Ema Andrea flet për divorcin: “Nuk është e lehtë për një grua t’ia dalë vetëm, më mbyllën shumë dyer për shkak të moralit”

Ema Andrea, artistja e talentuar dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, ka dhënë së fundmi një intervistë tejet emocionale në emisionin “Pas Mesnate”. E njohur për natyrën e saj të drejtpërdrejtë, luftarake, por edhe të dlirë, Andrea nuk ka hezituar të flasë për disa momente kyçe në jetën e saj siç ishte p.sh divorci. Aktorja ka zbuluar se ka pasur shumë vështirësi, shpirtërore dhe ekonomike, megjithatë ka gjetur forcën për të ecur përpara. Dashuria e së bijës dhe teatri u bënë SHPËTIMI i saj.

“Nuk është e lehtë për një grua t’ia dalë vetëm. Divorci nuk është i lehtë për askënd. Pastaj, divorci në ato vite, artiste… Besoj ka pasur vështirësi të tjera, natyrisht fusim këtu dhe anën ekonomike. Nuk është vetëm paragjykimi, duhet të rinisja çdo gjë nga e para, të paktën kështu vendosa unë. Kam nisur çdo gjë nga e para dhe në një shoqëri paragjykuese, ku dyert të mbyllen dhe për motive të moralit të shpikur se kësaj shoqërisë sonë i mungojnë disa parime dhe disa morale të të drejtave të njeriut, u bë shumë e vështirë. Por unë jam kapur fort pas dashurisë së familjes. Për mua tani më është bërë si e natyrshme, që vështirësitë i marr si sfida që duhen kaluar, si një prag që duhet kaluar, ndaj nuk dorëzohem, ma ka mësuar jeta këtë gjë natyrisht.

Duket dhe shembulli i mamit të ma ketë vënë këtë gjë, që të më vijë e natyrshme dhe natyrisht pas teatrit, pas artit në përgjithësi. Ajo që shpesh nuk kuptoj ndonjëherë kur vëzhgoj shfaqjet apo ecuritë, aktrimin e disa kolegëve, se si nuk kuptojnë që sa liri është skena. Për mua, skena është liri, ka qene shpëtim dhe vazhdon të jetë shpëtim. Sublimitetin e të shprehurit të asaj, që nuk do ta pranoje kurrë me veten, ta jep skena, por në të njëjtën kohë është dhe sakrificë e madhe se ti këtë e ndan, e lë për gjykim dhe pse fshehur mbas rolit apo pas regjisë me një audiencë të madhe dhe do kurajo, por në momentin që e ke arritur këtë kontakt, të paktën kjo është eksperienca ime, e vërtetuar dhe nga rrugëtimi ku kam lexuar jetë kolegësh, është si një liri, pasuri e madhe. Ndaj për mua të dalurit në skenë nuk do të jetë kurrë punë. Është një proces rritjeje në raport me veten, në të cilin përfshihet pasioni, fryma, liria”,- rrëfeu aktorja.

Më pas ajo u ndal te raporti me Sarën, duke rrëfyer se është dashur të bëjë rolin dhe të nënës dhe të babait dhe si çdo prind, është munduar të jap më të mirën për të.

“Në çdo vendim që unë kam marrë, që kanë qene të vështira, unë kam menduar dy herë. Besoj se kështu mendon çdo prind dhe uroj që kështu të mendojë çdo prind. Sepse natyrisht, unë Sarës kam arritur t’i dhuroj një rehati në këtë periudhë, ku ajo filloi jetën e vet dhe do kisha dashur ta kishte nisur më lehtë nga ana financiare. Unë këtë nuk arrita t’ia jap, por të paktën nuk do të ketë nevojë të ulë kokën në asnjë moment të jetës së saj, sepse është bija ime apo për rrugëtimin që jam përpjekur t’i mësoj. Absolutisht jam aty dhe do të jem, sa të kem frymë dhe jetë. Më ngjan 99%. Është e ndjeshme, punëtore shumë, pasionante, artiste, e lëshon veten në atë që ndien. Beson, kalon në ekstremin tjetër si kundër e ëma. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, e humbet besimin, njëjtë si unë. Jeton mes ekstremesh, por ndryshe nga unë që kam pasur atë motiv në moshën e saj, Sara nuk e ka, plus që kohët janë krejtësisht të tjera”.