Eni Çobani për krimin në Durrës: Patologji e frikshme! Si munden 3 fëmijë të kësaj moshe të kryejnë një makabritet të tillë?
Juristja e njohur Eni Çobani ka folur këtë të Premte përmes një lidhjeje direkte në Klan News për gazetarin Besard Jacaj, sa i takon krimit të rëndë të ndodhur në Durrës, ku 3 fëmijë kanë bashkëpunuar në vrasjen e të atit.
E shokuar me rastin, Çobani thotë se është në kufijtë e makabritetit fakti që 3 fëmijë të moshave relativisht të reja bëhen bashkë për të vrarë personin që i ka sjellë në jetë.
“Informacionet tani po apdetojnë njëra-tjetrën, po plotësojnë zinxhirin e ngjarjes. Gjëja e cila ka shokuar gjithë shoqërinë, nuk kemi parë një bashkëpunim të tillë brenda familjes për të zhdukur kryefamiljarin. Mosha e djemve dhe e vajzës, është shumë e rëndë. Ky ka qenë shoku më i madh. Nuk e di motivin e vërtetë, nuk e di a ka qenë i vetmi, por sido të ishte nuk mund të shkojmë në zgjidhje të tilla drastike. Si mundet mosha kaq të reja, të shkojnë në këtë pikë? Lajmet të kësaj natyre janë tronditës, nuk mund të pranojmë që të kemi të rinj të tillë. Si është guximi nga njëri prej djemve që të denoncojë zhdukjen e babait, ndërkohë që ka qenë autor i vrasjes. Nuk dua të flas me leksik përfundimtar, sepse do duhet kohë për të vërtetën e plotë. Mua më habit fakti i vajzës, që merr përsipër vrasjen e babait me një revolver, ndërkohë tani del djali që e ka kryer krimin. Një makabritet i jashtëzakonshëm i një moshe relativisht të re, si mund të përfshihen në një vrasje të tillë kaq makrabre?”
Sipas juristes, duhet një analizë e thelluar për këtë lloj krimi pasi bëhet fjalë për një konflikt që ka zgjatur me vite.
“Të lë pa fjalë, duhet një sërë analizash…Vetëm analiza ligjore s’është e mjaftueshme, duhet bërë një depistim psikologjik i gjithë njerëzve. Po kalojnë faza të vështira në vetërritjen e tyre, pra ku po shkojmë? Këta fëmijë agresivë, konfliktualë, jo vetëm brenda familjes, por edhe në shoqëri. Kulmimi më pas deri në këtë ngjarje do thotë që duhen ngritur pikëpyetje të mëdha, ne nuk mund t’i vëmë gishtin një institucioni, gjithsecili kemi përgjegjësi që të shpërndajmë sa më shumë fjalën tonë. Shembullin tonë. Jam shumë e tronditur, realisht. Ngushëllime familjes, të afërmve të zotërisë. Është një shok i jashtëzakonshëm. Një nga pistat mund të jetë një fejesë, nuk janë gjëra të reja për ne. Janë gjëra që ndodhin rëndom në familjet shqiptare, ku akoma babai apo nëna kushtëzon fëmijën. Por kjo nuk mund të sjellë bashkëpunimin e 3 fëmijëve për të vrarë babanë. Ne flasim këtu për një konflikt në kohë, s’mund të jetë i çastit. Kjo e vërtetë duhet të dalë nga familja, nga bashkëshortja e zotërisë.”
Çobani shprehet se është tronditëse që përpos ekzekutimit të 50 vjeçarit, ka pasur një skenar për fshehjen e trupit.
“Nuk kemi vetëm vrasje, babai është zhdukur, është groposuar dhe është mbajtur e fshehtë. Pra e kuptoni deri ku ka vajtur makabriteti. Shikoni çfarë gjakftohtësie! Nuk janë fëmijë të thjeshtë, kanë problematika të brendshme, të pashprehura që në një moment kanë shpërthyer në këtë formë. Si është e mundur që këta fëmijë pa dijeninë e nënës ta kenë bërë aktin?! Kanë ngrënë, kanë pirë 10 ditë rresht, dhe kur persona të tjerë kanë rënë në erë të kësaj gjëje, ata kanë kryer denoncimin. Është patologji e frikshme. Realisht duhet marrë me seriozitet, ata duhen vënë para psikologut. Në çfarë gjendje mendore janë këta fëmijë?”, tha juristja./tvklan.al