Eltjon Bida: Pse libri im tërhoqi vëmendjen e Maurizio Costanzos!
Nga Klotilda Harka/ Në biografinë time rrëfej historinë e 19-vjeçarit emigramt, që flinte në vagon mallrash dhe dilte me vajza italiane.
Për Eltjon Bidën, shqiptarin më të intervistuar në Itali nga gazetarët e famshëm të vendit, biografia e tij është si një film me shumë seri, që nis kur ai ishte vetëm një 19-vjeçar emigrant nga Shqipëria që po jetonte ëndrrën e tij. Dy vite pas publikimit të librit të tij të parë të vlerësuar me çmime të ndryshme “Na ishte një herë një klandestin” (C’era una volta un clandestino), Bida rikthehet me vazhdimin: “Çfarë ndodhi me atë emigrant?” (Che fine ha fatto quel clandestino?) Librat rrëfejnë historinë e tij të vërtetë, ato aventura që i ndodhën në vitet’90-të, një 19-vjeçari nga Shqipëria ku gjatë rrugëtimit për të shkelur tokën e ëndërruar, ai përjetoi dhe romanca me vajza italiane. Për interesin që ka ngjallur tek gazetarët elitarë të Italisë si djali nga Shqipëria që ia doli në një vend si Italia, Bida i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”:
Pas suksesit me “Na ishte një herë një klandestin” publikon “Çfarë ndodhi me atë klandestin?”. Si vazhdon historia jote në këtë libër të dytë që ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve më të njohur italianë?
Libri i dytë fillon me gjetjen e punës si shitës derë më derë. Unë dhe një grup të rinjsh italianë shisnim sende të vogla, trokisnim në dyert e shtëpive ose hynim nëpër dyqane dhe duke gjetur ndonjë justifikim për të shitur, kërkonim të shisnim ato ç’mbanim në çanta. Për disa ajo e jona s’njihej si “punë”, por sidoqoftë ne vazhdonim të shisnin me kokën lart. Gjithashtu historia vazhdon me shokët e mi, me të cilët flija në një vagon treni mallrash, dhe në atë moshë të re 19-vjeçare nuk mungojnë historitë me vajzat. Pra, si dhe në librin e parë, edhe në këtë libër aventurat janë të shumta, me raste janë argëtuese dhe mbajnë lexuesin ngjitur në faqet e librit.
Kur gazetarët italianë të pyesin: “Pse vazhdon të tregosh historinë tënde”, ti si u përgjigjesh?
Përgjigjja ime është se po të tregoja aventurat e mia në një libër të vetëm, atëherë ky libër do të dilte me mbi një mijë faqe. Dhe historia ime nuk mbaron me këtë libër të dytë, do të këtë edhe një të tretë i cili do të na tregojë përfundimisht ç’do të ndodhë me personazhet që unë rrëfej.
Pra në këtë libër të dytë Eltjoni fillon jetën prapë nga zero?
Po, do të thoja që Eltjoni, e fillon jetën nga hiçi. Por pas disa përpjekjeve gjen punë: shet artikuj të vegjël derë më derë. Në përgjithësi, vitet ‘900të ishin vite të vështira për shqiptarët. Gazetat, lajmet televizive shpesh flisnin keq, prandaj për të shitur Eltjoni duhej të angazhohej me gjithë shpirt, më shumë se sa kolegët italianë. Me punën dhe sjelljen time doja t’u tregoja klientëve që ne shqiptarët ishim njerëz si gjithë të tjerët, dhe jo ashtu si na portretizonin televizionet dhe gazetat.
Si ishte jeta e një djali te ri që kishte si shtëpi një vagon treni mallrash. Ku e gjeje kënaqësinë e jetës mes asaj vuajtjeje?
Njeriu duhet të gëzojë ato çfarë ka, dhe unë i gëzohesha punës time, kolegëve të mi me të cilët shkoja shumë mirë, shokëve, vëllait që e doja dhe e dua shumë, dhe vajzave që frekuentoja.
Pikërisht aventurat me vajzat italiane që takoje ishin pjesë e jetës prej emigrant. Si u prezantoheshe atyre, dhe ku takoheshe me to ndërkohë që për shtëpi kishte një vagon mallrash?
Në përgjithësi, në vitet ’90-të, në Itali flitej keq për ne shqiptarët dhe unë kërkoja të dukesha dhe të sillesha si italian. Por sado, nga shqiptimi i fjalëve zbulohesha. Kështu unë kërkoja të gjeja ato vajza që s’kishin gjë kundra shqiptarëve. Takoheshim ku t’i binte rasti dhe, kur krijonin besimin, më ftonin edhe në shtëpi.
Për të gjitha këto histori ke mbajtur shënime në atë kohë, apo tani ulesh dhe e shkruan historitë që janë bërë pjesë e kujtimeve të tua?
Jo, për fat të keq nuk kisha mbajtur shënime, sepse vetëm vite më vonë vendosa që të shkruaj historinë time.
Këto ditë festash ke dhënë shumë intervista për librin tënd të dytë, për gazetarë të njohur italianë dhe nuk është pak apo jo nëse përmendim Maurizio Costanzon…
Po, nga gazetarët më të njohur mund të përmend: Valentina Furlanetto, Eleonora de Nardis, Ornella Petrucci, Maurizio Costanzo, Carlotta Quadri, Daniela Fassini, etj.
Dhe cilët prej tyre kanë arritur të deportojnë thellë në botën tënde prej shkrimtari që ulet dhe shkruan historinë e tij?
Të gjithë këta gazetarë, më kanë intervistuar nga dy herë, si për librin e parë po ashtu edhe të dytin. Mund të të them që Valentina dhe Eleonora, kanë qenë ato që më kanë nxjerrë të gjitha të palarat, me intervistat e tyre shumë të gjata.
Nëse do të bëhej film historia jote, cilit aktor të famshëm do i përshtatej karakteri yt, dhe vajzat me të cilat ke bërë aventura nga cilat aktore mund të luheshin?
Para një viti, një regjisor donte që ta bënte librin tim film por nuk arriti ta çonte dot projektin deri në fund. Zakonisht aktorët i zgjedh kush merr në dorë projektin, por për mua mjaftojnë që të jenë aktorë të mirë, të zotë.
Nga një emigrant që arrin t’ia dalë në Itali tashmë në shkrimtarin për të cilin flasin mediat prestigjkoze italiane. Si ka ndryshuar jeta jote pas famës në Itali për dy biografitë e tua?
Jeta ime është ajo që ka qenë, s’ka ndryshuar pothuajse fare. Tani shkruaj më shumë, akoma më me pasion.
Ka ndodhur që dikush ka shprehur pëlqim hapur ndaj teje?
Pëlqimet për mua janë komplimentet e lexuesve, dhe ato s’kanë munguar, janë pothuajse të përditshme.
Bëhesh dot i pasur me libra në Itali, dhe ke shifra të shitjeve të tua?
Jo, nuk bëhesh i pasur. Numërohen me gishtat e dorës ata që bëhen të pasur me libra, pra janë shumë shumë të rrallë. Për momentin s’mund të them dot sa libra mund të jenë shitur, por për ashtu si po shkojnë shitjet unë jam shumë i kënaqur.
Mendon se vuajtja për të cilën rrëfen në biografi të ka bërë njeri më të mirë, dhe në konceptin tënd për jetën njeriu duhet të vuajë patjetër që të kuptojë vlerën e jetës?
Jam i sigurt që vuajta më ka bërë njeri më të mirë, por kjo s’do të thotë aspak që duhet të vuash që të jesh i mirë.
Me çfarë pasazhi rrëfehet një situatë ferri në librin e dytë?
Për netë me radhë nuk më zinte gjumi, dhe kjo ishte kur dy shokë të mi, me të cilit flija në vagon filluan të shpërndanin drogë, në të njëjtën kohë. Vëllai im u fsheh në një kamion për të arritur në Angli. Ishin ditë të vështira, skëterrë.
Dhe pasazhi ku tregohet një situatë e gjendjes së kënaqësisë apo lumturisë si në parajsë?
Kur vëllai mori në telefon nga Anglia, që kishte arritur shëndoshë e mire. Atë momentu në po, gjendesha në parajsë.
Nga udhëtimi me gomone dhe gjithë aventurat e një djali të ri që në Shqipëri s’përfundoi dot gjimnazin, por që sot flet 6 gjuhë të huaja në librin e parë, si vazhdon historian ë librin e dyrë?
Në librin e dytë shkruaj për vëllain dhe një shok, që nga dëshpërimi (pasi ishin pa dokumenta dhe pa punë), kërkonin të linin Italinë dhe të arrinin në Angli, fshehur në trena apo nën mbulesën e rimorkios të ndonjë kamioni. Tregoj se si dy shokë të tij, për të njëjtin qëllim (plus kishin edhe prindërit në borxhe të mëdha, borxhe që kishin marrë për të dërguar fëmijët e tyre në Itali), filluan të merreshin me punë të pista: vjedhje dhe drogë. Domosdo shkruaj edhe për aventurat që kisha në atë moshë me vajzat italiane. Atyre vajzave që nuk u tregoja dot që flija në vagon mallrash dhe sillesha sikur kisha shtëpinë time. Rrëfej edhe si një qen endacak solli gëzim në vagon dhe ne djemtë e mbanim dhe e ushqenim sikur të ishte qeni ynë./Panorama Plus