EKSKLUZIVE/ “Dua Kombëtaren A, nuk prisja të bëja kaq mirë”, Albi Doka: Ja pse e refuzova Lokomotivë e Zagrebit

Një gol, një asist, një gol të shpëtuar në vijën fatale dhe një javë në formacionin ideal. Ky është starti i Albi Dokës në Kroaci me skuadrën e Goricas. Mbrojtësi që la Tiranën dhe ka fituar menjëherë rolin e protagonistit, tregon për “Panorama Sport” ndryshimet nga kampionati shqiptar si dhe ofertat që ka refuzuar para se të zgjidhte.

Katër fitore në po kaq ndeshje, Doka, si jeni ndierë në Kroaci?
Unë mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që kam ardhur te kjo skuadër. Kam pasur edhe ofertë nga Lokomotiva e Zagrebit, por e zgjodha Gorican sepse i dija objektivat e saj për këtë sezon. Jam ambientuar shumë shpejt dhe po ndihem mirë, si te Tirana, ekipi im i zemrës.

Gol, asist dhe në formacionin ideal. E prisnit start të tillë?
Të them të drejtën, kam pasur besim dhe prisja që të bëja paraqitje të mira. Por, jo kaq (qesh…). Falë Zotit e nisa me këmbën e mbarë.

Si ju kanë pritur te Gorica dhe çfarë kushtesh keni gjetur?
Të bie në sy fakti që të gjithë janë profesionistë. Këtu është nivel më i lartë dhe i fizikshëm. Realisht më janë plotësuar të gjitha kushtet që kam kërkuar, pa u futur në shpjegime. Jam i kënaqur që më kanë pritur kaq mirë dhe tani dua të jap më të mirën për skuadrën.

Ku ndryshon futbolli kroat nga ai në Shqipëri?

Ka disa ndryshime. Jua përmenda aspektin fizik. Gjithashtu, faktin që ka më shumë profesionalizëm në çdo aspekt. E për këtë, punohet shumë për çdo aspekt dhe për çdo detaj.

Javën e shkuar fituat ndaj Lokomotivës, si u ndjetë?

Në fakt ishte një ndeshje disi e veçantë. Që në momentin kur shkon në stadium para se të niste ndeshja. Më tej edhe gjatë zhvillimit të saj. Kishte momente kur e ndieja sikur po luaja në Shqipëri (qesh…).

Cilat janë objektivat personalë?

Objektivi im kryesor është që të luaj sa më shumë dhe të bëj paraqitje sa më pozitive për të treguar më të mirën e mundshme sa herë do të kem mundësinë që të jem në fushë. Më tej, ashtu siç kam marrë ftesë nga Kombëtarja U-21, besoj dhe pres një ftesë edhe nga Kombëtarja A. Jo vetëm kaq, por shpresoj që të bëj paraqitje të mira dhe të arrij të transferohem në një kampionat edhe më të mirë sesa ky.

PANORAMASPORT.AL