Elvira Diamanti: Para ’90-s kishte lezet, nuk na detyronte njeri të xhironim skena të sikletshme me zhveshje apo puthje
Elvira Diamanti, në intervistën e saj të botuar tek “Shekulli”, kohë më parë, ka rrëfyer përballjen e saj me ndryshimet që solli rrëzimi i diktaturës edhe në kinema.
Duke pasur parasysh disa nga skenat e “Dasmës së Sakos”, ku aktorja duhet të ketë një lloj afërsie fizike me protagonistin, Sakon (Ndriçim Xhepa), mirëpo a mundej aktorja të vepronte e lirshme gjatë xhirimeve, puthjet të ishin reale?
“Njeriu nuk shkëputet dot nga rrethanat, edhe nuk e kapërcen dot veten. As unë nuk e kapërceja dot Elvirën e lindur në Tiranë që kishte një rreth të përcaktuar shoqëror. Ngjarjet ndryshuan!
Lamë pas diktaturën dhe hymë në tranzicion, brenda meje nuk kishte ndryshme shumë të mëdha, por regjisorët përfituan nga kjo liri edhe nisën që të bëjnë gjëra, që nuk do t’i bënin dot kurrë në komunizëm. Në atë kohë e kuptova, sesa komode kishte qenë për ne, kinemaja komuniste.
Mund të ishe grua edhe bashkëshorte shumë mirë, duke qenë edhe në kinema, sepse askush nuk të detyronte të zhvisheshe apo të putheshe edhe të bëjë skena të nxehta. Prandaj, them përse mos ta bëje këtë gjë, çfarë ndryshimi kishte një aktore nga një profesion tjetër? Ndërkohë që pas ’90-së këto gjëra ndryshuan menjëherë, këtë e ndjeva te “Dasma e Sakos”, që gjëra unë nuk i kapërceja dot.
Nuk mund që të bëheshin të gjitha, sepse nuk mundet që të dilja në mënyrë qesharake, ndërsa, sot një aktor mendoj se duhet që t’i bëjë të gjitha”, është shprehur aktorja Elvira Diamanti.
E cila më tej ka shtuar se tek filmat e saj që vijuan më pas si “Ada” apo “Ne dhe Le nini”, ajo ishte më e lirshme.
Por si do të ishte sot për Elvirën të luante në kinema? “Edhe nëse do të më kërkohet tani të bëj një rol në kinema jam e qetë, sepse nuk do të më kërkojnë të bëj ndonjë çudi, sepse çuditë i ngelen brezit të ri. Mendoj se më mirë që ka ndodhur kështu, sepse nëse do të kisha lindur në këto kohë, nuk e di se si do ta kisha përcaktuar!
Nuk mundet të dalësh jashtë realitetit, rrethanave edhe kohës që ke lindur, është e pamundur!”, është përgjigjur aktorja, e cila ndër të tjera ka rrëfyer se për xhirimet e filmit i është dashur të qëndrojë larg familjes për rreth një muaj.
Pra shfaqja e filmave shqiptarë, të kinemasë pas viteve ’90 na zbulon në këtë mënyrë edhe qasjen e aktoreve ikonë me ndryshimet e situatës socialo-politike të reflektuar edhe në kinematografi.
Filmi “Dasma e Sakos” është një bashkëprodhim shqiptaro-hungarez, i cili u realizua në vitin 1998, me regjisor Vladimir Priftin dhe skenarist Vath Koreshin.
Kompozitori Aleksandër Peçi ka realizuar muzikën e filmit. Ndriçim Xhepën, që në këtë film luan rolin e pasanikut Alush Beu, regjisori është shprehur se e ka pasur aktorin kryesor. Ai nënvizon gjithashtu faktin se ky është një nga rolet më të mirë të realizuar nga Xhepa.
Filmi “Dasma e Sakos” është shfaqur në 36 shtete, në një festival në Moskë, ky film konkurroi mes filmave të kategorisë A. Është vlerësuar edhe pas viteve 2000. Mori gjithashtu disa çmime në festivalin e filmit në Tiranë. Prifti tregoi edhe bashkëpunimin e frytshëm me skenaristin i cili, sipas tij dinte të dëgjonte dhe pas sugjerimeve “ai e niste nga fillimi skenarin”.
Aktorët kryesorë në film janë Ndriçim Xhepa, Elvira Diamanti, Xhevdet Ferri, Agim Qirjaqi dhe Tinka Kurti. Xhirimet janë realizuar në Gjirokastër gjatë viteve 1997-98, ku ka pasur mjaft trazira, duke shënuar kështu filmin e realizuar në kushtet më të vështira, ku rrezikohej edhe jeta.