Einxhel Shkira: Oferta që nuk më la opsion për ta refuzuar!

“Sfida e Einxhel” është rubrika e re që rikthen Einxhel Shkirën në ekran, që kur vendosi të hiqte dorë nga bota e televizionit. Me plot vetëbesim dhe me karakter të fortë shfaqet ajo të dielave në programin “E diell” si një showgirl plot sharm dhe e vështirë për t’u sfiduar. Për përballjen me VIP-at, duke qenë ajo vetë sfida që ata duhet të mposhtin, çështjet në punët e zemrës, djemtë që iu vetofruan si dhëndurë pas sfilatës së nuseve dhe pse këtë verë “do të pushojë duke punuar”, Einxhel i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Einxhel-Shkira-2

Pasi hoqe dorë nga ekrani, u riktheve në një ditë pushimi si e diela me “E diell”. Çfarë ta ndryshoi mendjen për të përmbysur vendimin që kishe marrë?
Pushoja aq shumë gjatë javës sa kur vinte e diela me ishin mërzitur të gjitha, e më punohej (qesh). Përtej shakave, kjo ishte një ofertë që Edi Manushi nuk me la asnjë opsion për ta refuzuar dhe jam e lumtur që e mora këtë vendim, sepse po e shijoj të dielën më shumë se kurrë!

Einxhel-Shkira-3

Sa afër aktrimit ndihesh, është kinemaja dera që po pret të të hapet?
Nuk është se e kam menduar ndonjëherë veten në aktrim dhe as e kam aspiruar si fushë, por duke qenë se së fundmi shumë shpesh po e dëgjoj si ofertë, pse jo të mos jetë dhe kjo një eksperiencë e re për mua.

Si është të punosh me disa nga prezantueset e bukura, ekziston konkurrencë mes jush?
Të punosh mes vajzave të bukura është shumë më e lehtë sesa mes atyre që kanë komplekse për pamjen e tyre të jashtme. Vajzat te “E Diell” ndihen shumë mirë me veten dhe kjo u jep një vetëbesim dhe qasje shumë dashamirëse ndaj njëra-tjetrës.

Einxhel-Shkira-4

Në këtë program shfaqesh si e bukura dhe bisha. Si do e përshkruaje eksperiencën që po përjeton në përballje edhe me VIP-at?
Mënyra se si shfaqem është për syrin e publikut, sepse në përballje me VIP-at unë jam Einxhel Shkira.

Ku ndryshon një mbretëreshë bukurie nga një mbretëreshë gjuetie, nëse i referohemi daljes së fundit në “E diell” apo “Portokalli”?
Një “mbretëreshë bukurie” është subjektive, pasi s’mund të jetë i njëjti këndvështrim për të gjithë. Ndërsa një “mbretëreshë gjuetie” është objektive, i jepet ky titull në bazë të ”viktimave” që bien në dorë të saj (qesh).

Einxhel-Shkira-5

Në fillim të sezonit të pamë si nuse me të brendshme sensuale. T’u vetofrua ndonjë dhëndër pretendent?
(Qesh) Oh Zot! Kjo është tema e vitit. Më janë ofruar shumë, por s’jam e interesuar për këtë proces tani. Nuk mendoj se jam gati për një hap të tillë në këtë fazë të jetës sime profesionale.

Dikur ke moderuar një emision dedikuar muzikës rap. Të lidh ende diçka me këtë rrymë muzikore dhe cilët repera do të përmendje mes miqve?
Ajo është rryma ime e preferuar muzikore dhe e tillë ka qenë, prandaj dhe e bëra atë emision. Ata/ato që kam njohur gjatë punës kanë qenë thjesht për emisionin… Ndërsa ata që do të përmendja si miq janë Noizy dhe Varrosi, të vetmit që kanë qenë, janë e do të mbeten miqtë e mi, me apo pa emisionin.

Einxhel-Shkira-6

Nuk ke qëndruar jashtë komenteve për djemtë. Je tashme në një lidhje dhe është aq i njohur sa s’do ta zbulosh, apo aq i panjohur sa s’do ta bësh të famshëm?
Jam tashmë në një lidhje?! Kur të lidhem, pa merak, sepse nëse do të jetë i njohur do të jetë e pamundur të mos zbulohet dhe nëse do të jetë i panjohur s’do ngelet i tillë.

Si një vajzë e njohur ekrani, si e komentoje botën e televizionit të parë nga jashtë dhe atë të jetuar nga brenda?
E parë nga jashtë është shumë më e lehtë dhe më e bukur. E jetuar nga brenda është shumë e lodhshme dhe e vështirë, por kënaqësia që të jep ia vlen të sakrifikosh ca ditë të lodhshme e net pa gjumë!

Mes jetës si showgirl dhe bizneswomen, kë do të konsideroje si gabimin e pafalshëm që mund të bëje?
Të dorëzohesh është gabimi që s’do ia falja kurrë vetes në çdo lloj situate apo fushe të jetës!

Einxhel-Shkira-7

“E Diell” merr pushimet në fund të këtij sezoni. Po Einxhel çfarë planesh ka, pushime apo ndonjë projekt tjetër televiziv?
Parvjet në verë punova, vjet pushova… Mbase këtë vit i bëj pushimet në punë.

Nëse do të kishe mundësi të zgjidhje një format tjetër në “Top Channel”, kujt do ia vije syrin?
Do të thoja “Portokalli”, sigurisht nëse s’do ekzistonte ”E Diell” dheee… sigurisht nëse s’do kishte një prezantuese të mrekullueshme si Xhemi Shehu, së cilës i jap dorën për atë punë të lodhshme që bën, e sërish duke transmetuar vetëm dashuri te publiku. E jo vetëm kaq, por i jam mirënjohëse për përkrahjen që kam marrë prej saj, para se të jem pjesë e “Top Channel”, por dhe gjatë fillimit tim aty./Panorama Plus