Elseid Hysaj kërkon Europianin e dytë
Elseid Hysaj po vazhdon të jetojë ëndrrën me kombëtaren. Mbrojtësi është shumë pranë kualifikimin në Europian për herë të dytë, dhe ka po të njëjtat emocione sikurse afro tetë vite më parë.
“Kur kam qenë i vogël gjithmonë i kam parë ndeshjet e kombëtares, e kam ëndërruar që do të arrij aty, por kurrë nuk e kam menduar që do të vazhdoj 11 vite rresht, apo që do të jem kapiteni. Është një ëndërr që për mua vazhdon dhe shpresoj të vazhdojë edhe më gjatë”, tha ai.
Një prej kapitenëve të përfaqësueses shqiptare, tregon se të gjithë mezi presin të nisë grumbullimi pasi duan të festojnë një kualifikim të merituar
“Kemi luajtur, kemi vuajtur, jemi lodhur, jemi kënaqur. Kemi treguar që e meritojmë. E meritojmë ne, e meriton Shqipëria, e meritojnë të gjithë familjarët tanë sepse kemi bërë ndeshje shumë të bukura, jemi lodhur. Këto dy ndeshje besoj nuk është nevoja të them asgjë, sepse siç jam unë i karikuar janë edhe lojtarët që ta mbyllim këtë kapitull dhe të festojmë”, tha ai.
Thuajse 11 vjet me fanellën kuqezi, Hysaj thotë se tashmë kombëtarja shqiptare ka një tjetër imazh në arenën europiane.
“Është edhe puna e trajnerit që na ka bërë të kemi vetëbesim me lojën, me mbajtjen e topit. Kundërshtarët nuk është se vijnë më kundër Shqipërisë siç kanë thënë do fitojmë 1-0 apo 2-0. E kemi parë edhe në ndeshjet e kaluara që kanë presione, kanë frikën e vet që luajnë kundër Shqipërisë tani”, tha ai.
Ndeshja e radhës me Moldavinë do të jetë ajo me numër 81 që Hysaj luan me kombëtaren shqiptare.
Tv Klan