EKSKLUZIVE/ Shefi i kuzhinës, Beni Tenolli rrëfen 35 vite karrierë: Darka ime private me 13 VIP-a specialë, ja pjatat e personalizuara për Lori Hoxhën, Luiz Ejllin, Fatos Nanon, etj…
Nga Klotilda Harka
Ai është mjeshtër i gastronomisë, që celebron 35 vite karrierë si shefi i kuzhinës më me emër në Shqipëri. Beni Tenolli, e konsideron veten artist në punën e tij, art që e dëshmon me shije më shumë sesa me fjalë, dhe kjo është arsyeja pse i mungon ekranit, me emisionin e tij të gatimit në televizionet shqiptare. E si eksperti apo profesori, që jep vlerësimet profesioniste për çfarë sheh rreth artit të kuzhinës sot në Shqipëri, Beni në këtë intervistë ekskluzive për revistën “Story”, thotë se, “shqiptarët kanë udhëtuar edhe pak në kohë dhe si pasojë, kanë zëvendësuar Japrakun me Sushin, dhe Mishin në hell me Tomahock”. Për artin e kuzhinës sot, emisionet e gatimit që janë kthyer në treg, autorët e librave të gatimit, dhe “darkën e fundit” imagjinare me 13 VIP-a shqiptarë, i flet në këtë intervistë ndryshe. Sipas stilit “Alla Chef Ben”, darka e fundit do të kishte 13 personazhe VIP, të cilët do të ishin: Olti Curri, Arbana Osmani, Eli Fara, Rozana Radi, Erion Veliaj, Ardit Gjebrea, Dhurata Thanasi, Fatos Nano, Monika Kryemadhi, Edi Rama, Lori Hoxha, Aurela Gace, Luiz Ejli.
Një shef kuzhine si ty, me karrierë të gjatë në metropolin e Tiranës dhe jo vetëm. Pse u mungon trendy-t të emisioneve të gatimit në televizione?
Një kirurg i mirë, operon nuk flet, një shef i mirë, krijon, nuk duket… Unë jam artist në punën time dhe këtë e tregoj me shije jo me fjalë, pa paragjykuar punën e askujt prej shefave që zgjedhin si mënyrë reklamimi televizionin, thjesht kjo është qasje personale. Angazhimi im në gastronomi zë një hapësirë të madhe të kohës time, në krijim dhe në evoluimin e recetave shqiptare, gjë e cila më frymëzon. Mungesa ime në emisionet e gatimit në televizione, ka ndodhur jo vetëm për shkak të angazhimeve profesionale si pedagog, konsulent menaxher tek Terminali Jug-Lindor, Ambasador Foof ëay por sikurse e thashë më sipër dhe si një zgjedhje personale. E në fakt kjo më bën të ndihem pak në faj, pasi përmes televizionit dijet shpërndahen dhe në një publik më të gjerë, dhe që këto njohuri mund ti nevojiten, por deri më tani kam zgjedhur ti ndaj dijet e mia me studentët dhe kolegët e mi. Mbase në një të ardhme duhet ta mendoj si kurrë më parë që të jem prezent në ndonjë ekran, për t’i ardhur në ndihmë amvisave tona të shkëlqyera.
Me syrin e profesionistit, çfarë të duket se s’shkon në këto programe dhe ti ç’do bëje ndryshe?
Këto programe nuk kanë asgjë të keqe, edhe pse unë s’e kam menduar më parë të jem pjesë e tyre, por për mendimin tim, recetat që bëhen në ekrane duhet t’i dedikohen target-it dhe buxhetit të familjeve normale shqiptare. Po ashtu duhet të tregohet dhe standardi i ushqimeve, që përdorim dhe pasi shikuesit të njihen dhe të vlerësojnë produktet, mund të arrijnë të bëjnë dhe vetë receta me teknikë më të ndërlikuar.
A është një shef kuzhine në Shqipëri apo botë, që mendon se është më i miri?
Ne kemi shumë shefa të mirë kuzhine për të qenë të sinqertë. Por unë do të veçoja, Chef Rene Redzepi, shqiptar i Maqedonisë së Veriut, i cili sipas mendimit tim qëndron gjithmonë shumë pranë natyrës dhe është në kërkim të produkteve të mbledhura me dorë, dhe jo te industrializuara, si dhe fans i fermentimit të tyre (që janë turshitë). Ndërsa në botë do të zgjidhja Chef Massimo Bottura, pasi ai është një shef që frymëzohet shumë nga arti dhe është gjithmonë në kërkim te shijeve te reja dhe kthimin e këtyre shijeve në vepra arti.
Arti i kuzhinës si koncept, ku çalon sot dhe ku shkëlqen?
Kuzhina sot e ka humbur paksa misionin e saj fisnik dhe hyjnor, pra të përgatisë ushqim si një nga nevojat kryesore të njeriut në tokë, ndërsa është kthyer në një industri e cila përcakton dhe statusin tënd në shoqëri. Kjo pasi shumë produkte si mishi ashtu dhe peshku tani po serviren në mënyra nga më të ndryshmet, tip gourmet sigurisht më shtrenjtë se norma, duke harruar kështu historinë që kuzhina e “varfër” ka shpëtuar njerëzimin në kohë të vështira. Shqiptarët kanë udhëtuar edhe “pak në kohë” dhe si pasojë, kanë zëvendësuar Japrakun me Sushin, dhe Mishin në hell me Tomahock.
Ndërkohë shohim autorë që publikojnë libra kuzhine me receta gatimi. Ç’mendim ke për ata, që marrin guximin të krijojnë recetat e tyre?
Unë jam një njeri, që i kam kushtuar pjesën më të madhe të jesës time librit të kuzhinës. Një nga gjërat kryesore në jetë, është që dijet të trashëgohen, dhe vështirësitë e mia në rrugëtimin tim të mos i hasin brezat pasardhës. Nëse bëjmë një krahasim të literaturës së vitit 2023, me atë paraardhëse mungon sinqeriteti, për arsye biznesi ose ego. Kjo, për të mos treguar gjithçka. Me kohën ky informacion i ndryshuar po e ndryshon kuzhinën. Ndaj mendoj se duhet te jemi sa më të vërtetë duke mposhtur egon dhe për të mos pasur frikë në humbjen e vendit në renditje. Por duhet të jemi të lumtur që të lëmë shenjën tonë në artin e gastronomisë.
Të ka ndodhur të kesh klientë të famshëm, dhe cilët do t’i veçoje si persona të dashuruar me ushqimin dhe që kane shije në porosinë që bëjnë?
Po sigurisht. Me eksperiencën time 35-vjeçare në gastronomi kam pasur dhe klientë VIP, politikanë, biznesmenë, nga ata që dinë të hanë mirë apo dhe ato me shije “të vjetra”, por tryeza dhe shtrati nuk tregohen… (qesh).
Një tavolinë e shëndetshme për ty çfarë meny-jr përmban?
Një tavolinë e shëndetshme duhet të ketë produkte të freskëta të bahçes dhe të stinës. Dhe duhet të kemi parasysh 3 komponentë : Ushqim, pije, ambient.
Një gotë verë duhet patjetër të jetë e pranishme në tavolinë, për jetë më të shëndetshme dhe të gjatë?
“Vera” është teme delikate për t’u përmendur, por unë kam sekretin tim të ushqimit dhe të verës, pra si t’i kombinojmë. Por këtë sekret nuk do ta jap të gatshëm, kush të doje të më kontaktojë! (Qesh)
Për një çift të dashuruar, çfarë do i servirje në tavolinë që të shërbente si afrodiziak?
Do i shërbenim një verë spumante “Brut rose”, për mirëseardhje sa për t’i çliruar kuptohet. Për t’i ngacmuar me shije do e nisja, me një antipastë të fikut me proshutë dhe gorgonxolë. Pjatë të parë: Rizoto me krem spinaqi të egër, pluhur qepe dhe xhel limoni të kripur shoqëruar me verë Garganega Duchessa Allegra 2022. Për pjatë të dytë një pulë “Grisa” me krem tartufi e piper dhe verë Valpolicella Ripasso “Effimero” 2016. E që mos hanë shumë dhe “i zë buka” si themi ne, do e mbyllja me një akullore me gjethe ulliri dhe “mus manaferrash” me çokollatë e fruta të thata.
Për ty cilët janë kuzhinierët më të mirë, femrat apo meshkujt dhe pse?
Energjia në jetë nuk ka gjini, pra as femërore as mashkullore por të dyja shkojnë bashkë. Do të kisha dëshirë të shikoja në kuzhinë njerëz të pasionuar, pa gjykuar gjini, ngjyrë dhe kombësi, por se sa dëshirë kanë të shërbejnë në këtë profesion të rëndësishëm.
Personazhet e njohur, për të cilët do të kishe gatuar për “darka e fundit” private, dhe çfarë do përmbante meny-ja jote?
Sipas stilit “Alla Chef Ben”, darka e fundit me 13 personazhe do të ishte:
*Olti Curri – Karkaleca në kripë të aromatizuar.
*Arbana Osmani- Fileto qingj me ajkë qumështi.
*Eli Fara – Petanik me gjethe panxhari, djathë nape.
*Rozana Radi – Musaka scampi me kadaif.
*Erion Veliaj- Fileto rose me fiq me gorgonxola.
*Ardit Gjebrea – Supe Magjerice.
*Dhurata Thanasi –Trahana me karkaleca.
*Fatos Nano- Involtini me lepur dhe bajame.
* Monika Kryemadhi – Fileto Fazani gështenja.
*Edi Rama – Rosë e egër me oktapod.
*Lori Hoxha- Kepeleti me tartuf.
*Aurela Gace –Sallatë bregdeti.
* Luiz Ejli- Fileto krapi me qepë të karamelizuar./www.story.al