“Emiratet refuzuan ekstradimin”- Mediat belge risjellin në vëmendje vendimin për Eldi Dizdarin: Mund të shërbejë si precedentë për…

Mediat belge bëjnë me dije se Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, i arrestuar si pjesë e trafikut ndërkombëtar të kokainës, nuk do të ekstradohet nga Dubai drejt Italisë.

Risjellja në vëmendje e rastit të Dizdarit, i cili cilësohet nga mediat në Belgjikë si mbreti mafias shqiptare, bëhet pas arrestimit në Dubai të kontrabandistit të njohur belg të kokainës, Farhan Bouzambou.

Duke iu referuar rastit të Eldi Dizdarit dhe bosit të Camorras Rafaele Imperiale, ku gjykata e Emirateve të Bashkuara Arabe vendosi që të mos bëjë ekstradimin e tyre drejt Italisë, mediat belge ngrenë dyshime se e njëjta gjë mund të ndodhë dhe me Bouzambou.

”Emiratet refuzuan gjithashtu të ekstradojnë bosët e mëdhenj të drogës si bosi i Camorra Rafaele Imperiale dhe mbreti i mafias shqiptare Denis Matoshi në Itali.

Ky do të jetë një test i rëndësishëm. Ministri i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne, përfundoi një traktat ekstradimi në Abu Dhabi vitin e kaluar, por deri më tani ai nuk ka dhënë asnjë rezultat”, shkruajnë mediat belge.