t”, bazuar në takimet mes çifteve pas njohjeve virtuale. Enkelejdi prezantohet si beqar në skenat e këtij filmi, ndërsa shfaqet me dy gota verë të kuqe, për veten dhe pasaniken e divorcuar 43 vjeçare (nënë e dy fëmijëve), të cilën e ka njohur virtualisht. Ai rrëfen për revistën “Story” vazhdimin e historisë në SHBA, dhe si reagoi bashkëshortja italiane…

Jeton prej gati dy vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i je afruar ëndrrës kinematografike?
Në fakt jam drejt asaj rruge. Sapo kam xhiruar në një film serial, që titullohet “Swipe”. Është serial për personat që njihen online nëpërmjet rrjeteve sociale. Në rastin tim unë takohem një bionde pasanike 43 vjeçare. Protagonistët e tjerë janë aktorë, por jo të njohur në SHBA.
Si u bëre pjesë e këtij seriali, bazuar në aktualitetin e virtualitetit që ka pushtuar botën?
Erick Nelson, aktor, regjisor dhe biznesmen më zbuloi në një site aktorësh të rinj. Në fillim më kontaktoi me email pastaj më telefonoi dhe u takuam. Në bisedën që bëmë më tha se i pëlqeu shumë paraqitja ime dhe aksenti im. Kështu pasi më njohu si pamje dhe karakter e shkroi skenarin e rolit tim posaçërisht për mua.
Dhe cila është historia e njohjes me bionden në serial?
Unë jam një djalë mesdhetar dhe njihem online me bjonden. Regjisori do e shesë në disa kompani serialin, pasi fjala është për një produksion të plotë, që është ndërtuar mbi histori të njerëzve që njihen online.
Ti prezantohesh si beqar në këtë serial, ndërkohë që në vërtetë je i martuar. Si e priti bashkëshortja?
Suzit i pëlqeu shumë roli im. Ajo ndihet krenare për mua dhe është me mua gjithmonë. Kështu presim shfaqjen e filmit në ekranet amerikane vitin tjetër.
Ishe shumë flirtues me bionden 43 vjeçare, po ajo me çfarë merret në jetë?
Ajo është nënë e divorcuar me dy fëmijë, por nga një familje e pasur dhe se çfarë ndodh pas asaj bisede mes nesh, më mirë të shihni filmin…
Ke pasur oferta të tjera në kinema, sa të mundur e sheh që një ditë të jesh aktor me kohë të plotë?
Po, kam luajtur dhe në një film tjetër “reality show” amerikano- shqiptar, që pritet të dalë së shpejti. Kam dhe disa oferta të tjera, por nga viti që vjen pasi këto kohë jam përqendruar tek puna ime.
Dhe cila është puna jote në SHBA?
Kam investuar në një qendër estetike, ku ofrojmë shërbime të ndryshme deri tek DNA analysis. Kemi 2 vjet që marrim çmimin e parë në Long Island, dhe tani kemi klientë protagonistët e reality show-t “The real housewives of New Jersey”.
Je i lumtur në Amerikë, ke arritur atë që ke dashur?
Nuk e di. Akoma po mundohem ta kuptoj jetën këtu krahasuar me Tiranën dhe Athinën. E vërteta është që isha aty më i lumtur. Më qartë mund ta them se biznesi është këtu dhe jeta aty.
Do të kthehesh prapë, ndërkohë që shumë e dëshirojnë Amerikën por s’e arrijnë dot?
Po, sigurisht. Sa për këtë që thoni, njerëzit nuk kënaqen kurrë e në vend që të jenë të lumtur me ato që kanë, mendojnë se do të bëhen të lumtur me ato që nuk kanë. Për mua lumturia është diçka që e krijon truri dhe mendimet që ne kemi. Nëse medojmë pozitivisht jemi të lumtur, nëse mendojmë negativisht ashtu do të ndihemi.