EKSKLUZIVE/ Stresi rrëfehet për dashurinë: Pengesat në lidhjen time dhe dasma private në Santorini
Kur janë larg ai ulet dhe shkruan vargje të ndjera për të, ndërsa ajo pikturon portretin e tij në letër. Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi e përshkruan ndjenjën për Keisin “dashuri të vërtetë”, pasi kanë luftuar shumë kundër të gjithëve për të qenë bashkë. Tre vjet pasion e sakrificë në fshehtësi me një vajzë shumë të bukur, që ndjek studimet e larta në Ottawa të Kanadasë, këngëtari 31 vjeçar shumë shpejt do t’i finalizojë me martesë. Thotë se nuk i ndjen fare dhjetë vjet diferencë nga partnerja e zemrës, brunia e bukur që e mahnit me “zgjuarsinë e frikshme”, i qetëson mendjen, i prek zemrën dhe i ledhaton shpirtin. Arkimed Lushaj është reperi i famshëm, por që për Keisin thotë se nuk e ka aspak problem të braktistë edhe muzikën. Për fejesën e fshehtë me 21 vjeçaren, pengesat që po hasin, dasmën private që do të organizojnë në ishullin Santorini të Greqisë, dhe familjen që do të ndërtojnë jashtë Shqipërisë, Stresi i rrëfen në këtë intervistë për revistën “Story”.
Të pamë në “Kënga Magjike 2017” në këngën me titull “Sa herë e don”. Mendon se do të jetë hit-i i vitit?
Kënga me Anxhelo Koçin dhe Flor Banën në “Kënga Magjike”
trajton një temë sociale, është komerciale dhe do të jetë padyshim më e pëlqyera dhe më e klikuara e “Kënga Magjike”, pra hit-i i vitit.
“Më fal” kënga që ti ja dedikon të dashurës në fshehtësi prej tre vitesh. Për çfarë i kërkon të të falë?
Të gjitha fjalët janë të vërteta. Edhe momenti kur i them se kush ia bën fotot, kur ajo është duke fjetur janë ndodhi reale nga lidhja jonë… Ia kushtoj këto vargje asaj, sepse pas një periudhe që je në një lidhje dashurie vjen momenti që duhet të vendosësh disa pika mbi I në marrëdhënien e dashurisë, sepse përndryshe i bie që nuk je serioz dhe dhe po tallesh me atë vajzë. Unë ndërkohë që po projektoj të ardhmen time me Keisin, realizova këngën “Më fal” me vargje që më dalin nga shpirti duke i kërkuar të më falë, edhe pse s’jam për t’u falur aspak….
Pse thua që s’je për t’u falur, do të thuash që ti je djali i keq si të gjithë reperat apo je ndryshe fare për të?
Jo, përkundrazi. Unë e kam shpirtin aq të mirë sa nuk mund të imagjinohet. Por vetë jeta e artistit që unë bëj, jeta e natës mund ta bëjë të dashurën time të zemrës të mërzitet, pasi thjesht asaj mund t’i duket ndryshe nga ç’është e vërteta. Ajo është shumë xheloze, dhe me të drejtë…
Po si nisi historia jote e dashurisë me Keisin?
Nisi tre vite më parë, kur si i pari i lagjes që jam më kërkoi nëna e Keisit që të kujdesesha për të bijën, pra ta mbroja nga ngacmimet e djemve të tjerë. Unë të them të drejtën e kisha parë në lagje dhe herën e parë që e ftova në kafe, isha në tavolinë me dy shokë. Pasi piu kafen, u çua para nesh nga tavolina dhe në atë moment unë u thashë shokëve: “Shikoni a do e kthejë kokën nga unë, se unë nuk do e kthej”. “Po”, më thanë ata, “e kthehu, shikoje dhe ti!”. Unë nuk e pashë, sepse e dija që pas kafes do të ishte ajo që do më shkruante e para. Dhe ashtu ndodhi. Keisi më shkroi në Instagram, ku më falenderoi për kafen dhe respektin që i kisha dhënë në tavolinë. Më pas lamë një tjetër takim të nesërmen, dhe kështu nisi gjithçka.
Je shprehur se nuk ke marrë ende miratimin e prindërve të saj. Mendon se mund të ndikojnë ata për ta prishur këtë lidhje?
Me babain e Keisit takohem, ndërsa me nënën tashmë nuk kam komunikim. Këtë muaj prindërit e saj ndodhen në Kanada tek Keisi, dhe pres me padurim se çfarë do të kenë biseduar sa i takon lidhjes sonë… Gjithsesi asgjë dhe askush nuk e frenon Keisin në marrdhënien me mua. Nëse s’do të ketë rrugë tjetër atëherë unë do e rrëmbej, ashtu si im atë rrëmbeu nënën time shumë vite më parë.
Fakti që është xheloze siç e the më sipër, do të thotë që të kontrollon në çdo moment?
Po dhe kërkesa e saj e momentit është:” Të lutem vetëm telefonin mos fik!”, pasi ne edhe pse në distancë fizike (duke qenë se ajo ndjek studimet në Kanada), jemi gjithë kohën në komunikim me njëri-tjetrin 24 orë në 24. Për momentin e kontrollojmë njëri-tjetrin me (GPS), me të cilin jemi lidhur nga smartphone-t tanë, dhe shohim çdo lëvizje tonën, pra ku shkojmë e çfarë bëjmë. Ishte ideja e saj për të instaluar GPS-in në celularët tanë, dhe unë e pranova pa problem.
Ndjen ndonjëherë se të lodh xhelozia e saj?
Jo, nuk më lodh aspak pasi unë jam talent, dhe si i tillë dua në krah personin e zgjuar që të ngacmojë natyrën time të shkathët, dhe jo një person që unë ta tërheq unë për hunde. E theksoj që zgjuarsia e asaj vajze më mahnit. Mënyra si mendon dhe vepron më çudit, sepse ajo logjikon gjëra që nuk i ka jetuar kurrë, sepse siç e thashë është vetëm 21 vjeçe.
Pavarësisht dyshimeve të saj, e vërteta si qëndron. E ke tradhtuar ndonjëherë në këto tre vjet?
Jo, nuk e kam tradhtuar. Unë tashmë jam 31 vjeç dhe në gjithë këto vite të rinisë dhe pjekurisë sime si mashkull, i kalova të gjitha çfarë duhet të kaloja. Tani po jetoj dashurinë e vërtetë…
Ti je 10 vjet më i madh se Keisi. Ndodh që ajo të mëson ty gjëra nga jeta?
Jo, vetëm unë i mësoj asaj, pasi ajo s’ka çfarë më mëson fare mua.
Po ti për çfarë e këshillon, duke qenë se jetoni lidhjen në distancë?
Unë e këshilloj si të sillet, për çfarë duhet të ketë kujdes dhe mbi të gjitha të mësojë fjalën “sinqeritet”, pra dhe si të sillet në marrëdhënie me njerëzit në mënyrë të sinqertë. Mendoj që është në rrugën e duhur.
Nëse të pyesin për Keisin, si mund ta përshkruash atë?
Është një vajzë me shije në veshje, e mirë, e bukur dhe shumë, shumë femër. Por mbi të gjitha është e zgjuar, mjaft e matur aq sa më duket sikur ka pjekurinë e 35 vjeçares kur bisedoj me të. Ajo nuk e ka kaluar atë jetë për të cilën flet, dhe vërtet e them me bindje që është shumë “e frikshme” me zgjuarsinë që shoh tek ajo.
Ti deklaron se jeni fejuar në fshehtësi, por ti s’mban unazë?
Sepse si të gjithë çiftet moderne, kur fejohen unazën e mban partnerja. Kur të martohemi do të kemi të dy unaza, dhe do të jemi kompakt me njëri-tjetrin.
Dhe meqë ra fjala kur do të martoheni?
Ne e kemi bërë planin tonë të ceremonisë së dasmës që do të jetë totalisht private dhe jashtë Shqipërisë. E kemi menduar ta organizojmë në Greqi, pasi është dëshira e Keisit që ta organizojmë ceremoninë e martesës në ishullin Santorini. Do të jetë dasmë super moderne dhe në planin tonë është vera e 2019-ës.
Përveç familjarëve do të ftosh kolegë nga muzika?
Të vetmit që do të marrin ftesë nga unë për dasmën time janë çifti Getoari Selim dhe Marina Vjollca. Kam rezervuar që tani ftesë për ta, pasi unë isha i vetmi reper nga Shqipëria në dasmën e tyre, ku më kishin nderuar më tavolinën më të mirë pranë tyre. Kështu që vetëm ata e meritojnë respektin tim.
Të tremb martesa duke pasur parasysh që ti bën një jetë në lëvizje si artist me shpirt të lirë?
Jo, aspak nuk më tremb martesa! Po punoj shumë në muzikë këto vite që kur të martohem të kem realizuar disa projekte.
Për fëmijë bëni plane?
Fëmijët i planifikojmë pas martese, si një çift tradicional.
Ku do e ndërtoni jetën tuaj në Shqipëri apo jashtë?
Keisi është me pasaportë kanadeze, por ne kemi dëshirë të jetojmë në ndonjë vend të Europës, ose në Australi.
E ke marrë miratimin e nënës tënde për vajzën me të cilën ke vendosur të ndash jetën?
Po, nëna ime e pëlqen shumë, shumë. Ndërkohë Keisi është shumë e lidhur me gjyshin nga ana e nënë sime. Ndaj mezi po presim të bëjmë dasmën që të gëzojnë dhe gjyshërit.
Je gati që t’i premtosh Keisit në altar besnikëri të përjetshme?
Po, i premtoj besnikëri të përjetshme pasi jam një djalë me këmbë në tokë.
Dikush mund të çuditet pse Stresi do martohet me një vajzë të thjeshtë, pra jo pjesë e showbiz-it. Çfarë përgjigje do i jepje?
Në fakt kam qenë në lidhje me femra të njohura, por nuk më pëlqejnë aspak. Për djem si puna ime me karakter të fortë, dhe që vijnë nga familje e mirë ua këshilloj të mos kenë të bëjnë me vajza të botës se televizionit sepse nuk është mirë! Jeta me femra të njohura s’është veçse një jetë e shthurur, ndaj mendoj se unë jam njeriu më me fat që kam gjetur njeriun më të thjeshtë ta kem në krah.
Mendon ndonjëherë që Keisi mund të dominojë lidhjen tuaj në çift?
Me maturinë e personalitetin që ka më duket sikur do të bëhet ajo burri i shpisë (qesh)… Por s’do ia lejoj këtë gjë pavarësisht se e dua, sepse për asnjë lloj arsye, s’lejoj në jetë të më kalojnë situatat nga duart.
Ti ke vuajtur ndonjëherë për ndonjë vajzë, dhe si është të vuash nga dashuria?
Jo, ende.
Po të dashurën e ke parë të lotojë deri tani nga dashuria për ty?
Shumë here, ka qarë shumë herë në gjoksin tim.
E dashura jote është brune. Mund të ishte dhe bionde?
Jo, pasi s’më kanë pëlqyer asnjëherë biondet…
Ke zbuluar ndonjë talent tek Keisi, me të cilin të ka impresionuar?
Vizatimi dhe piktura. Më ka bërë disa portrete deri tani, rreth 10 dhe i ka realizuar vërtet shumë bukur.
Kaloni shumë kohë duke parë filma, dhe cili filmi që i ngjason historisë suaj të dashurisë?
Shohim shumë filma. Veten si çift e gjejmë Leonardo DiCaprio (Jack Dawson) dhe Kate Winslet (Rose DeWitt Bukater) tek “Titaniku”, film që e kemi për zemër pasi e shohim shpesh.
Arratiseni shpesh si çift dhe ku?
Udhëtojmë shpesh në vende të ndryshme të botës, dhe shumë prej udhëtimeve mund t’i quajmë arratisje pasi askush s’ka qenë në dijeni.
Për të mbajtur trupin në formë, është palestra pjesë e rutinës suaj?
Unë, patjetër po. Ndërsa e Keisin nuk e kam lejuar unë të shkojë pasi e ka trupin shumë në formë. Asaj i mjaftojnë shëtitjet në ajër të pastër.
Disa vargje të këngës i këngës “Më fal” i ke kënduar në gjuhën frënge. E ke bërë për t’i fituar më shumë zemrën?
Të them të vërtetën ajo s’më kishte treguar farë që fliste frëngjisht, por më vonë mësova që e fliste perfekt kët gjuhë. Ajo më surprizon gjithmonë si një vajzë speciale që është.
Marrëzia më e madhe që keni bërë si çift?
Që kemi bashkëjetuar 2-3 muaj në shtëpinë time në Tiranë pa dijeninë e njerëzve të tjerë, dhe më pas arratisja jonë në kullën e familjes në Tropojë, kur unë isha në kërkim nga policia.
Sakrifica që ka bërë ajo për ty deri tani?
Kjo që thashë më sipër, që kur isha në kërkim nga policia ajo më shoqëroi më Kullën e familjes në Tropojë, ku qëndruam atje për tre javë.
Tani që e gjete dashurinë, je i bindur që mund të rrish vetëm me një femër gjithë jetën?
Po mund të rri. Kur isha në kërkim isha më i ri. Tani që i kam provuar të gjitha di çfarë dua, dhe vlerësoj çfarë kam.
Jooo. Kam kaluar gjithçka dhe s’kam asnjëprej tyre në mendje. Ndërkohë kam studiur femra të tjera gjatë atyre viteve dhe kam kuptuar se s’ia ka vlejtur fare të kesh eksperienca kalimtare në jetë. Plus që një femër duron shumë, por vjen ai momenti që ikën përgjithmonë dhe ti e humbet atë.
Stresi: Për Keisin, mund të heq dorë që sot nga muzika
Je person që zgjohesh herët, apo vonë?
Unë zgjohem në 06:00 të mëngjesit, nëse nuk kam pasur koncert një natë para. Zakonisht fle 4-5 orë gjumë, pasi kaq orë janë ideale për të qenë në formë.
Ti i këndon këngët për kënaqësinë tënde apo të publikut?
Unë bëj këngë ku të gjithë gjejnë veten.
Sa kohë të duhet për regjistruar një këngë në studio?
10 minuta për një këngë. E kam dhunti nga Zoti.
Cilin reper shqiptar dëgjon me qejf?
Asnjë reper shqiptar s’dëgjoj.
Kush është personi që të frymëzon si artist?
Arkimedi.
Mund të heqësh dorë nga muzika për hir të dashurisë?
Muzikën mund ta lë që sot për Keisin, s’e kam problem fare!
Keisi nga çfarë mund të heqë dorë për ty?
Nga gjithçka.