Ekskluzive/ Kapiteni Renato Malota: Ajo, goli më i bukur i jetës sime!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Gent Onuzi

Vendndodhja: Radisson Collection Morina Hotel

Për herë të parë në histori, skuadra e Egnatias u shpall kampione e Shqipërisë. Një fitore të cilën modestisht kapiteni Renato Malota ja atribuon gjithë ekipit, ndonëse sportdashësit dhe simpatizantët e kësaj skuadre nuk ja kanë kursyer vlerësimin prijësit të ekipit të Rrogozhinës. Këtë rrëfim ekskluziv për “Bordo”, Malotës ja morëm vetëm disa ditë pasi kishte marrë kupën, kur emocionet dhe përjetimet ishin ende shumë të freskëta dhe aspak të modifikuara. Nuk e njihja personalisht, por qoftë edhe në ato komunikimet e thjeshta në telefon apo WhatsApp, te Renato dallohej lehtësisht disiplina, korrektësia dhe edukata e bashkëbisedimit, si virtyte të fituara jo vetëm nga familja, por me siguri edhe sajë karrierës së tij të gjatë si futbollist.

Për herë të parë Egnatia shpallet kampione e Shqipërisë. Kujt dhe çfarë ja dedikoni këtë fitore?

Ka qenë një rrugëtim i vështirë për mua personalisht, sepse kur zgjodha të bëhem pjesë e Egnatias të gjithë më kritikuan që po shkoja te një ekip i vogël dhe pa ndonjë histori të madhe. Ishte një sfidë personale dhe personalisht ndjehem shumë krenar për këtë super arritje që bëmë të gjithë bashkë, sepse me të vërtetë që ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë. Këtë fitore ja dedikoj së pari të ndjerit ish- kapitenit tonë Raphael Dwamena, sepse ai ka qenë njeriu që gjithmonë besonte që ne do ta kurorëzonim këtë sezon me fitimin e titullit kampion dhe fatkeqësisht nuk ishte aty me ne për të festuar. Së dyti ia dedikoj babait tim pasi ai është faktori kryesor që unë u bëra futbollist, duke qenë se më ka mbështetur gjithmonë dhe sidomos në momentet e mia më të vështira.

Si kapiten i skuadrës, sa e keni ndjerë sadisfaksionin e kësaj fitoreje?

Sadisfaksioni normalisht që është shumë i madh, sepse dihet rëndësia e një kapiteni në ekip. Jam munduar gjithmonë të jap më të mirën si brenda, ashtu dhe jashtë fushës. Modestisht kam dëshiruar të jem një shembull i mirë për të gjithë dhe gjithashtu me eksperiencën time, të ndihmoj skuadrën dhe jam i lumtur dhe krenar që e kam arritur me sukses këtë gjë.

Çfarë mendoni se e bëri Egnatian fituese?

Egnatian fituese mendoj që e kanë bërë disa komponentë. Ekipi ynë funksionon si një familje, harmonia, serioziteti dhe korrektësia duke filluar nga ne lojtarët, stafi teknik dhe kryesia e klubit është në perfeksion dhe kjo mendoj që na ka çuar drejt sukseseve.

Kombëtarja është në Europian këtë sezon, shkuat për të parë nga afër ndonjë ndeshje?

Me kënaqësi do të shkoja, por e kisha të pamundur pasi ne kemi impenjimet europiane dhe jemi në fazë përgatitore në Slloveni, pasi në datën 8-9 korrik kemi ndeshjen e parë në Champions League.

Si e shihni këtë pjesëmarrje?

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian është një gjë madhështore për ne si komb. Është nder dhe kënaqësi për të gjithë ne të shikojmë Shqipërinë në një event kaq të rëndësishëm. Pavarësisht rezultateve ne të gjithë jemi krenarë për atë ç’kanë dhënë çunat e Kombëtares.

Si ju duk lista e futbollistëve të zgjedhur nga Sylvinho, për të na përfaqësuar në Europian?

Stafi i Kombëtares përbëhet nga njerëz të aftë dhe normalisht që ato kanë përzgjedhur lojtarët më në formë të momentit. Kemi futbollistë shumë cilësorë dhe mendoj që në vitet në vazhdim, Kombëtarja jonë do të rritet akoma më shumë, duke parë dhe moshën e re që shumë lojtarë kanë. Mendoj që deri diku përzgjedhja ka qenë ‘ok’.

Mendoni se ka lojtarë që mbetën jashtë padrejtësisht?

Mendoj që po. Çikalleshi i ka dhënë shumë Kombëtares sonë, ka qenë lojtar kyç dhe ka qenë nga ata futbollistë që sa herë i është dhënë mundësia, ka dhënë maksimumin. Tjetri është Uzuni që ka bërë mjaft mirë në La Liga këtë vit dhe mendoj që duhet të ishte në listë. Është nuhatës goli dhe i shpejtë. Të dy këta futbollistë e kanë merituar të jenë në Europian.

Po lojtarë, që sipas jush, nuk e meritojnë të jenë në atë listë?

Nuk mendoj që ka. Të gjithë janë lojtarë të mirë, që luajnë në nivel të lartë futbolli. Pakënaqësi do të ketë sepse i tillë është futbolli, por mendoj që të gjithë janë me meritë aty.

Ju vetë jeni 34 vjeç, edhe sa kohë mendoni të luani futboll?

Kohët kanë ndryshuar dhe së fundmi një futbollist 34-vjeçar nuk quhet më i vjetër. Futbolli ka evoluar dhe siç po e shikoni shumë futbollistë po luajnë deri në moshën 37-38 vjeç dhe në nivele shumë të mira. Nëse një lojtar stërvitet rregullisht dhe mban regjim ushqimor, atëherë është e sigurt që do të kesh jetëgjatësi në sport. Personalisht unë do të luaj deri në atë moment që shokëve të mi, të mos u duhet të bëjnë punën time.

Po më pas me çfarë do të merreni?

Më pëlqen të marr një pozicion në klub dhe pikërisht pozicioni i drejtorit teknik do të më pëlqente. Është vendi që unë e shikoj veten time në të ardhmen. Aktualisht po bëj kursin në UEFA për ta marrë këtë licencë. Pastaj jashtë futbollit kam një biznes timin, që e menaxhoj prej 11 vitesh, një ‘beach bar’ në bregdetin e Shëngjinit. Biznesi më pëlqen shumë dhe ku i dihet mbase zgjerohem në vitet në vazhdim, sepse çdo vit kam patur një progres të kënaqshëm në atë sipërmarrje.

Cili është goli më i bukur i karrierës?

Goli më i bukur i karrierës ka qenë në vitin 2013. Isha pjesë e Kukësit dhe luanim në raundin e tretë në Europa League kundër një ekipi ukrainas Meralurg Donetks, që kishte një buxhet të frikshëm mbi 30 milionë euro në vit. Atë ndeshje fituam 2-0 në Qemal Stafa dhe golin e dytë e realizova unë. Ai ka qenë me ‘plot gojë’ një gol legjendar për shumë arsye, sepse me atë gol ne kaluam atë raund dhe u bëmë ekipi i parë në histori në Shqipëri, që kalon 3 ture në një kompeticion europian dhe arsyeja tjetër është që ishte një super gol me të majtën nga jashtë zonë. Le ta përmendim dhe vlerësimin monetar prej 300 mijë eurosh, që ishte një nga premiot më të mëdha që jepte një ekip në Shqipëri.

Po ai jashtë fushës së blertë?

Goli më i bukur jashtë fushe mban emrin e partneres sime Gladiola. Jam me fat që kam një njeri si ajo në jetën time, pasi përtej gjërave të bukura që ne kemi bashkë, apo kemi kaluar bashkë, ajo ka një meritë shumë të madhe në karrierën time. Ka ditur gjithmonë të më mbajë me këmbë në tokë dhe më ka udhëzuar për mirë.

Jam kurioze të di, çfarë mendon, apo si i tejkalon një futbollist situatat e sikletshme kur nga tribuna vërshojnë sharjet dhe fyerjet?

Jemi mësuar me këto gjëra (qesh). Dihet që njerëzit vijnë në stadium të dëfrehen dhe natyra e tifozëve anë e mbanë botës, është që të shajnë apo ofendojnë. Ne nuk na bën përshtypje dhe gjithmonë mundohemi të bëjmë sikur nuk i dëgjojmë apo s’e kemi mendjen tek ato. Nganjëherë ka situata të sikletshme, por mundohemi të ruajmë gjakftohtësinë dhe t’i kalojmë me sportivitet.

Zakonisht futbollistët janë tejet të mikluar nga gjinia femërore. Të ka krijuar probleme ky fakt me jetën tënde personale?

Është e vërtetë, por nuk ka ndikuar për keq apo më ka krijuar probleme. Situata ka çdokush, por duhet të dish si t’i zgjidhësh apo t’i shmangësh. Më karakterizon qetësia dhe mendoj që deri diku e kam bërë më së miri këtë gjë.

Një bebe do t’i shtohet familjes Malota?

Në plan e kemi dhe uroj sa më shpejt që bashkë me partneren time të kemi një engjëll të vogël.

Bordo