EKSKLUZIVE/ Divorci mes Ilir Dajës dhe Partizanit me një gotë whiskey, ja çfarë ndodhi pas derbit (E PLOTË)
Ilir Daja nuk do të jetë më trajneri i Partizan it. Derbi i humbur ndaj Tiranës në mënyrë të dhimbshme i ka vënë kapakun marrëdhënies mes tij dhe klubit të kuq pas rreth një viti e gjysmë bashkëpunim mes tyre. Gjithçka është mbyllur me një takim mes palëve.
TAKIMI PAS DERBIT – Ashtu siç vetë Daja e paralajmëroi, ai bashkë me presidentin e klubit, Gazmend Demin, dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit, Olsi Ramën, janë takuar një ditë pas derbit, në orët e pasdites së datës 25 dhjetor në një nga lokalet e Tiranës për të folur në lidhje me mungesën e rezultateve dhe të ardhmen e klubit.
Në fakt, ka pasur shumë gjëra për t’u sqaruar, por nuk janë thënë shumë fjalë.
“Panorama Sport” mëson se e gjithë biseda mes palëve ka nisur me një pyetje të presidentit Demi, i cili ka kërkuar të dijë nga Daja se çfarë nuk po shkon me skuadrën dhe përse nuk po vijnë rezultatet, që janë kërkuar dhe pretenduar.
Trajneri Daja i është përgjigjur se me sa duket klubi ka mbërritur në pikën kur duhet të largohet trajneri, si përgjegjësi kryesor për rezultatet jo pozitive të ekipit Ai është shprehur gjithashtu se mund të gjejë shumë justifikime, por në një situatë të tillë nuk kanë vlerë.
Ky ka qenë edhe momenti, që ka shënjuar këtë bisedë, teksa presidenti Demi e ka miratuar me heshtje atë që trajneri ka thënë dhe nuk e ka vazhduar më bisedën.
Thjesht është bërë një porosi me nga një gotë “whiskey”… Më pas, tre protagonistët kanë vijuar të qëndrojnë edhe për disa minuta, përpara se të largoheshin në destinacionet përkatëse.
KONTRATA PËR T’U ZGJIDHUR – Pas këtij takimi trajneri Daja ka pritur të ulet me drejtuesit për të diskutuar mënyrën se si do të mbyllej bashkëpunimi mes tyre sepse para një viti e gjysmë është firmosur një kontratë për tri vite, e mbështetur në një projekt afatgjatë.
Klubi nuk e ka kërkuar këtë takim, ndoshta me mendimin se gjithçka do të mbyllet me marrjen vetëm të pagave deri në fund të dhjetorit, kur Daja ka qenë në krye të ekipit. Kjo situatë e ka stepur jo pak trajnerin, i cili ka hezituar t’i përgjigjet klubit për mbylljen zyrtare të bashkëpunimit.
Kjo është edhe arsyeja, që në klubin e kuq nuk e konfirmojnë ende ndarjen e rrugëve me trajnerin dhe në faqen zyrtare të klubit nuk është publikuar mbyllja e bashkëpunimit me Ilir Dajën.
Kjo ndodh për shkak se klubi dëshiron të shmangë gjyqin në FIFA me trajnerin në lidhje me kontratën, sepse nëse ata e zyrtarizojnë të parët “divorcin”, atëherë duhet ta paguajnë trajnerin deri në fund të kontratës.
Daja, në secilin vend ku ka shkuar, ka kërkuar t’i respektohet kontrata dhe në raste të kundërta ai i është drejtuar gjykatës, ku ka arritur t’i fitojë të gjitha çështjet. Në të tilla kushte, Partizani e ka marrë me kujdes këtë situatë dhe nuk ka ndër mend të konfirmojë divorcin në mënyrë të njëanshme, pra, të shkarkojë trajnerin.
Vetë Daja, në konferencën e tij për mediat pas ndeshjes së humbur ndaj Tiranës, la të kuptohej se është i gatshëm të negociojë për largimin e tij, por duket se nuk ka arritur të kuptohet qartë me klubin.
Gjithsesi, kjo nuk është një situatë e pazgjidhshme dhe palët kanë konfidencat dhe marrëdhënien e duhur për të mbyllur këtë aventurë me një shtrëngim miqësor duarsh dhe jo me mllefe dhe gjyqe. Thjesht, ndoshta do të duhet pak më shumë kohë se ç’mendonim.
PANORAMASPORT.AL