Eni Koçi feston 23-vjetorin, i dashuri 15 vite më i madh e çon lidhjen në tjetër nivel
Eni Koçi dhe Genc Prelvukaj kanë vetëm pak muaj që e kanë bërë lidhjen e tyre publike dhe gjatë kësaj kohe nuk kanë ngurruar të shprehin në çdo rast ndjenjat ndaj njëri-tjetrit. Në ditën e shënuar për këngëtaren, Genci i dedikoi fjalët më të bukura të dashurisë partneres së tij, 15 vite më të re. Eni festoi 23-vjetorin e lindjes dhe partneri i saj i ka shprehur gjithë dashurinë me pak fjalë, por që kanë shumë domethënie, duke e çuar lidhjen e tyre në një tjetër nivel, Prelvukaj publikoi në “Instastory” një foto të Enit dhe përkrah saj shkruante: “Urime ditëlindjen Bella! E bukur në shpirt, që u jep ngjyrë ditëve të mia. Edhe 100 të tjera të lumtura!” Përveç shumë urimeve, ky duhet të ketë qenë më i veçanti për Enin, duke qenë se vetëm atë ka ripostuar në llogarinë e saj në ‘Instagram’. Çifti i njohur përflitej prej shumë kohësh për një histori dashurie, por në fund të dhjetorit të 2018-s ata e konfirmuan, duke u shfaqur përkrah njëri-tjetrit në festën e fundvitit të organizuar nga Labinot Gashi.
Këtë deklarim të lidhjes në media e vulosën me disa foto pushimesh të çiftit në Tajlandë. Pas disa bashkëpunimesh në muzikë, çifti shihej gjithnjë e më shumë bashkë, zërat qarkullonin, por ata nuk e pranonin ende se ishin më shumë se kolegë apo miq. Pas konfirmimit publik, nuk munguan fotot nga ana e Enit në “Instagram”, ku shfaqej shumë e lumtur dhe e dashuruar me Gencin.
Vetë këngëtari zbuloi se kënga “Ylli e Hana” ishte një dedikim i pastër për dashurinë e tyre. Historia e çiftit, Genc Prelvukaj dhe Eni Koçi, u zbulua në 2017-n nga mediat e Kosovës, një lidhje që u pasua nga disa bashkëpunime me klipe. Kujtojmë që 23-vjeçarja ishte e para që hodhi një hap më shumë për të dëshmuar të vërtetën mes tyre pas gjashtë muajsh, që kishin nisur të qarkullonin thashethemet e para.
Bashkë me një foto çift me 35-vjeçarin Prelvukaj, ku shfaqeshin të veshur me të bardha, Eni njoftoi për projektin e tyre të ri muzikor, ndërsa shkruante “Vetëm ti” feat Genc Prelvukaj. Kjo këngë u komentua si një përbetim dashurie, që ata i bënin njëri-tjetrit në mënyrë kaq publike./ PANORAMAPLUS