EKSKLUZIVE/ Tirana nuk dëshiron ta festojë titullin në stadium bosh, zbulohet kërkesa e bërë në FSHF

Tirana do të luajë të mërkurën ndeshjen e fundit të këtij sezoni, ku edhe do të ketë mundësinë që të ngrejë titullin e 25-të zyrtar kampion. Për këtë ndeshje ka ndryshuar edhe axhenda dhe do të luhet në stadiumin “Air Albania” me start nga ora 19:00.

Gazeta ka mësuar se Tirana ka bërë një kërkesë në Federatën Shqiptare të Futbollit për të pasur një prani më të lartë tifozësh. Së pari, një tentativë për të festuar këtë titull me një numër të konsideruar tifozësh, mbase duke përdorur edhe praktikën që po ndodh në shumë vende që aplikohet hapja e pjesshme e stadiumeve me një përqindje të caktuar të vendeve që lejohen të mbushen me tifozë.

Jo vetëm kaq, por kërkesa është bërë edhe për faktin që të paktën të pranishëm të jenë familjarët e protagonistëve, lojtarëve dhe drejtuesve ekipit që bëri të mundur arritjen e një suksesi të tillë.

Sot pritet që të ketë një përgjigje nga institucioni zyrtar në vend nëse në protokollin e lejuar të personave për ndeshjen e fundit, Tirana-Bylis, krahas zyrtarëve dhe numrit standard të lejuar ku një pjesë e madhe do të jenë edhe zyrtarë të FSHF-së për ceremoninë festive, do të lejohen edhe familjarët e lojtarëve dhe stafit të skuadrës bardheblu.