EKSKLUZIVE/ Iu bashkua Trashit, flet Solomon: Ja pse ika nga Partizani

Theofilius Solomon u duk se do të qëndronte në kryeqytet, pasi Neftçi Baku ndërpreu bisedimet me Partizanin. Mësohet se para ndërprerjes së kontratës, Partizani i ka vënë kusht Solomonit të mos transferohet në skuadër tjetër në Shqipëri.

24 orë pas prishjes së kontratës, Solomon firmosi në Kuvajt për ekipin e Al-Qadsia, aty ku do të gjejë Lorenc Trashin, ish-shokun e skuadrës së Partizanit. “Panorama Sport” ka marrë në intervistë sulmuesin, i cili shpjegon arsyen e largimit nga “demat”, si dhe tha se një ditë, mund të rikthehet sërish te Partizani.

Solomon, u mendua se do të qëndronit te Partizani. Vendoset të largoheshit ditën e fundit. Pse?

Arsyeja pse më duhej të largohesha është diçka personale mes meje dhe klubit. Kemi pasur gjithmonë raporte të mira me të gjithë pjesëtarët e klubit. Ky është futbolli, gjithçka mund të ndodhë në çdo moment. Keni të drejtë, nuk e mendoja të largohesha nga Partizani, por situata ndryshoi në momentet e fundit dhe për disa probleme personale, më duhej të largohesha.

Ishit titullar në formacionin e Dajës dhe në kampionat, shënuat tre gola. Cili ishte momenti juaj më i bukur te Partizani gjatë këtij sezoni?

Po, isha titullar dhe trajneri Daja ka qenë një njeri shumë i mirë. Nuk i jap dot komplimentet e duhura, pasi nuk ka fjalë për ta falënderuar për gjërat që ka bërë për mua, duke më mbështetur dhe duke më bërë të rritem shumë si futbollist. Gjithë koha që kalova te Partizani, ka qenë fantastike. Mund të them se kam lënë pas një familje. Gjithçka po shkonte në mënyrë perfekte, kishim relata të shkëlqyera, deri në momentin e fundit, që siç e thashë më lart, diçka ndryshoi u ndjeva i dëshpëruar dhe m’u desh të lëvizja, për të mirën e karrierës sime”.

Keni një mesazh për tifozët e Partizanit?

Dua të them se “Guerrils” kanë qenë gjithmonë fantastikë me mbështetjen e tyre dhe pa ata skuadra nuk është asgjë. Kështu që dua t’iu them një faleminderit të madhe, përqafime për të gjithë. Kam luajtur në disa vende të botës, por te Partizani kam marrë mbështetje të jashtëzakonshme. Do të doja të jepja diçka më shumë për familjen e Partizanit, por më duhet të largohem. Ndoshta një ditë, do të shihemi sërish…

V. ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL