Ekskluzive | Historia e dashurisë së shqiptarit që theu ligjin për të dashurën 18 vite më të madhe! Avokatja: Janë shumë të dashuruar
Emiliano Fejzo nuk ka fituar gara atletike si Luiza Gega dhe nuk ka marrë medalje. Megjithatë është rekordmen. Të paktën kështu i referohen mediat italiane shqiptarit 39-vjeçar, i cili është dëbuar jo pak, por 14 herë nga gadishulli apenin, megjithatë gjithmonë është kthyer. Këtë thotë se e ka bërë nga dashuria për Alinën një 57-vjeçare ukrainase, e cila ka nevojë për përkujdesjen e tij. Së fundmi, gjykata italiane i ka dhënë të drejtë shqiptarit.
Historia e dashurisë
Tvklan.al ka kontaktuar me avokaten e shqiptarit, Sarah Dell’Accantera dhe ka mësuar detaje nga e historia e tij. Dashuria me Emilianos dhe Halyna-s ka nisur që para 22 vitesh. Ata janë takuar në Reggio Emilia dhe që prej vitit 2000 janë bashkë. Dashuria e tyre ka mposhtur kufijtë dhe moshën. Emiliano është 39 vjeç ndërsa Halyna, 57 vjeçe.
“Emiljano e Halyna janë takuar para 22 vitesh në Reggio Emilia dhe që nga ajo kohë janë bashkë. Emiliano është 39 vjeç dhe Halyna është 57 vjeçe”, është shprehur avokatja.
Halyna, 57-vjeçarja nga Ukraian. Foto e marrë nga mediat italiane
Halyna, 57-vjeçarja nga Ukraian. Foto e marrë nga mediat italiane
39-vjeçari Fejzo ka 27 vite në Itali. Ai ka punuar në ndërtim. Avokatja konfirmon se Fejzo është dëbuar për herë të parë nga prefektura në Reggio Emilia dhe herët e tjera nga gjykata. Në total, 14 herë!
“Ai është dëbuar për herë të parë nga prefektura dhe herët e tjera nga gjykata për një total prej rreth 14 herësh”, shpjegon avokatja Dell’Accantera.
Halyna vuan nga sëmundja e Parkinsonit që prej vitit 2013. Që prej asaj kohe, gjendja e saj është rënduar. Me lejen e Emilianos, avokatja na ka vënë në dispozicion dokumentin që sipas tyre vërteton sëmundjen e saj dhe njohjen e invaliditetit për të.
“Halyna është nga Ukraina. Ajo është e sëmurë nga Parkinson në vitin 2013 dhe sëmundja është rënduar gjithmonë e më shumë në vitet e fundit. Aktualisht i është njohur invaliditet prej 100% me pamundësi të përhershme/permanente punësimi. Sëmundja e saj është neurodegjenerative dhe vazhdon të përkeqësohet”, thekson avokatja.
Dokumenti që dokumenton invaliditetin e Halyna-s!
Dokumenti që dokumenton invaliditetin e Halyna-s!
Avokatja i ka njohur të dy, si Emilianon dhe Alinën dhe nuk ngurron të shprehë se ata të dy janë një çift shumë i dashuruar.
“Unë e kam njohur Halyna-n, janë një çift shumë i dashuruar dhe uroj që të martohen dhe të jetojnë jetën e tyre bashkë”, tha ajo.
Çështja gjyqësore
Disa ditë më parë, gjykata i dha të drejtë 39-vjeçarit Fejzo se është detyruar të kthehet për t’u kujdesur për të dashurën, pavarësisht dëbimeve. Avokatja na shpjegoi se i ka paraqitur gjykatësit dokumentet mjekësore të Halyna që vërteton sëmundjen e saj. Po ashtu, ajo shprehet se 57-vjeçarja nuk ka asnjë të afërm në Itali përveç tij. Këto argumente u pranuan nga gjykata.
“Në çështjen gjyqësore kemi paraqitur dokumentet mjekësore të Halyna-s duke i shpjeguar gjyqtares që Emiliano është detyruar të kthehet për t’u kujdesur për të dashurën, e cila nuk ka asnjë të afërm që mund të kujdeset për të përveç tij. Gjykata e pranoi këtë argument, por akoma nuk është publike aktgjykimi. Të gjitha arsyet pse gjyqtarja i ka dhënë të drejtë Emilianos mund t’i lexojmë pas 90 ditësh kur të publikohet aktgjykimi”, shprehet Dell’Accantera.
Emiliano Fejzo
Hapi i radhës do të jetë kërkesa ndaj ministrisë për tërheqjen e dëbimit. Më pas, do të kërkohet leja e qëndrimit. Për këtë është e nevojshme që 39-vjeçari dhe 57-vjeçarja të martohen dhe duhet “nulla osta”.
“Po mundohemi të rregullojmë gjërat që të dalë nga burgu sa më parë. Do i bëjmë kërkesë ministrisë për të tërheqjen e dëbimit dhe lëshimin e lejes së qëndrimit. Do të ishte e nevojshme që ai dhe Halyna të martoheshin, për këtë motiv duhet “nulla osta” nga konsullata e Shqipërisë”, shprehet avokatja.
“Nulla osta” është një shërbim elektronik i cili u mundëson qytetarëve shqiptarë që janë rezidentë në Itali të aplikojnë për të marrë më pas nëpërmjet shërbimit postar, lejen e martesës.
“Pas verifikimeve të nevojshme të kryera nga përfaqësues të Ambasadës/Konsullatës, pranohet aplikimi dhe aplikanti ftohet më pas të ndjekë procedurat për të kryer pagesën dhe për të dërguar mandatin origjinal (jo fotokopje) me postë. Kthimi i përgjigjes kryhet me e-mail tek qytetari dhe njoftohet gjithashtu për dërgimin e Lejes së Martesës (Nulla Osta Matrimonio) me postë në adresën e qytetarit”, sqarohet në portalin e-Albania në lidhje me këtë çështje.
E shkuara e Emiliano Fejzos
Aktualisht 39-vjeçari është në burg. Ai është dënuar për disa krime të tjera që kanë të bëjnë me trafikim lëndësh narkotike, një tentativë vjedhjeje, shkelje ligjesh për emigracionin dhe rezistencë ndaj forcave të policisë.
Emiliano Fejzo në një intervistë për mediat italiane
“Emiljano është dënuar në të shkuarën për trafikim lëndësh narkotike dhe një tentativë vjedhjeje përveç dënimeve për shkeljen e ligjeve për emigracionin dhe rezistencë ndaj forcave të policisë (i bënte rezistencë gjatë ndalimit për ta kthyer në Shqipëri)”, tregoi avokatja.
Emiliano Fejzo në një intervistë për mediat italiane
Sipas asaj që kanë shkruar mediat, shqiptari është dënuar me 5 vite. Emiliano Fejzo ka qenë herë pas here subjekt i lajmeve të ndryshme. Për herë të fundit ai u ndalua në Sant’Ilario në vitin 2019.
Për këtë rast, shqiptari ka thënë se theu urdhrin e dëbimit sepse mori një telefonatë nga Halyna, e cila i kishte thënë se ishte shumë sëmurë. Ai është shprehur se nuk e ka menduar dy herë dhe të nesërmen i hipi varkës për t’i qëndruar afër të dashurës së tij./tvklan.al
Fejzo fiton çështjen! Lajmi pasqyrohet në mediat italiane