Elton Deda: Situatën absurde po e kaloj duke shkruar muzikë, koncertet s’do kishin pikën e lezetit me distancim social

Nga Klotilda Harka/ Profesionist në muzikë dhe i ndjeshëm si artist, për Elton Dedën izolimi për shkak të Covid-19 kishte dhe anën e mirë pasi e afroi më shumë me kompozimin.

Gjendja psikologjike e rënduar dhe boshatisja e llogarisë bankare dita-ditës, natyrisht që ndikojnë negativisht në shpirtin e çdokujt që s’po del dot nga ky rreth vizioz ekzistencialist, por ndoshta kjo “vuajtje” globale e ka frymëzuar për të bërë këngë të bukura.

Për rikthimin e koncerteve me dhe pa “distancë sociale”, nismën për të fituar të drejtat e autorit, dashurisë si ndjenjë e pastër në këtë botë interesi dhe sekretet që i mban të kyçura brenda vetes, Elton Deda flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

“Tre musketierët”, sa të fortë ndihen në këtë situatë të krijuar nga Covid19?

Elton Deda: Është një periudhë tepër e vështirë për të gjithë. Edhe ne sigurisht e ndiejmë këtë situatë, por po përpiqemi ta kalojmë pa na lënë shumë pasoja. Puna vazhdon dhe kjo është ajo që na mban akoma të fortë. Por goditje ashtu si të gjithë kemi ngrënë boll.

Je me idenë që duhet të fillojnë koncertet, apo mendon se kjo është një luftë e vërtetë që s’kalon aq lehtë?

Elton Deda: Do isha i lumtur të fillonin koncertet, pasi ai është burimi ynë kryesor financiar. Problemi është që ne nuk mund të dalim nga habitati ynë natyral, e thënë ndryshe, koncertet s’do kishin pikën e lezetit me të ashtuquajturin “distancim social”. Kështu që, unë mendoj që fillimisht duhet të punojmë me ambiente të vogla (clubs, pubs etj.) dhe më pas në ambiente të hapura. Jemi me fat që kemi edhe 3 muaj të ngrohtë para nesh.

Bashkëpunëtori yt, Aleksandër Gjoka, u komentua për një video që qarkulloi në rrjetet sociale, ku shpërtheu në sharje ndaj drejtuesve të politikës. Çfarë komenti apo këshille i bëre si mik?

Elton Deda: Për këtë çështje, unë e kam shprehur herët mendimin. Ai është që: “Unë nuk kam dhe nuk do të interpretoj asnjëherë veprime apo mendime të miqve të mi, pasi ato u takojnë vetëm atyre. Ashtu siç mbaj përgjegjësi vetëm vetë për ato që them apo veproj unë”. Sandri s’ka nevojë të këshillohet prej meje, i del për zot vetes.

‘Artistët në krizë’ ishte vokacioni yt gjatë kësaj periudhe jo të zakontë. Si mund ta përshkruaje situatën psikologjike, shpirtërore dhe monetare të kësaj periudhe?

Elton Deda: Mund të përgjigjesha në mënyrë lakonike, por s’do ishte bukur. Është tepër komplekse. Unë gjithë jetës sime, ashtu si shumë të tjerë, nuk ishim përballur me një kolerë të tillë. Shto edhe teoritë konspirative, të cilat gjendjen e bëjnë akoma më absurde. Gjendje e rënduar, psikologjikisht të dërrmuar, pyetje ekzitencialiste që nuk marrin përgjigje kurrë, sigurisht edhe llogaria bankare duke firuar.

Të gjitha të marra së bashku, përfshirë edhe pafuqshmërinë për të ndryshuar ndonjë gjë, ndikojnë shumë negativisht shpirtërisht. Të ka frymëzuar ky stopim për të qenë më krijues në muzikë, apo të ka mbyllur në vetvete?

Elton Deda: Fillimi ishte i vështirë, ngaqë nuk mësohesha dot me situatën, isha shumë i zbrazët. Por duke kaluar koha, iu riktheva asaj që di të bëj më mirë, muzikës. Kam shkruar në këtë periudhë dhe më thënë të drejtën, gjeta një qetësi të munguar. Kur s’ke ç’të bësh, më mirë kompozo. Kohë kisha me bollëk.

Si një këngëtar i “live”, çfarë komenti ke për këngëtarët që s’këndojnë “live”, por janë pasuruar shumë nga muzika?

Elton Deda: Mendoj që është një dukuri ballkanase më shumë sesa shqiptare. Bota njeh raste të tilla. Nëse janë bërë të pasur, janë lekët e tyre dhe t’i gëzojnë!

Angazhimi yt me të drejtat e autorit është një mision i pamundur, apo jeni afër përmbushjes së tij? Shpreson se fitimet e krijimtarisë tënde do t’i përfitosh i gjallë?

Elton Deda: Përderisa unë i kushtoj një pjesë të madhe të kohës sime, do të thotë që nuk e shikoj si mision të pamundur. Por jemi akoma larg botës. Ia vlen përpjekja, ama dhe ne marrim nga e drejta e autorit të ardhura tani. Sigurisht, jo ndonjë gjë të madhe, por po lëviz. Dhe po, nuk kam ndërmend të vdes shpejt, kështu që jam i bindur se do t’i gëzoj ca të drejta, ndërkohë që do bëj gati shkopin.

Nga panelet e show-talenteve, te biznesi i jetës së natës, ku e ndien veten më mirë?

Elton Deda: Unë jam profesionist dhe gjithçka që bëhet në funksion të artit më bën të ndihem mirë. Gjithsesi, do të preferoja më shumë tastierat e mia sesa një karrige që rrotullohet. Kur i argëtoj njerëzit me muzikë, është maksimumi.

I ke kënduar shpesh dashurisë me ndjenjë, po në kohët që jetojmë, ç’mund të thuash për dashurinë me dhe pa interes?

Elton Deda: Mendoj që ajo kurrë nuk humbet, pavarësisht pragmatizmit të jetës. Jo gjithçka është interes në këtë botë. Gjithsesi, duhet të kuptojmë që sa më tepër kemi probleme me pavarësinë ekonomike dhe sidomos me varfërinë, në çdo marrëdhënie do ketë pak interes. E rëndësishme është të ketë ndjenjë, se përndryshe flasim për prostitucion.

Cilit gazetar do t’ia rrëfeje sekretet e tua në jetën prej artisti të mirëfilltë?

Elton Deda: (Qesh). Më zure ngushtë. Ka disa personazhe që unë i kam qejf dhe më bëjnë të ndihem mirë kur më intervistojnë. Por nëse do t’i rrëfeja, nuk do ishin më sekrete. Kështu që, e lëmë që tani për tani t’i mbaj të kyçura brenda Tonit. Mbase vjen një ditë që do t’i rrëfej. Deri atëherë, taksirat e ke të presësh.

/Panoramaplus.al