Ekskluzive/ Rrëfimi i Arselajda Burakut për famën në SHBA: Kam vuajtur nga depresioni, tani jam pjesë e muzikës

Tipare origjinale, portret të trishtë dhe shpirt të bukur. Ju prezantojmë me modelen 23-vjeçare nga Shqipëria, e cila bëri histori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si e para që arriti të ishte protagoniste e minidokumentarit për revistën prestigjoze “W Magazine”. Për kopertinën e revistës “Story”, Arselajda tregon për herë të parë historinë e saj me të gjitha anët e medaljes. Pesë vitet në New York nën menaxhimin e agjencisë “Muse”, jeta në rrethet e ngushta të modës së lartë, rënia në depresion e shkëputja nga karriera, distanca fizike me familjen dhe frymëzimi për të qenë zëri i emigrantëve në Amerikë, që të drejtat e tyre të jenë të barabarta. Modelja rrëfen rrugëtimin e një shqiptareje që ia doli e vetme, por duke vuajtur edhe kostot psikologjike për të depërtuar, fitimet dhe planin për t’i hyrë muzikës:

Arselajda-Buraku-2

Je e para modele shqiptare që ke arritur të bashkëpunosh me revistën prestgjioze “W Magazine”. Ti ishte protagonistja shqiptare e një mini dokumentari kur rrëfeve jetën. Si e përjetove prerjen e flokëve live?

Të them të drejtën e kam vlerësuar shumë si projekt, por prerja e flokëve më ka shkaktuar shumë dhimbje emocionale, sepse për flokët kisha kujdesin më të madh.

Si u ndjeve kur pe veten në atë dokumentar, dhe mund ta konsiderosh arritje të madhe në karrierën tënde si modele në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Më vjen mirë që kam qenë pjesë e këtij projekti, por nuk më ka bërë të ndihem e realizuar në karrierë, dhe kjo është arsyeja që nuk e kam publikuar në Instagram.

Kjo gjë kishte ndodhur më parë me emra të njohur si; Kendall Jenner, Gigi Hadid, etj. Të lije Shqipërinë për New York-un, me një ide të qartë në kokë ishte hapi i duhur që ke hedhur në jetë?

Mund të isha në çdo vend të botës, dhe nuk kam të njëjtën ndjesi si në ditën e parë duke qenë se po bëj pesë vite në New York. Ka qenë një mundësi shumë e mirë për mua, pasi në Shqipëri unë punoja dhe ndihmoja dhe familjen në ato kushte që unë kisha, ndërsa në New York ka më shumë mundësi dhe të ardhura. Por mundësitë në Shqipëri ishin të limituara dhe në televizion nuk i kisha shumë dyert e hapura, sepse kritikohesha nga shqiptimi i “gj” dhe “xh”.

I ke njohur deri tani anët e errëta të modës së lartë dhe famës?

Po prapaskenat nuk janë siç duken në Instagram. Por unë nuk bëhem pjesë e atyre prapaskenave, sepse dua një jetë të qetë dhe pa probleme, sepse kam shumë përgjegjësi mbi supe.

Arselajda-Buraku-3

Në rrëfimin tënd je shprehur se në Shqipëri njerëzit paragjykohen qoftë edhe për ngjyrën e flokëve. Ndihesh e lirë mjaftueshëm në SHBA, dhe çfarë synon të arrish më tej?

Ndihem e lirë sepse kam mundësinë për të zgjedhur shumë opsione. SHBA ka shumë probleme tani në këto kohë. Në shëndetësi dhe në edukim nuk kam shumë të drejta, sepse nuk mundem të marr sigurime shëndetësore, ose të edukohem me të njëjtën tarifë si një shtetas amerikan. Kjo më ka frymëzuar dhe dua të jem zëri i shumë emigrantëve, që të drejtat tona të jenë të barabarta.

Që nga koha e realizimit të dokumentarit, cilat janë zhvillimet që kanë ndodhur në jetën tënde. Mund të na përmendësh emra të famshëm të botës së modës apo showbiz-it që ke takuar?

Jam shumë e thjeshtë dhe s’para bie në sy. Kur jam në evente me “celebrities” nuk reagoj fare, dhe gjithmonë marr kritika nga miqtë e mi, të cilët më thonë se duhet të jem në kontakt me shumë njerëz të famshëm që njoh.

Si ndihesh me rritjet e tua sot, dhe deri ku synon?

Ndihem shumë e bekuar dhe vlerësoj çdo të mirë, që më ka ndodhur në jetë. Synoj më të mirën dhe po jap maksimumin.

Të prekësh ëndrrën amerikane si modele nuk ëshë e thjeshtë. Tek ty ç’pëlqejnë apo vlerësojnë stilistët?

Vleresojnë thjeshtësinë dhe sinqeritetin.

Arselajda-Buraku-4

Të shprehësh veten me trupin tënd sa e mundur është, si arrin të arrish paqen shpirt-mendje-trup?

Në fakt shumë nga ne nuk jemi konfidentë me trupin, dhe kjo vjen nga shumë faktorë.

Për shembull?

Po gjithmonë jemi në kërkim të perfeksionit duke harruar sa me fat jemi që kemi një dhuratë të shtrenjtë si trupi. Të gjykohesh nga pamja dhe trupi është një sfidë shumë e madhe psikologjike. Më ka ndikuar shumë si profesion, më ka shkaktuar dhe depresion për një kohë shumë të gjatë. Kjo më bëri të shkëputesha nga modelingu për një periudhë të gjatë kohore.

Atëherë cila ëshë pika jotë më e fortë si modele?

Vullneti për kujdesjen ndaj trupit më ka ndihmuar të kem lirshmëri dhe konfidencë. Pika ime më e fortë është fytyra ime, pasi aty shpreh emocionet dhe bëhem karakter në një photoshoot.

Projekti më i fundit ku more pjesë?

Projekti më i fundit i realizuar është Selkie. Një brand i ri më zgjodhi si imazh në Los Angeles. Duke përmendur Make Up forever për Sephora, Helmut Lang për Vogue, Revista Elle dhe disa projekte të tjera.

Sa kanë arritur fitimet e tua për një projekt?

Kanë arritur mjaftueshëm sa të përballoj të gjitha shpenzimet në qytetin më të shtrenjtë në botë si New York.

Arselajda-Buraku-5

Vazhdon të jetosh në distancë me familjen, po çfarë marrëdhënieje ke aktualisht me ta?

Oh, familja është gjithçka për mua! Kam një familje aq të bukur dhe të talentuar. Mami im Diana është mësuese e devotshme matematike, dhe vëllai studion për sporte. Jemi gjithë kohës në kontakt. Mami im është aq “cool” dhe mendje hapur, sepse ka ardhur nga një familje shumë e shkolluar dhe e kam psikologen më të mirë. Ndërsa vëllai, Igli është suporti im më i madh, dhe ma thotë çdo ditë që jam frymëzim për shumë të rinj. Flasim çdo ditë në telefon dhe ndajmë çdo gjë me njëri- tjetrin.

E ke gjetur dashurinë në SHBA, dhe sa e vështirë apo më e thjeshtë është atje të provosh dashurinë e vërtetë?

Jo, nuk e kam gjetur akoma, por kam një shoqëri të pastër dhe një famije të mrekulleshme që kanë një dashuri të madhe për mua.

Arselajda-Buraku-1

Rituali yt i bukurisë, dhe i ruajtjes së elegancës?

Nuk kisha punuar në palestër për gati dy vite se mendoja se kam metabolizëm të mirë, por si shqiptare e adhuroj ushqimin me shumë yndyrë. Kur fillova të shikoja ndryshime mora trajner profesional, dhe nisa palestër çdo ditë, dietë të shëndetshme, not dhe klasa me yoga të nxehtë.

Nga të gjitha këto çfarë do u sugjeroje vajzave për të mbajtur në harmoni shëndetin dhe bukurinë?

Yoga është terapia më e mirë peë mendjen dhe trupin. Mund të blini një tapet yoga dhe ta bëni në park, bregdet, shtëpi, në natyrë me muzikë Buddha Bar ose Krishna. Thjesht ndiqni video në YouTube si ushtrohet dhe do ia dilni sa më mirë!

Kemi dëgjuar rrëfimet e shumë modeleve që rrëfejnë vështirësitë e profesionit. Ti e provon diçka të tillë?

Përmenda me lart një nga vështirësitë, por me kalimin e kohës bëhet normale. Nuk më bën më përshtypje nëse nuk e marr një punë ose një casting. Tani në fakt po merrem me muzikë, dhe e modelingun kam në plan të dytë kështu tani ndihem më mirë dhe nuk ndjej shumë vështirësi.

Në Shqipëri në ç’rast do të pranoje të riktheheshe?

Do të rikthehesha me kënaqësi të madhe për familjen në rradhë të parë dhe shoqërinë. Më mungon Shqipëria më shumë se çdo shqiptari larg saj më besoni! Mburrem aq shumë sa të gjithë më thonë e ke të shkruajtur në ballë që je shqiptare. Kam shum ide për shumë projekte, por edhe shumë herët që të flas duke qenë se s’kam asgjë të konfirmuar.

Team Credits:

MODEL: Arselajda Buraku

PHOTOGRAPHER: Marta Skovro

MUA: David Razzano

HAIR: Erin Taylor

STYLING: Emily Bess

NAILS: Tori Huang

 

Emri: Arselajda Buraku

Mosha:23 vjeçe

Ditëlindja: 4 shtator 1994

Vendlindja:Mirditë

Vendbanimi: New York

Agjensia: Muse

Arritjet:PAPER MAGAZINE,ELLE,Helmut Lang, W magazine, Vogue, Allure, L’officiel, Teen Vogue, Sephora, Make Up forever, L’officiel.