Elita botërore mblidhet për inteligjencën artificiale
Elitat e biznesit dhe politikës janë mbledhur në Lisbonë, për një takim që ngre shumë pikëpyetje.
Siç raporton CNBC, në takimin vjetor Bilderberg, tema kryesore e diskutimit do të jetë inteligjenca artificiale.
CEO i OpenAI Sam Altman – i cili sapo bëri paraqitjen e tij të parë para Kongresit të SHBA, ku diskutoi rregullimin e AI me ligjvënësit në Capitol Hill – është në listën e të ftuarve, siç është CEO i Microsoft Satya Nadella, kreu i DeepMind, Demis Hassabis dhe ish-CEO i Google, Eric Schmidt.
Për takimin shumë pak dihet dhe nuk pritet të zbulohet shumë as në fund të tij. I nisur të enjten, ai mbyllet të dielën.
Në takimin e vitit të kaluar, zhvillimet në kontekstin gjeopolitik, pra pushtimi rus i Ukrainës ishte në krye të axhëndës. Një vit më pas, inteligjenca artificiale fiton terren dhe del e para në listën e temave, duke zhvendosur edhe luftën që vijon ende.
Bisedimet vijnë pasi futja në përdorim e mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT i OpenAI dhe Bard i Google kanë shtuar shqetësimet për zhvillimin e shpejtë të teknologjisë deri në atë pikë sa CEO i OpenAI, Altman, u thirr të dëshmojë para Senatit amerikan këtë javë.
“Takimi i Bilderberg është një forum për diskutime joformale rreth çështjeve kryesore. Takimet mbahen sipas rregullit të Chatham House, i cili thotë se pjesëmarrësit janë të lirë të përdorin informacionin e marrë, por as identiteti, as përkatësia e folësit(ve) apo ndonjë pjesëmarrësi tjetër nuk mund të zbulohet”, bënë të ditur organizatorët në një deklaratë për shtyp.
I themeluar në vitin 1954, ky do të jetë Takimi i 69-të i Bilderberg-ut. Konferenca që fillimisht u krijua me qëllimin “të nxisë dialogun” midis Evropës dhe Amerikës së Veriut mbledh këtë vit 130 personalitete nga 23 shtete të ndryshme.
Në listën e emrave që përfaqësojnë politikën bie në sy ish-sekretari amerikan i shtetit, Henry Kissinger, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. Po ashtu, investitori i teknologjisë dhe bashkëthemeluesi i OpenAI, Peter Thiel, do t’i bashkohet konferencës së bashku CEO e Pfizer, Albert Bourla.
Takimi ka ndezur teori konspirative, të ngjashme me ato të ngritura kundër takimeve të nivelit të lartë si Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, nga ata që pretendojnë se po punohet për një “rend të ri botëror”.
Në takimin e Bilderbergut, të pranishmit marrin pjesë si individë dhe jo në cilësi zyrtare, axhenda nuk jepet e detajuar dhe diskutimet nuk dalin jashtë dyerve të sallës.