EKSKLUZIVE/ Në Korçë fillojnë të ëndërrojnë, Skënderbeu negocion me UEFA-n. Ja manovra për uljen e dënimit

Prej ditësh po qarkullon në opinionin sportiv lajmi se Gjykata Federale e Zvicrës e ka dhënë vendimin për çështjen “Skënderbeu”. Vendim i cili pretendohet se i është bërë me dije klubit bardhekuq, ndonëse nuk është bërë publik. Një lajm ky që ka shkaktuar zhurmë të madhe në lidhje me vërtetësinë e tij, por edhe me vijimësinë e projektit të Skënderbeut në varësi të asaj çka është vendosur. Nisur nga një situatë e tillë, Skënderbeu ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, ku thuhet se vendimi i Gjykatës Federale për dënimin e klubit korçar ende nuk ka ardhur, ndryshe nga sa është përfolur së fundmi.Skenderbeu festa e golit ndaj Vllaznise

Klubi bën me dije se ishte parashikuar që vendimi të jepej në fund të muajit të kaluar, por për shkak të pandemisë është shtyrë dhe ende nuk ka një datë fikse se kur do të jepet. Gjithashtu, Skënderbeu shkruan se në rast se vendimi do të dalë, atëherë ai do të publikohet menjëherë edhe nga klubi, por edhe nga vetë Gjykata Federale.

REAGIMI – Klubi korçar ka bërë dje këtë deklaratë për shtyp: “Duke marrë parasysh aludimet e vazhdueshme në mediat vizive, ‘online’ dhe në shtypin e shkruar, KF Skënderbeu kërkon të sqarojë opinionin publik dhe sportdashësit bardhekuq se nuk ka ende një vendim përfundimtar nga Gjykata Federale në Zvicër në lidhje me apelimin e kryer nga klubi. Vendimi i cili pritej në fund të muajit qershor është shtyrë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia ‘COVID-19’ dhe nuk ka një datë fikse për publikimin e vendimit përfundimtar. Klubi i futbollit Skënderbeu mbetet në pritje të vendimit dhe sigurojmë tifozët dhe opinionin publik se çdo vendim do të publikohet në kohë reale jo vetëm nga klubi, por edhe nga Gjykata Federale. U bëjmë thirrje mediave të mos aludojnë me lajme krejtësisht të pavërteta duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë që ka çështja në fjalë për klubin dhe tifozët e Skënderbeut”.

MANOVRA NË UEFA – Pa dyshim që dalja e një vendimi zyrtar nga ana e Gjykatës Federale në Zvicër do të sillte menjëherë planin e veprimit të klubit bardhekuq, në të dyja rastet. Nëse vendimi do të ishte pozitiv, atëherë do të kishim një rikthim të Skënderbeut në pozicionin e pretendentit për sezonin e ardhshëm. Në të kundërt, klubi do të shihte rrugën që do të ndiqej në rast se vendimi do të ishte negativ. Në të tilla kushte korçarët janë ende nën ankthin e pritjes. Ndërsa nga sa bëhet me dije nga burime pranë klubit, vendimi i Gjykatës Federale pritet që të bëhet publik menjëherë pas mbylljes së kampionatit.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime të ndryshme, si pranë klubit dhe FSHF-së, se Skënderbeu po mundohet të vërë në veprim manovrën e tij duke negociuar me UEFA-n. Këto burime bëjnë me dije se klubi korçar kërkon të arrijë një marrëveshje me UEFA-n për reduktimin e dënimit të dhënë, duke u mjaftuar me periudhën që kanë shlyer deri tani. Ndaj, me shpresën e arritjes së këtij qëllimi, Skënderbeu nuk heq dorë nga sigurimi i një bilete për në Kupat e Europës.

Skënderbeu është dënuar me 10 kualifikime mospjesëmarrje në Europë, ku nga këto ka shlyer katër vite deri tani. Kjo marrëveshje mund të ishte e leverdishme për të dyja palët për momentin, pasi UEFA ia ka arritur qëllimit duke e bërë Skënderbeun shembull ndërkombëtar, por edhe korçarëve do t’u jepte mundësinë për t’u kthyer më shpejt te projektet e mëdha, ashtu si në vitet “e arta”.

LLAZI SARO