Elsamedi i “Big Brother” rrëfen jetën para famës: “E shkuara ime e errët dhe përplasja me drejtësinë”
Është vetëm 23 vjeç dhe po hyn me vrull në tregun e reperave për të arritur majat, tani edhe si producent klipesh. Eli G (El-samed Senaj) i “Big Brother 9”, pasi ka bërë bujë me klipin “A din me Bo Twerk”, sapo ka përfunduar klipin “Zemër je”, ndërsa tregon eksperiencat me femrat që i braktis vetë i pari. Në këtë intervistë për “Panorama Plus” flet për hierarkinë e reperave shqiptarë dhe arsyen pse Getoar Selimi, i vetëquajturi më i madhi në vend(MMV), nuk e mban aktualisht këtë titull.
Je duke punuar për një klip të ri. Fabula që ke ideuar kësaj here?
Tema e këngës së re është interesante, është pak te luksi pasi flet për atë që e duan të gjithë. Pra, titullohet “Pare Pare”. Pastaj në vargjet e tekstit, flitet për jetën dhe femrat. Është një këngë ndryshe nga të gjitha ato që kam publikuar më parë.
Femra, para, pushtet, armë dhe aksion shihet në klipet e tua. A kuptohet një reper pa para, luks dhe shthurje dhe ti ku e fut veten?
Paraja është diçka që ka ardhur me shumë punë tek unë. Që 15 vjeç kam qenë aktiv dhe kjo më ka zhvilluar artistikisht, moralisht, edhe instiktivisht për ta fituar atë. Sa për pushtetin, është diçka që ti si person tregon autoritetin tënd. Ndërsa femra? Sot çdo mashkull mund ta ketë në ditët e sotme, por unë bëj një jetë normale, jo jetë të shthurur, sidomos tani jam përqendruar te puna duke investuar vetëm aty. Një reper mund të jetë ashtu si shumica e reperave janë, “fake”, prandaj tani zihen e tani puthen. (qesh)
Je duke marrë pjesë në koncerte të ndryshme, me cilët kolegë je takuar apo përballur më shpesh?
Po, në koncerte kam qenë aktiv, me disa artistë ose me shumë kombinime siç bëjnë pronarët e club-eve me reperat shqiptarë. Mund të them se 90% të artistëve të showbizz-it i kam takuar dhe shumicën e tyre i kam miq të mirë.
Kush të duket më i madhi në vend mes reperave, e mban ende Getoar Sel-mi këtë titull, apo ti ke emra të tjerë të preferuar që mund t’i përmendësh?
Nuk kam thënë ndonjëherë që Getoar Selimi është më i madhi në vend. Edhe s’kam të preferuar, pasi të gjithë janë njësoj. I respektoj për punën që bëjnë dhe më i madhi në vend është Eli-G, të tjerët s’më interesojnë.
Je shprehur në një intervistë se ke trurin e Bleona Qeretit, pra, je versioni mashkull i saj. Si të duken veshjet e saj transparente ne evente botërore?
Them se është keqinterpretuar intervista. As mendoj se jam mashkull për Bleonën dhe as nuk është ajo çfarë dua. Bleona është përmendur në këngën time “Twerk”, siç janë përmendur dhe shumë personazhe të tjerë, por pa qëllim. Veshjet e saj, nuk është hera e parë që e shohim ashtu, ka strategjinë e vet.
Një reper duhet të jetë i sprovuar në jetën e rrugës, madje edhe t’i rrezikohet jeta. Ti ke kaluar peripeci, para se t’i hyje muzikës?
Për mendimin tim, art mund të bësh edhe pa vdekur. (qesh) Artistët ,ose ne reperat, ndoshta e kemi jetën sa të bukur, po aq edhe jo të bukur. Të gjithë shiten si gangsterë, por vetëm në rrjete sociale dhe në klipe. Mund të jesh reper dhe mund të kesh ardhur nga një jetë e mirë, pra, jo vetëm nga rruga. Unë kam kaluar disa rreziqe në jetë, që ndoshta kanë qenë situata që s’janë bërë të njohura në media, por kanë bërë shumë zhurmë në shtet (drejtësi) para shumë kohësh.
Ndërkohë që ke hapur biznesin tënd, një studio produksioni për klipe muzikore. Kush janë këngëtarët e parë që po bëjnë këngë te ty?
Produksionin e kam emërtuar “Fullmoon”, që do të vijë me risi për çdo këngëtare. Ne jemi bërë një staf mjaft cilësor, që do të kujdesemi në detaj për çdo artist, pasi “Fullmoon” do të realizojë videoklipe edhe reklama me cilësi maksimale dhe çmime shumë të mira. Ne kemi xhiruar deri tani disa klipe, që nuk janë publikuar ende, por nuk e kam të drejtën t’i zbuloj, sepse s’jam i autorizuar nga këngëtaret, por mund të them se janë disa këngëtare shumë të njohura që po bashkëpunojmë. Tashmë është xhiruar edhe klipi i fundit i imi “Zemër je” dhe një klip i fundit i Greta Koçit.
Ke aq ambicie sa të mendosh karrierë ndërkombëtare dhe me kë artist?
Unë kam shumë ambicie, por për momentin mjafton tregu shqiptar dhe Diaspora. Bota ka artistë mjaft, mendoj, me të cilët mund të bashkëpunoj.
Sa i takon jetës private, të ka ndodhur të të braktisë një femër dhe ç’bën në ato raste?
Me çdo femër që kam pasur të dashur jemi ndarë me qejf, në shumicën e rasteve edhe kemi ngelur miq. Kam lënë unë, sepse jam në karakter Luani, edhe është problem kjo pjesë.