EKSKLUZIVE/ “Uli moshën në Angli”, Nallbani i përgjigjet Lluka Heqimit: Të shkojë në…

Blendi Nallbani është portieri më i ri (17 vjeç) që ka luajtur në stadiumin “Uembli” në 85 vitet e fundit kundër Anglisë. Ai theu rekordin e vendosur në 1936-ën e largët, kur Norman Kaleger i Irlandës, ishte në fushë si rival ndaj “tre luanëve”, por 4 muaj më i madh se shqiptari.

Kur kanë kaluar tri dekada nga ndeshja Angli-Shqipëri 5-0, e luajtur më 26 prill 1989 në impiantin mitik, një deklaratë e ish-mjekut të Kombëtares, Lluka Heqimi, në lidhje me moshën e Nallbanit, ka prishur disi humorin që karakterizon “Tatën”.

Ish-portieri, në replikën që bën enkas për “Panorama Sport”, nuk e kursen mjekun, që pati thënë se Nallbani ishte 18 vjeç kur luajti ndaj Anglisë, duke e ulur me një vit moshën.

Blendi tregon për gazetën edhe se si u grumbullua në Kombëtare, në një moshë aq të vogël dhe për më tepër përpara një ndeshjeje luksi si ajo përballë Anglisë.

Ish-mjeku i Kombëtares, Lluka Heqimi, pretendon se në “Uembli” nuk keni luajtur 17 vjeç, por keni qenë 18 vjeç. Si është e vërteta?

Unë, Blendi Shaban Nallbani, kam lindur më 30 maj 1971 në maternitetin e Tiranës, afër stacionit të trenit. Nuk ka asnjë shans që të jenë bërë hile me datëlindjen time. Nëse Lluka Heqimi apo kushdo qoftë tjetër që i intereson të dijë për ditën dhe madje orën kur kam lindur, të shkojë të verifikojë letrat në maternitet apo gjendjen civile. Mbaj mend që nëna më ka thënë se kam lindur në orën 11:30 të drekës.

OK, por mjeku pretendon se me të rinjtë bëheshin falsifikime në atë periudhë sa i përket moshës…

Nuk dua të merrem me të, pasi është edhe burrë në moshë. Lluka Heqimi dhe një person tjetër kanë qenë përkthyesit kryesorë të Kombëtares në atë ndeshje në Angli. Më tepër, Lluka qëndronte pas meje, sepse vinin gazetarët anglezë dhe kërkonin të më intervistonin. Duke qenë se unë nuk dija të flisja anglisht, të gjitha përkthimet i bënte Lluka në mediat e tyre. Me sa duket, tashmë ai po i ngatërron gjërat. E vërteta është se nuk kam shkuar mirë me të pas viteve ’90. Unë i them gjërat troç, nuk jam servil apo t’u shkoj njerëzve mbrapa. S’dua të merrem fare me Llukën. Kam 11 vjet që e kam lënë sportin dhe është turp të diskutosh këto gjëra. Po më duket vetja si në hetuesi… Kam pasur respekt për Llukën si doktor, por tani ja ka dhënë truri të flasë kështu.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL