Ekskluzive/ Seldi Qalliu në prag të fejesës së dytë me këngëtaren e njohur

Gati dy vite pas ndarjes nga e ish-e fejuara Dafina Zeka, këngëtari dhe ish-lojtari i “Big Brother” Seldi Qalliu po përflitet për një lidhje dashurie me këngëtaren 32 vjeçare nga Prishtina, Mimoza Shkodrën. 30 vjeçari nga Tirana dhe deputuesja e këngës mjaft të njohur me titull “Ndarja”, janë fotografuar këtë verë bashkë në plazh, momente që dëshmojnë se ata nuk janë thjesht kolegë, por të dashur. Edhe pse ata vetë nuk kanë folur në media për këtë histori, miq të tyre kanë pohuar se tashmë Mimoza dhe Seldi po përgatiten për një ceremoni zyrtare fejese në Tiranë këtë vjeshtë, ku pritet të mbledhin personazhe të njohur VIP kryesisht artistë të muzikës. Po si nisi historia e dashurisë së dy bashkëpunëtorëve që pesë vite më parë u bënë bashkë për klipin “Pare, pare”. Në atë kohë Seldi ishte një djalë i fejuar me vajzën e gazetarit të njohur Milaim Zeka. Lidhja e tyre zgjati 5 vite dhe ishte marrëdhënie në distancë pasi Dafina jeton në Suedi. Ndërkohë dy vjet pas ndarjes Seldi kthehet në qendër të vëmendjes mediatike për statusin personal, pasi shihet shumë afër koleges Shkodra. Pushimet e përbashkëta kaluan pa asnjë koment nga dy artistët që me afrimitetin e tyre kanë dëshmuar se përfaqësojnë çiftin më të ri në shoëbiz-in shqiptar. Një reagim indirekt erdhi para pak javësh nga vetë këngëtarja. Përmes një fotoje ku shfaqej e vetme në pushime, Shkodra shkruante: “Pushime të mbara për të gjithë ju!. Nuk vonoi një “like” nga vetë Seldi, i cili mbase ishte dhe autori i kësaj shkrepjeje, sipas mediave të Kosovës.

Mimoza Shkodra, artistja që u këndon burrave dhe ndarjes
Është këngëtare shumë e njohur për këngët “Ndarja”, “Burrat nuk janë si ti” dhe “Pare Pare”, pikërisht dueti i para pesë viteve me Seldi Qalliun. Ajo njihet si këngëtarja që me zërin melodioz dhe pamjen misterioze u këndon burrave që zgënjejnë dhe ndarjes së dhimbshme në dashuri. Në vitin 2011 Mimoza publikoi këngën “Ndarja”, me famshmja në karrierën e saj me të cilën ka arritur sukses të madh. Gjatë verës së vitit 2012, artistja simpatike bashkëpunoi me këngëtarin Seldi Qalliu për këngën “Pare Pare”, me të cilën arritën sukses të madh. Ky bashkëpunim u bë shkak që ata më pas t’i merrnin ftesat çift, për të kënduar në koncerte apo club-e në vende të ndryshme të botës.