EKSKLUZIVE/ Viktor Zhusti i dashuruar për 80 vjetor! Aktori ikonë ”Love Story” në distancë me violinisten 22 vite më të re
Kjo “Story” i dedikohet një “Love Story”! Një rastësi e bukur është ajo e 8 dhjetorit, Dita e Rinisë në Shqipëri, që përkon me ditëlindjen e aktorit ikonë, Viktor Zhustit, i cili duket se ka bërë vërtet pakt me rininë e përjetshme.
Dy ditë më parë, artisti karizmatik dhe i lakmuar në çdo kohë festoi 80-vjetorin e lindjes së tij, në një darkë shumë private të organizuar në një nga restorantet e njohur të peshkut në Elbasan, ku aktorin e surprizoi pikërisht e dashura e tij e zemrës, po ashtu një artiste e njohur në Greqi. Ajo kishte udhëtuar (për ta befasuar dhe lumturuar partnerin e saj), direkt nga Athina, ku vazhdon dhe karrierën si violiniste e Orkestrës Shtetërore të Athinës.
Ata u përpoqën ta mbanin private festën e ditëlindjes, ndërkohë që revista “Story” ua dedikoi kopertinën e muajit dhjetor, pikërisht çiftit më “cool” në rrethin e artistëve shqiptarë, duke zbuluar për herë të parë këtë histori të bukur dashurie me 22 vite diferencë, pasi e zgjedhura e tij është 58 vjeçe. Shprehja “Dashuria nuk njeh moshë” është tashmë një klishe, por në rastin e Viktor Zhustit klisheja thyen shumë klishe të realitetit shqiptar.
Në kopertinën e re të revistës “Story” ju sjellim pikërisht ekskluziven e historisë së dashurisë së aktorit ikonë me violinisten e njohur si Margarita Plesti. Historia e tyre që thuhet se mund të ketë nisur në Athinë diku rreth viteve 2010, me kthimin e Zhustit në Tiranë ka vazhduar po njësoj e bukur dhe e fortë edhe pse në distancë.
Çiftit janë parë gjithmonë bashkë, madje Viktor Zhusti është prezantuar dhe kalon kohë me dy vajzat e Margaritës nga martesa e mëparshme. Si dy artistë të vërtetë, duket se Viktori ka gjetur lumturinë dhe qetësinë tek Margarita e tij. Duket se në Athinë, kryeqyteti i Greqisë ku lindi në 8 dhjetor të vitit 1942, Viktori ka gjetur dashurinë e tij, vite më vonë pas divorcit.
Aktori që ka luajtur shumë role dhe përpara viteve ’90-të, kur lulëzonte prodhimi në Kinostudio “Shqipëria e Re”, ishte një nga aktorët më të kërkuar. Galeria e roleve të Viktor Zhustit është mjaft e pasur. Ka luajtur partizanin e ashpër, por edhe babanë e dhembshur, të riun përpara dilemave, por edhe të dashuruarin, që mundohet të tejkalojë paragjykimet. Disa prej filmave ku ai ka luajtur, mund të përmendim telekomedinë “Shi në Plazh”, ku luan rolin e Alber-it, një nga komeditë më të bukura shqiptare, që i ka rezistuar kohës. Për të vijuar me filmin “Nëntori i dytë”, ku luan rolin e Pandeli Sotirit, “Taulanti kërkon një motër”, rolin e babait, Pirros.
Një tjetër rol babai, tek “Kur xhirohej një film”, për të vazhduar me rolin e Llano Bletës tek “Dhe vjen një ditë”, “Malet me blerim mbuluar”, etj. Roli i doktorit në skenën e teatrit Kombëtar me “Të gjithë kanë huqe”, e ktheu Zhustin pas gati 20 vjetësh sërish në vëmendjen e publikut. Pas këtij rikthimi jeta e tij artistike në Shqipëri ka qenë mjaft dominonte me role në kinema, teatër, produksione televizive apo dhe si moderator i një prej edicioneve të fundit të Festivalit të Këngës në RTSH.
Triumfi i tij më i fundit në teatër ishte këtë sezon ishte vepra “Mbreti Lir” e Shekspirit. Premiera “Mbreti Lir” u ngjit në skenë pikërisht me pjesëmarrjen e aktorit të njohur, Viktor Zhusti dhe në role janë dhe të tjerë aktorë, që publiku i ka vlerësuar në teatër. E bashkë me suksesin në skenë, Viktori shijon dhe dashurinë në prapaskenë, një melodi për shpirtin e tij, inspiruese për një dedikim ashtu si “MARGHERITA” e Riccardo Cocciante-s.
Kështu le të ngremë një dolli për dashurinë dhe jetën, me Viktor Zhustin dhe Margaritën e tij, në këtë 80-vjetor të artë të ikonës së aktrimit shqiptar! /www.story.al