Enigma/ Të kujt janë 300 mijë eurot “pa pronar” që rrëmbeu pastruesja Robin Hud-e

E gjithë vemendja e opinionit publik pas njohjes me bëmat e pastrueses Robin Hud-e, që grabiste shtëpitë e zyrtarëve të shtetit, është fokusuar tek personi i Alda Klosit. Në fakt, ish shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt, që është marrë me koncesionet e inceneratorëve dhe me projektet e rindërtimit është targeti perfekt për të ngritur pyetjen: Pse një nënpunëse e lartë qeveritare duhet të mbajë para të fshehura në shtëpi?

Dhe kështu, kjo grua e divorcuar pak kohë më parë, që ishte zhvendosur bashkë me të bijën në një banesë me qera në “rrugën e kosovarëve” është shndëruar në tabelën e qitjes të një mase të gjërë të opinionit, që ndihet e grabitur dhe e nëpërkëmbur nga nëntë vite pushteti sfilitës të rilindjes. Këtë ndjesi e kanë shtuar edhe më shumë rrëfimet plot gropa të vetë protagonistes Alda Klosi, që herë pohon se i ka paratë të deklaruara e herë se ato i kishte në ruajtje, në favor të xhaxhait që gjendet në SHBA.

Lexo me tej:

Por, ndonëse çdo lloj hetimi dhe gjurmimi të 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve të Alda Klosit, i duhet shkuar deri në fund, sepse si nënpunëse e shtetit ajo nuk mund të mbajë cash në banesë më tepër se 1.5 milionë lekë të reja, duket se kjo është hallka më e vogël e këtij skandali. Ja sepse.

Ashtu sikurse deklaroi fillimisht policia në banesën e të akuzuarës Rozeta Dobi u gjetën diçka më shumë se 400 mijë euro. Nga këto vetëm më pak se 1/3 ishin të Alda Klosit. Të tjerat i përkasin familjeve që po ashtu janë grabitur nga pastruesja Robin Hude.

Por, ashtu sikurse është bërë e ditur ajo punonte në shtëpi të tjera zyrtarësh të lartë dhe për ata nuk flet askush. Këtë të hënë, përpara gjykatës, ku po zhvillohej seanca e masës së arrestit për të dy pjestarët e familjes Dobi, nënë e bir, as nuk u përmendën fare pronëarët e mistershëm të afro 300 mijë eurove të tjera. Lapsi.al e ka lexuar në çdo rresht procesverbalin e seancës dhe aty mungojnë emrat e viktimave të tjera. Ato nuk i tregojnë as policia as vetë të akuzuarit.

Çdo mendje normale e kupton se nuk bëhet fjalë për njerëz të thjeshtë. Një familje e zakonshme mund të mbajë në shtëpi para xhepi, qoftë edhe disa mijëra euro, po vetëm ata që fshehin paratë e pista mund ta pasurojnë një pastruese me 400 e ca mijë euro. Ka dhe një pyetje tjetër: po nëse e mësuan që Rozeta Dobi kishte dorë, ata që u mungonin ato paratë e tjera në shtëpi, pse nuk u bënë të gjallë? Apo mos vallë kishin më shumë për të humbur se sa për të fituar duke rikuperuar disa dhjetra mijëra euro?

Dalja e emrave të tyre ka shumë rëndësi. Se ajo dëshmon se rasti i Alda Klosit që “ruante paratë e xhaxhait”, nuk është i veçuar, por se mund të ketë edhe të tjerë si puna e saj që paratë e padeklaruara i mbajnë të fshehura.

Pse po heshtet për këtë? Apo mos vallë se kjo është një dëshmi e pastër e metastazave të korrupsionit? Apo mos vallë se ajo tregon qëllimin e vërtetë se pse po kërkohet me ngulm një amnisti fiskale?

Policia dhe Prokuroria që po ruajnë me fanatizëm identitetin e të tjerëve që u grabitën nga Dobët nënë e bir, përpara se të gëzohen me triumfin e kapjes të dy hajdutëve ordinerë, duhet të preokupohen për ti bërë ata të penduar dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë. Kjo çështje mund të quhet e zbardhur vetëm kur të dëshmohen me emra dhe mbiemra se cilët janë ata që mbajnë poshtë dyshekut, paratë e ryshfeteve, tenderave dhe licensave.

©Lapsi.al