EKSKLUZIVE/ Zbulohet shifra marramendëse që pagoi “MCN TV” për të blerë të drejtat e transmetimit të “Miss Universe Albania”
Eventi më i madh i bukurisë shqiptare “ Miss Universe” tashmë do të transmetohet në “MCN TV”. Ky televizion ka blerë të drejtat e transmetimit të kompeticionit që do të zgjedhë më të bukurën e vitit 2024, e cila do të na përfaqësojë në “Miss Universe” ndërkombëtar.
Spektaklin e bukurisë, që tradicionalisht mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, do ta ndiqni në ekranin e “MCN TV” për tre vitet e ardhshme. Burime të sigurta pranë organizatës së “Miss Universe” kanë treguar detaje ekskluzive për “Story.al” në lidhje me këtë blerje të të drejtave të transmetimit në televizion të këtij show bukurie. Sipas këtyre burimeve, MCN ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare për një vlerë prej mbi 100.000 Euro në vit, dhe në total për 3 vjet transmetim, shuma arrin vlerën marramendëse 300 .000 Euro në total. Kështu vërtetohet fakti që “Miss Universe” ka qenë dhe mbetet show më i shtrenjtë në histori.
“Miss Universe Albania 2024” që do të transmetohet në “MCN”pason finalen e këtij viti, që u fitua nga Endi Demneri, e cila do të pëfaqësojë Shqipërinë në garën botërore të bukurisë.
Konkursi që mbahet rregullisht çdo vit ka nxjerrë fituese vajza që më pas kanë pushtuar pasarelat e modës dhe ekranet e televizioneve.
Kujtojmë se këtë garë e ka fituar në vitin 2010 Anxhela Martini, në 2011 Xhesika Berberi, ndërsa Adrola Dushi ka përfaqësuar Shqipërinë pas kurorëzimit nga ky kompeticion në vitin 2012.
Emra të tjerë që kanë dalë fituese nga kjo garë janë; Eralda Hitaj, Matilda Mcini, Anxhela Martini, Fioralba Dizdari, Blerta Leka, Trejsi Sejdini, Cindy Marina, etj.
“Miss Universe Albania” u krijua në vitin 2002 dhe që nga ajo kohë ka përzgjedhur shqiptaren më të bukur që merr pjesë në konkursin ndërkombëtar “Miss Universe”. Ekskluziviteti i kompeticionit iu besua në vitin 2014 producentit të njohur, Eduart Deda./www.story. al