Ekipi i mundjes i Kosovës i shpëton mrekullisht tërmetit në Turqi: Vetëm hoteli ynë mbeti në këmbë

“Ekipi i Federatës së Mundjes së Kosovës pjesëmarrëse në Turneun ndërkombëtar “12 February” në Kahramarash të Turqisë falë Zotit i shpëtoi më të keqes nga tërmeti katastrofal 7.7 ballë i shkallës.

Lajmi është bërë me dije nga Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës (FMK), Genci Fazlija i cili përmes një postimi në Facebook thotë se sportistët nga Kosova kanë shpëtuar për mrekulli, pasi të gjitha objektet e tjera rreth hotelit ku ata qëndronin u shembën nga goditja e fortë.

“Të gjitha objektet afër hotelit ku ishim të vendosur ekipi i FMK-së janë rrafshuar për tokë. Mundësit tanë treguan heroizëm të paparë duke ndihmuar njerëzit në gërmadha. Ekipi i FMK-së për momentin është vendosur ne qytetin Kajseri të Turqisë”, shkruan Fazlija në një postim në Facebook.