EKSKLUZIVE/ Xhixha në sezonin e rekordeve, rrëfehet sulmuesi bardheblu: Pata shumë oferta, ja pse zgjodha Tiranën

Redon Xhixha është zbulimi i sezonit për Tiranën. Ish-sulmuesi i Laçit erdhi te Tirana dhe që në kampionatin e parë e ngriti në katedër. Xhixha deri tani ka shënuar 13 gola duke kaluar rekordin personal. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi rrëfen përse zgjodhi bardheblutë. Xhixha zbulon, nga ana tjetër, se ai dhe Seferi kanë bërë një sezon fantastik, ndërsa pret një aventurë të madhe në Europë. Xhixha flet edhe për armën e fortë të skuadrës bardheblu, ndërsa nuk harron të flasë as për golin e veçantë të sezonit.

Shënuat një tjetër gol ndaj Egnatias, i cili është i 13-ti për ju këtë kampionat…

Po, shënova një tjetër gol dhe jam shumë i lumtur, pasi fituam ndeshjen e cila ishte objektivi kryesor. Pastaj normalisht jam i lumtur edhe për golin që arrita të shënoja. Për më tepër goli ishte shumë i shpejtë.

Në mos gabojmë, 13 gola në Superiore nuk i kishit shënuar asnjëherë gjithë ato vite që kishit luajtur me Laçin?

Po, 13 gola është hera e parë që i shënoj, pasi kisha shënuar 2 vite më parë 12 gola. Dhe arrita ta kaloj këtë shifër personale që kisha dhe shpresoj të vazhdoj të shënoj sa më shumë në të mirë të Tiranës po dhe vetes sime.

Duke u kthyer në qershor 2021, përse zgjodhët Tiranën dhe jo një skuadër tjetër?

Zgjodha Tiranën sepse mendova se ishte ekipi ku mund të tregoja vlerat dhe cilësitë e mia. Përveç këtyre, të mos harrojmë që është ekipi me më shumë trofe dhe histori në Shqipëri.

Pasi e mbyllët me Laçin dhe para se të firmosnit me Tiranën, ju ishin ofruar ekipe të tjera?

Po, më ishin ofruar disa ekipe të tjera, por zgjedhja ime doli më e mira.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL