EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Timo Fllokos: Si e njoha Bekim Fehmiun dhe pse ia refuzuan rolin aq të dëshiruar të Skënderbeut
NGA TIMO FLLOKO
Los Anxhelesi është thuajse në anën tjetër të botës, nëntë orë larg Shqipërisë dhe Kosovës, kur lind dielli këtu atje në Kaliforni perëndon. Mëngjesi i asaj të marte (të këqijat shpesh sipas një fiksimi bestyt, ngjasin të martave..), ishte i mugët, kishte diçka brerëse në heshtjen e zbrazët dhe ngathtësinë e asaj fillimdite…(!) Hapa internetin. … O Zot! Mora ç’pritej dhe më keq: “Bekim Fehmiu passed away!”
Lajm i papritur, tronditës! “Aktori i famshëm Bekim Fehmiu (74) kryen vetëvrasje, ditën e martë datë 15 qershor 2010, rreth orës 15:30 në apartamentin e tij, në rrugën ‘Stanislav Smarçeviç’ nr.5, në lagjen ‘Zvezdara’, në Beograd – shkruhej në njoftim. I ka shtënë vetes me pistoletë… cili është shkaku, që e shtyu heroin e famshëm të filmit kult “Mbledhësi i puplave” të kryente vetëvrasje, për momentin nuk dihet.. kishte humbur ndoshta shpresat për jetë, me përjetimin e një gjendjeje sfilitëse depresive…”.
Për fat të keq, disa herë e kisha shtyrë telefonatën me të në Beograd, të cilën një zë i brendshëm më nxiste ngulshëm t’ia bëja si çdo herë tjetër, po s’qe e thënë. Ishte si dënim për ta ndierë edhe më shumë dhembjen që më dha lajmi fatal dhe ndjesinë e fajit prej shkujdesjes time, mundësinë e humbur… Lajmet në largësi peshojnë më rëndë. Për ta ndarë dhembjen i shkrova mikut tim Mevlan Shanaj në Tiranë, me të cilin komunikonim dendur, por këtë herë biseda jonë ishte ndryshe, edhe ajo e rënduar.. Vetëvrasja tregon, folëm, se ai nuk është pajtuar me pushtetin e vdekjes dhe, si njeri me karakter të fortë, i ka bërë sfidë asaj, duke i dhënë fund jetës pa pritur që vdekja t’ia mbyllte perden.
Bekimin e kam njohur nga afër, e kisha mik, ia njihja jetën në hollësi; kam qëndruar shpesh me të, bisedonim me orë për gjithçka në kafenenë e Teatrit Dramatik Jugosllav, ku ai shkonte çdo ditë. Artist i madh, i vetmi nga krejt vendet e Lindjes para rënies së Murit të Berlinit, që u bë i famshëm përbotshëm, me mbi pesëdhjetë rolet që krijoi e luajti në Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi… Shkëlqeu në start me rolin e ciganit Boro te “Mbledhësi i puplave”, me të cilin u bë i njohur nga kineastët perëndimorë dhe publiku gjithandej. U nominua për çmimin “Palma e Artë” për aktorin më të mirë në Festivalin e Kanës por ia rrëmbyen nga duart në çastet e fundit, pa u kuptuar se si dhe pse..(?!)
Pas suksesit në Kanë, atij iu besua Odiseu, heroi i Homerit, rol me të cilin fama e tij u përhap rrufeshëm mbi glob. Luajti në filma me Xhon Hjuston, Ava Gardner, Irenë Papas, Klaudia Kardinale dhe me shumë yje të tjerë të kinemasë botërore. Rrallë të gjëndej një yll me staturën, pamjen, hijeshinë dhe me shkëlqimin prej ylli në kinema si Bekim Fehmiu. Në pamje, model i mashkullit mesdhetar, i gjallë dhe ekspresiv, me temperament shpërthyes (sillni në kujtesë për një çast, zemëratën e Odiseut me rivalët e Penelopës, në episodin pas kthimit në Itakë) që e bëri aq të kërkuar nga regjisorët dhe studiot e filmave në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Si njeri kishte personalitet unik, karakter të fortë, i drejtë dhe i vendosur, shpirtmadh por i thjeshtë e i ndjeshëm në brendësi, me një intelekt të lindur, me dije e njohuri në shumë fusha, intelektual i vërtetë. Shqiptar “24 karat” për nga natyra njerëzore, krenar dhe i pakompromis për gjëra madhore, me një dinjitet të adhurueshëm. Kërkesën e producentëve të studios së famshme “Paramount Pictures”, një nga shtëpitë më të mëdha filmike të botës për ndryshimin e emrit të tij në një emër artistik, në favor të tregut Bekimi e kishte refuzuar.
Ndryshimi i emrit si efekt ndikues ndaj shijes së publikut amerikan, ka qenë ngaherë veprim i natyrshëm në studiot e Hollivudit, që nga ikona e bukurisë dhe e famës Merilyn Monroe, e lindur si Norma Jeane në 1 qershor 1926 (dhjetë vite përpara, në të njëjtën ditë me Bekimin edhe ajo me një vdekje tragjike). “Jo”, kishte thënë Bekimi, “emrit tim s’mund t’i hiqni asnjë shkronjë, përndryshe unë nuk luaj në film!” Dhe i kishte mundur producentët e “Paramount”-it. Ikja e tij e pazakontë s’mund të shpjegohet rëndom në mënyrë superficiale dhe as të hamendësohet pa kuptuar rrethanat dhe motivet personale, njerëzore dhe psikike njëherazi, të cilat në rastin më të natyrshëm kërkojnë empati.
Vitet rendin. Për herë të parë e kam takuar kur erdhi në Shqipëri, në fillim të viteve ’70-të, në kulmin e famës, pas rolit të Uliksit. Si çdo artist i ri, e kisha ëndërr t’i afrohesha e të bisedoja me të për pak çaste, të njihesha, t’i shtrëngoja dorën e ta përqafoja…Te Bekimi ne shihnim mundësinë e një ëndrre të trupëzuar në një person, i cili ishte jo veç një yll, por një simbol e shembull ideal, të cilit, lusnim fatin t’i ngjanim, qoftë në fantazi..! Kishim ëndrra por pak shpresë për t’u bërë dikushi këtej asaj bote të largët e të lirë, me të cilën na ndante një det dhe gardhi i kufirit me tela me gjemba. Bekimin, si vëlla të një gjaku, e ndienim tonin, jo të huaj por të afërt, model të ëndrrës e jo vetëm… Ai vinte si nga qielli, simbol i madhështisë dhe i lirisë njëhershëm, një Odise special për artistët shqiptarë. E takova në bulevardin e madh, me kërkesën e tij për të më njohur (!), pasi për çudinë time, kishte parë një kinonovelë të regjisorit Pirro Milkani, “Meço”, ku unë luaja rolin kryesor. E takuam së bashku me Verën,- ishim në dashuri atëherë – vinte i shoqëruar nga disa personalitete, regjisorë, kineastë dhe ndonjë aktor… Disa hapa drejt meje, si për befasi më thirri me emrin e plotë: “Timotheo! Ta kam pa filmin, përgëzime për lojën moderne”.
U afrua, u përqafuam, ai vijoi: “Kam një mik, Omar Sherif, e njeh..?”. Po, i thashë. “Asht artist ma i madh se unë por lojën tande do e kishte pas zili. Duhet të eskortohesh, provën e ke krye në Shqipni..!” Sigurisht, ishte një kompliment i skajshëm i cili, në fakt, edhe pse bëri përshtypje e u përhap si lajm (u shkrua dhe në gazeta për të) unë nuk e mora si të vërtetë sepse s’mund të ishte i tillë, veçse një inkurajim i paimagjinueshëm për të dhënë një mesazh, atë të hapjes së kufijve për artistët për të krijuar në arenën e botës së lirë. Ai, mendova, si artist i madh, duke u dhënë kredibilitet e zemër artistëve të rinj kërkon që të ndikojë tërthorazi te institucionet e artit mesazhin për një liri krijuese për artistët, me një qëndrim kundërvënes ndaj mbylljes dhe izolimit të artistëve brenda një sistemi me liri të kufizuar, të rëndomtë e dogmatik, atë të socrealizmit.
Ai e njihte mirë realitetin e errët të sistemit të Lindjes, të cilin e gjeti ku e ku më të tmerrshëm në Shqipërinë komuniste në ato vite. Pas një shfaqjeje të versionit kinematografik të filmit serial televiziv “Odiseu”, në një intervistë që dha pas filmit, shprehu dëshirën që të luante Skënderbeun, gjë që s’u bë kurrë realitet. Ishte 36 vjeç atëherë, shtatlartë e i hijshëm, një model i përsosur në çdo kuptim për heroin kombëtar. Por gjërat e mëdha s’mund t’i paracaktosh edhe pse i ëndërron, ato ndodhin rrallë ose s’ndodhin, por kur ndodhin ndodh mrekullia. Në vitin 1991 shkova për herë të parë në Kosovë. Nga takimi me Bekimin në Tiranë kishin kaluar njëzet vite. Çdo verë ai shkonte te vëllai dhe motra në Prishtinë, aty edhe e kalonte verën, në Beograd dimëronte. Karrierën artistike në ish Jugosllavi e kishte mbyllur për arsye politike qysh më 1987.
U takuam pas vitesh dhe ai kujtoi mallshëm rrugëtimin e tij të parë në Shqipëri, episodet e çmuara të asaj vizite. Hapjen më së fundi të Shqipërisë drejt perëndimit, e konsideronte fat edhe për Kosovën. Atë ditë shkuam me të në rrethinat e Prishtinës, së bashku me Arbër Xhaferin, poetin Eqrem Basha, gjuhëtarin Rexhep lsmajli me bashkëshortet e tyre, te shtëpia e skulptorit të shquar të Kosovës Agim Çavdarbasha (shtëpi që u dogj e u bë shkrumb në kohën e luftës nga ushtria e Milosheviçit). Ishte një ditë e jashtëzakonshme, e ngrohtë dhe e gëzueshme, me biseda interesante e plot humor, e shoqëruar me një “fli” kosovare, e cila na shijoi por mbi të gjitha na bëri të ndihemi ashtu, të ulur përreth tryezës së toku, si në një “sofër” zemre. Aty folëm edhe për projektin e lënë të Skënderbeut. Bekimi ishte 52 vjeç dhe e kishte kapërcyer moshën rinore.
Sapo u ktheva nga vizita në Kosovë, shkruajta përshtypjet e atij takimi mbresëlënës në revistën për kinemanë, në një shkrim të titulluar “Skënderbeu i pafan”, (titull i huazuar prej De Radës), në të cilin flisja veç atyre çasteve të haresë mes miqsh edhe vëllezërish edhe për “zhgënjimin” e Skënderbeut, mosrealizimin e ëndrrës së Bekim Fehmiut dhe të të gjithë shqiptarëve për një hero të dimensionit të tij! Filmi mbeti një ëndërr në sirtar për arsye të njohura mes dy vendeve në armiqësi. Me Bekimin flisnim me orë të gjata për çështje të ndryshme, jo vetëm për aktrimin, i cili ishte veçse një temë e bisedave por, ndoshta, jo më i rëndësishmi.
Dijet e tij ishin të gjëra, në art e letërsi, arkitekturë, histori; ai e njihte në thellësi shpirtin e kombit të vet. Shquhej për një kujtesë të jashtëzakonshme, aftësinë për të mbajtur mend emra e data, detaje e çdo gjë deri në hollësi. Kur fliste për politikë ishte i matur dhe objektiv, jo i njëanshëm e konjuktural, në çdo rast parimor e intransigjent për çështje të mëdha të kombit. Më tregoi se si i kishte dhënë fund karrierës artistike në ish Jugosllavi, në vitin 1987, me anë të një deklarate verbale përpara publikut, se s’do të luante më në skenë asnjëherë pas asaj nate të fundit të shfaqjes së “Madame Kolontaj”, në Teatrin Dramatik Jugosllav, në shenjë proteste ndaj politikës serbe në Kosovë.
Që nga ajo natë e fundit e shfaqjes ku luante dy personazhe, Leninin dhe Stalinin, ai nuk doli më në skenë dhe po ashtu, nuk xhiroi asnjë film në Serbi, vetëm në Angli, Itali, në Azi. Roli i tij i fundit në film ishte ai i Jozefit, te “Fëmija me emrin Jezus”, një produksion i televizionit italian. Po… Një rol shqiptar? Personazh që të flasë shqip? Vetëm një rol simbolik në një film të Kosova-Film? Vetëm aq?! Të ketë ndonjë mister (?), mund të hamendet? Gjuha? Jo. Bekimi fliste një shqipe të pasur, krahinore por të veçantë e plot ngjyrim në tingëllim, që e hijeshonte dhe zëri i tij i thellë prej baritoni; fliste rrjedhshëm e pa gabime, huazimet nga gjuhë të tjera, nuk i qaste kurrë. Ishte xheloz, në përshtypjen time, fanatik për gjuhën…
Librin e parë, të autobiografisë së vet, të titulluar “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm” që u bë bestseller në ish Jugosllavi, e ka shkruar në shqip dhe në sërbokroatisht. Kalibri i tij artistik, kryesisht angazhimi në projekte ndërkombëtare, ia ngushtuan mundësinë për të luajtur personazhe shqiptarë, në filma të produksionit të “Kosova Film”. E vërteta është se ai pranoi në një-dy raste edhe oferta me teatrin dhe filmin në Kosovë, por ato, siç flitej, nuk u realizuan për arsye të mosorganizimit të punës, sipas kërkesës e disiplinës artistike jo për faj të tij. Në marrëdhënie krijuese ai ishte pedant.
Përpjekje pati edhe nga regjisorë shqiptarë si Kujtim Çashku për ta afruar, si te filmi “Kolonel bunker” për rolin e Kolonelit, por as aty nuk u finalizuan dëshirat e ndërsjella për arsye të ndryshme, çështje skenari kryesisht edhe, ndoshta, se Bekimi ishte “i vështirë” për t’i hyrë një roli nëse gjithçka nuk ishte në nivelin që ai vetë kërkonte… pak nga pedantizmi por, mbase edhe nga droja e provës së herës së parë në një rol në shqip..! Ku ta dish…(?!)
Gjithsesi, e kishte peng deri në një ndjesi “faji” atë, që s’kishte vënë vulë si aktor, qoftë edhe në një personazh shqipfolës; zhgënjimi i Skënderbeut ia kishte lënë atë vragë krijuese. Në Kosovë, ka pasur ndonjëherë një qëndrim të ftohtë ndaj Bekimit, që nuk interpretoi personazhe shqiptarë në kinema dhe në teatër. Në raste të veçantë, ka pasur qëndrime tendencioze e përjashtuese ndaj figurës së tij si artist i madh, sa nga pezmi te një pjese adhuruesish për këtë gjë dhe nga ekstremizmi e nacionalizmi i tepruar i disa të tjerëve.
Ndodhi e pandodhshmja, Parlamenti i Kosovës nuk e mbajti minutën e heshtjes për ndarjen e tij nga jeta! E rëndë, e trishtë. Sekush ka gjykimin e vet. Bekimi i dha famë artistit me gjak shqiptar ashtu si vëllezërit Belushi, jashtë trojeve shqiptare… kjo famë vlen më tepër se mungesa e saj. Bekimi fliste me dashuri e vlerësim për kolegët, për aktorë të huaj e veçmas shqiptarë. Për Faruk Begollin, pa dyshim, sepse ata të dy bënin një binom dominues në kinemanë jugosllave në vitet ’60-’70, 80. Ai kishte vlerësim të veçantë për Enver Petrovcin, si një aktor, (siç më është shprehur) i cili ua kishte kaluar (për sa kohë luajti) aktorëve më të mirë të teatrove të Beogradit.
I çmonte dhe aktorët shqiptarë në ato pak filma që i kishte parë, për profesionalitetin krijues, mbi komponentët e tjerë të filmit… madje i njihte edhe me emra si, Ndrekë Lucën, Sandër Prosin, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Rikard Ljarjan, Llazi Sërbon e ndonjë tjetër… edhe pse disa prej tyre s’i kishte takuar e s’i takoi asnjëherë E mbaj mend si sot se si u entuziazmua nga loja e Agim Qirjaqit tek “Ylli pa emër”, në skenën e Akademisë së Arteve, në ardhjen e tij të parë. Si një profesionist, Bekimi çmonte realizmin në film, në regjisurë dhe veçmas në lojën aktoriale, ai e quante të papranueshëm patetizmin në shprehjen e emocioneve, të cilin kinematografia jonë asokohe e kishte si rudiment nga teatri dhe nga fakti se ishte art i ri, profesionalisht ende i paemancipuar e jo vetëm. Një nga filmat pas viteve ’90-të që kishte parë, “Parullat” e pëlqente dhe fliste me vlerësim për të. Bekimi më foli njëherë për Rade Sherbexhian, aktorin kroat, që e kishte mik të afërt dhe për karrierën e Rades në Shtetet e Bashkuara, nëpër rolet e spikatur.
Sherbexhia, sigurisht, nuk e kaloi famën Bekim Fehmiut në perëndim. Pasi luajti në filmin “Before the Rain”, (fitues i Oscar-it për filmin në gjuhë të huaj atë edicion), e pyeta Bekimin nëse kishte ndonjë peng për rolin që i ishte propozuar nga regjisori dhe nuk e luajti, por e luajti në film Sherbexhia, Bekimi u shpreh në superlativë, sa më çuditi kur më tha se nuk do ta kishte luajtur kurrë më mirë se Sherbexhia atë personazh. Të dy të mëdhenjtë kishin një miqësi e vlerësim të madh ndaj njëri-tjetrit. Pas ikjes së Bekimit, Sherbexhia, i cili njihet edhe si këngëtar e muzikant, kompozoi një baladë kushtuar mikut të tij të paharruar, të titulluar: “Pjesma za Bekima”, të cilën e këndoi. Ky është teksti i shkruar prej tij:
KËNGË PËR BEKIMIN
Deshe njerëzit t’i bëje më të mirë dhe shuaje prushin në pëllëmbë, krejt çka mundje t’u thuaje në heshtje u dogj në një ditë.
Më pas këndove për ta, më pas loze për ta edhe shpirtrat e lënduar ua qetësoje, derisa nuk e vranë shokun tënd dhe të parët i vunë flakën qytetit.
Hej Boro, i bardhi Boro, U tretën ditët tona. Hej Boro, i bardhi Boro, u zhduk gjithçka si bora e vjetme. Ku nuk pata vëllezër, ti ishe vëllai im, në këngën time sot edhe heshtja jote këndon.
Një kohë e largët, e re, shpirtrat e lënduar na i ushqen. Ti po shkon, e unë mbeta ta paguaj borxhin në kafene.
*(Shqipëruar nga Çlirim Lazaj)
Në vitin 2004, ai erdhi si i ftuar nderi në edicionin e spektaklit “Dua më shumë Shqipërinë”. Disa herë i kishte refuzuar ofertat për president jurie në festivale teatri e filmi në Shqipëri. Në Kosovë, zor të ketë ndonjë dalje në mediat publike. E prita në Han të Hotit.
Vinte së bashku me të shoqen, Branka Petriç, aktore (kroate nga i ati), me të cilën e kaloi gjithë jetën; kishin dy djem, Uliksin (me emrin e heroit që i dha famë dhe lindi fill në atë kohë), aktor me talent edhe Uliksi, i cili e la ish-Jugosllavinë qysh në trazirat e fillimit dhe u vendos në Nju Jork, ku banon edhe sot, me Snezhanën, aktore e njohur, me origjinë nga Bosnja. Kanë një vajzë, Nika, e cila jeton në Los Anxheles dhe merret me artin e filmit, me shkrime e skenarë e filmime, të cilën Bekimi e la të vogël dhe e kishte dobësi… Edhe Hedoni, djali i dytë, jeton në SHBA. Ato ditë të ardhjes së Bekimit pas 30 vitesh në Shqipëri, mbeten të paharrueshme.
Takime, intervista, shëtitje, vizita në muze etj., dhe në fund spektakli. I emocionuar, teksa ngjitet në skenë, shtatlartë dhe elegant, me zërin e thellë e të bukur përshëndet me thjeshtësi solemne publikun e sallës, të ngritur për nder të artistit në këmbë. Pas duartrokitjesh të gjata e thirrjesh plot zjarr, Bekimi i drejtohet publikut me fjalët: “Përse ngriheni në këmbë, pse më nderoni, unë nuk e meritoj, nuk kam bërë asgjë për ju!” Dhe nis e reciton vargjet e Nolit, Himni i Flamurit. Në provat e mëngjesit, para natës së spektaklit ndodhi një episod i pabesueshëm: Bekimi papritur reciton prej kreut në fund krejt poemin “Korbi”, të Edgar Allan Poe-s, shqipëruar nga Fan Noli. Befasi për ata që u ndodhën në sallë dhe fat që e ndoqën atë mrekulli.
Sa mbaroi vargun e fundit, i paduruar renda të pyes teknikun e zërit, nëse e kishte regjistruar? Ai më shkeli syrin në mënyrë aprovuese. Besoj se (edhe pse deri sot nuk gjendet ai regjistrim..?!) do të vijë çasti për të dalë si nga ëndrra ai material i çmuar në shqip, ajo performancë plot frymëzim e thënë me një frymë, si dëshmi a sprovë për pengun e mbetur në shpirtin e artistit për t’u shprehur në gjuhën e tij?! (Do ta ketë pasur Aleksandër Moisiu vallë një peng të tillë nëpër skenat e botës..?!) Ato ditë, Bekimi më dhuroi librin e parë të autobiografisë, “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, bestseller, të cilin ai donte ta botonte edhe në Shqipëri, një nga vetërrëfimet më tronditëse e të jashtëzakonshme të shkruara nga një aktor.
Kam përkthyer dhe “Songs My Mother Taught Me”, (Përtej famës, në shqip) një autobiografi e Marlon Brandos; të dy librat veç e veç, janë të një niveli të lartë dhe mund të krahasohen në vlera. Të mëdhenjtë janë të ngjashëm. Në librin e Bekimit shkruhet historia e jetës së një familjeje shqiptare në Kosovë, nën trysninë e politikës së egër antishqiptare serbe, e parë me syrin e një fëmije, të djaloshit ëndërrues dhe artistit të ardhshëm, i cili është si një personazh përjetues i dramës dhe i madhështisë së vendit të vet, Kosovës. I ati kishte qenë mësues patriot, i përndjekur e i burgosur nga UDB-ja për veprimtari politike kundër diskriminimit, poshtërimit dhe eliminimit që u bëhej shqiptarëve.
Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, në muzeun e Gjirokastrës, Bekimi kishte parë mes patriotëve të shquar të kombit edhe emrin e të atit, Ibrahim Fehmiu dhe i ishte bërë zemra mal, siç më tha, “Jam ndierë krenar kur kam pa foton e babës, Ibrahim Fehmiu në muzeun e Gjirokastrës!” Ai kërkoi atë kohë që të investonte personalisht për ndërtimin e një shkolle të cilës dëshironte t’i vihej emri i të atit por shteti komunist nuk ia pranoi kërkesën. Bekimi e përfundoi edhe librin e dytë të autobiografisë, i cili flet për karrierën e tij si artist, gjithë sa arriti përmes mundit e talentit unik në artin e kinemasë, me rolet që krijoi. Bekim Fehmiu e përmbushi misionin si artist ndaj kombit të vet dhe e la këtë botë me përmasën që lënë pas gjigantët! Edhe sot, pas 13 vitesh të ndarjes nga jeta, kujtoj trishtueshëm fundin tragjik të atij artisti të madh, i cili e mbylli siparin e jetës së tij në mënyrën e vet, duke e kundërshtuar fatin e zotave, si Uliksi. Jetoi madhërishëm dhe vdekjen e zgjodhi si destin të fatit të tij. Njerëzve të mëdhenj, vështirë t’ua gjykosh vendimet.
Panorama.al
http://www.panorama.com.al/ekskluzive-rrefimi-i-timo-fllokos-si-e-njoha-bekim-fehmiun-dhe-pse-ia-refuzuan-rolin-aq-te-deshiruar-te-skenderbeut/?fbclid=IwAR3b4xs3WBdagYQByK7nvGgeX6_VAwQjBRXjkaPAMM9DJEh3JprmozbPcd0