EKSKLUZIVE/ “Ikën nga Napoli”, babai zbulon të ardhmen e Hysajt

Elseid Hysaj është bërë një çështje që nuk po përfundon kurrë te Napoli. Ndërrimi i trajnerit, nga Ançeloti te Gatuzo, rizgjoi shanset e mbrojtësit të djathtë të Kombëtares që të mund të mbetet pjesë e “Axurrëve”.

Mirëpo, prej javësh, mediat pranë Napolit bëjnë me dije se çështja e rinovimit të futbollistit të Kombëtares ka ngecur dhe me shumë gjasa nuk do të ketë avancim.

Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, në lidhje me të ardhmen e Hysajt, ka folur edhe vetë babai i futbollistit. Gëzim Hysaj ka treguar si po shkon qëndrimi dhe çështja e rinovimit me napolitanët. “Elseidi nuk dëshiron të qëndrojë më te Napoli. Ai po pret fundin e kontratës dhe më pas të lidhë një kontratë të re, ku ka disa kërkesa nga klube të ndryshme europiane.

Arsyeja e mosqëndrimit te skuadra napolitane është më shumë për anën financiare, duke qenë se është bllokuar mundësia e rritjes së pagës. Napoli nuk pranon ta bëjë këtë dhe kësisoj ai është në kërkim të një klubi tjetër me mbarimin e kontratës”, është shprehur Gëzim Hysaj për gazetën. Babai i mbrojtësit të Kombëtares kthehet shpesh në vendin tonë.

Duke qenë me origjinë nga Malësia e Madhe, Gëzimi ndoqi skuadrën e vendlindjes, Veleçikun, në ndeshjen e luajtur të dielën në kompleksin e Pezës ndaj Partizanit B.

Skuadra koplikase barazoi 1-1 dhe Gëzim Hysaj përjetoi emocione në ndeshjen e vlefshme për Grupin A të Kategorisë së Parë. Referuar të ardhmes së mbrojtësit, Gëzim Hysaj ka treguar:

“Një opsion i mundshëm është Spartaku i Moskës, që ka paraqitur një ofertë mjaft të mirë”, është shprehur Gëzim Hysaj.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL