Einxhel Shkira futet në “Big Brother VIP” për t’u lidhur me Donald Veshajn! Detajet e konfliktit në televizion pasi moderatorja hyri mes tij dhe Bora Zemanit

“Herë tjetër do t’ia fusësh ti Borës, po do t’ia fusësh vërtet, e ke obligative”, ishte porosia që vëllai binjak, Romeo, i dha Donald Veshajt, kur ajo ndërhyri me xhelozi në afrimitetin e tij me Einxhel Shkirën.

Gjithçka ndodhi kur Einxhel iu bashkua binjakëve në programin e tyre, duke zëvendësuar Bora Zemanin, pas largimit të saj për shkak se mori përsipër drejtimin e programit “Për’puthen”.

E duke qenë se kishin filluar thashethemet se Donaldi po afrohej pak më shumë se duhet me Einxhel, Bora i kërkoi atij ta ftonte në emission ku të inskenonin një sherr për arsye xhelozie. Por në fund të numrit, Bora dhe Einxhel thanë se ishin shoqe, ndërkohë që nuk vonoi shumë dhe papritur Einxhel njoftoi se u kishte thënë “lamtumirë” binjakëve, për arsye që preferoi t’í mbante sekret.

Por në punën vetëm disajavore të Einxhel me Donaldin, natyrisht që kishte një prapaskenë konflikti dhe xhelozie, që u bë shkak për largimin e saj nga puna dhe më pas për situatat e xhelozisë mes Donaldit dhe Borës.

E disa ditë pasi Veshaj ka pranuar se ende e do moderatoren Bora Zemanin, të cilën e ka konsideruar si “femrën që ka dashur më shumë gjatë gjithë jetës”, dhe pasi ata shkëmbyen një puthje në buzë kur Bora hyri në “BBV”, ja ku shfaqet sërish në skenë Einxhel. E larguar në Afrikë ku tha se kishte nisur një jetë të re, ajo papritur rikthehet, hyn në “Big Brother” dhe i afrohet direkt Donaldit, ish-kolegut të saj.

Po ç’do të ndodhë mes tyre pasi ai i ka premtuar Zemanit se do të hyjë vetëm dhe do të dalë po vetëm nga ky reality show? Së pari tregojmë se cila është lëvizja e parë e Einxhelit pas hyrjes në shtëpi, duke qenë se realisht ka hyrë për të trazuar ujërat.

Para pak netësh, vajzat e shtëpisë së “Big Brother VIP” vendosën që të organizonin një festë, e cila do të përfshinte ushqime, pije dhe lojëra të ndryshme. Si pjesë të argëtimit, ato zgjodhën të luanin me dënime.

Djemtë e njohur përgatitën ambientin jashtë në oborr për të luajtur, duke krijuar dy zona: atë të vajzave dhe atë të djemve. Ata ishin ulur përballë njëri-tjetrit dhe nisën të jepnin dënimet me radhë. Arjola Demiri vendosi që t’i japë Einxhel Shkirës një dënim të sikletshëm. Aktorja i kërkoi moderatores që të shkonte te Donaldi dhe t’i përshpërisë një frazë. Shkira pranoi menjëherë që ta realizonte dënimin dhe u çua të shkonte drejt aktorit të humorit.

Pasi u ul në gjunjë, i pëshpëristi në vesh fjalinë: “Je shumë seksi”. Kur djemtë e tjerë e pyetën se cili ishte dënimi, aktori u tha fjalinë dhe bëri një mimikë, që e dekonspironte situatën mes tyre.

Moderatorja Einxhel Shkira hyri në “BB Vip” bashkë me Beatrix Ramosajn dhe Sara Berishën. Teksa po bisedonte me Kledin në oborr pas përfundimit të spektaklit, Shkira tha se ka lënë Afrikën për të ardhur në “Big Brother VIP” dhe komentuesit kanë shkruar se arsyeja e hyrjes është pikërisht Donaldi.

Më herët ajo ka treguar që ishte shpërngulur në Afrikë, sepse po punonte me një projekt shumë të rëndësishëm për të, por nuk dha detaje.

“Jam tip jo aventurier, por kur ngopem me një gjë, kërkoj një gjë tjetër. Për shembull, para se të vija këtu, isha në Afrikë. Faktikisht tani duhet të ikja në Afrikë, por ‘Vëllai i Madh’ më bëri të kthehesha. Në Afrikën Perëndimore. Me punë, me kompani. Një eksperiencë e re me e pa botën pak më ndryshe. Ishin kaq solarë me jetën, më kanë ndryshuar shumë. Kur rri aty e shikon botën me një sy tjetër. Tani e kuptoj që jemi njerëz që merremi me gjëra që s’kanë pikën e vlerës. Ata s’kanë asgjë, por janë njerëz shumë më pozitivë se ne. Të japin energji pozitive. Ndryshe është të shkosh si turiste dhe ndryshe të shkosh me synim profesional siç isha unë”, tha ajo.

Arsyeja pse i hodhi sytë jashtë Shqipërisë, ishte pikërisht zhgënjimi i vazhdueshëm nga puna në televizion, siç ishte dhe prishja kontratës vetëm brenda pak javëve me vëllezërit Veshaj. Në fillim të sezonit televiziv, moderatorja Einxhel Shkira u shfaq në spotin promovues të emisionit “Binjakët”, ku do të ishte në rolin e bashkëprezantueses me Donaldin dhe Romeon.

Mirëpo, duket se bashkëpunimi nuk eci siç duhej, dhe papritur ajo u largua. Me një postim në “Instagram”, Einxhel tregoi se nuk do të ishte pjesë e emisionit për arsye të ndryshme, duke mos thënë gjë konkrete.

“Për arsye të ndryshme, duke filluar që nga sonte nuk do të jem pjesë e show-t Binjakët”, shkruante Shkira. “Zoti ka arsye për të gjitha gjërat që na ndodhin, kështu që ne duhet t’i besojmë rrugës që ai ka planifikuar për ne! Projekte të reja po vijnë. Mezi pres t’i ndaj me ju!”.

Kjo ishte hera e disatë që Einxhel largohej nga programet televizive, pasi largimit nga “E Diell”, ku pati edhe debate me produksionin. Dhe prapaskena e këtij largimi ishte pikërisht xhelozia e Borës, për të cilën Donaldi flet në klipin e Elgit Dodës, “Toxix Love”, ku Donaldi ka shkruar tekstin dhe shfaqet vetë si aktor.

SPOTI I NXEHTË QË ACAROI BORËN, DONALDI ËNDËRRONTE TË KISHTE NË SHTËPI EINXHEL SHKIRËN

Largimi i Bora Zemanit nga formati ku drejtonte me të dashurin e saj, Donald Veshaj, mbylli etapën e emisionit “Treshat”, pasi ajo kaloi në “Top Channel”, ku drejton emisionin “Përputhen”. Vëllezërit Romeo e Donald Veshaj u rikthyen me një tjetër emision të titulluar “Binjakët”, e bashkë me ta tani do ishte edhe prezantuesja e njohur, Einxhel Shkira.

Në atë promo shihej Donaldi tek ëndërronte me sy hapur sikur ka Einxhel Shkirën në shtëpi, por ëndrrën ia prish e ëma që luhej nga Mariana Kondi. Të njëjtën video e postoi edhe Einxhel, duke konfirmuar kështu se ajo do të ishte vajza që do t’i zinte vendin Bora Zemanit, ish-bashkëpunëtorja në televizion dhe e dashura e Donaldit.

Pas postimit të promos, Bora u shfaq papritur në profilin e “Instagram”-it të Donaldit, duke i komentuar më një urim me pak ironi për sukses për projektin e ri! U pa se hyrja e një prezantueseje sharmante si Einxhel, nuk kishte lënë indiferente Borën. Madje, sipas burimeve të çiftit, Bora dhe Donaldi po riprovonin të bashkoheshin në atë kohë, duke frekuentuar sërish njëri-tjetrin.

Por Einxjell u bë përsëri mollë sherri, dhe ndaj u detyruan ta ndërprisnin bashkëpunimin. Çifti që e zyrtarizuan lidhjen pas karantinës, patën disa mosmarrëveshje që çuan në këtë vendim, që u pasua me shpërbërjen e formatit “Treshat”.

Bora dhe Donaldi u konsideruan një nga çiftet më të përfolura, për faktin se luanin me idenë që janë më shumë kolegë që shkojnë mirë në televizion, sesa të dashur. Nuk vonoi dhe ishte Bora, e cila theu heshtjen duke publikuar foton e parë të tyre si çift nga bregdeti i jugut, ku dhe celebruan kështu publikisht këtë histori dashurie të lindur në televizion.

Ajo pranoi në këtë mënyrë hapur marrëdhënien e tyre të dashurisë, ndërsa zgjodhi ta mbulonte fytyrën e tij me një emoji, ndonëse dukej qartazi se ishte ai, duke shkruar: “Me këtë çunin, identitetin e tij nuk dua ta zbuloj”.

Nuk mungoi as komenti i vëllait të tij binjak Romeos, i cili edhe këtë herë nuk hoqi dorë nga ngacmimet, por njëkohësisht foli në emër edhe të familjes se ata e mbështesin dhe e duan këtë lidhje.

“Meqenëse është çuni jot, atëherë edhe unë do e kem si vëlla”, komentoi ai, duke marrë edhe falënderimin, po ashtu me nota humori të Borës. E pas prezantueses, ishte vetë Donaldi që postoi tri foto të tyre në jug, ku pozonin në mënyrë intime, për t’i vënë vulën historisë së tyre.

Postimi i fundit i bërë nga Donaldi ishte një video shumë e këndshme e tyre, që tregonte shumë për marrëdhënien e bukur e sportive që kishin bashkë. Bora është një mami e lumtur e djalit të saj Arbor nga martesa me DJ Vin Velin. Ata e shihnin njëri-tjetrin si familje, pasi kishin nisur bashkëjetesën në Tiranë. Kështu, pas fotove që Bora postonte nga shtëpia e Donaldit në Vlorë, erdhën edhe fotot e pushimeve të tyre në jug, ku moderatorja shfaqej në fillim me gërshetat ngjyra-ngjyra.

Me shumë gjasa i bëri posaçërisht kur vendosi të deklarohej si e dashura e piktorit, Donaldit, i cili në ekran njihet si aktor humori. Pak kohë më parë, Bora kishte bërë një foto duke pirë kafe në kuzhinën e Donaldit, të shoqëruar me dixhiturën: “Gjithçka çfarë dua është dashuri dhe një kafe”.

E disa javë më pas, në programin “E diela shqiptare” ku gatuante Donaldi, ndjekësit vunë re që kuzhina ku kishte bërë fotot Bora ishte në fakt shtëpia e Donaldit. Gjatë këtij emisioni, Arditi nuk la rast pa i ngacmuar Borën dhe Donaldin për marrëdhënien e tyre të dashurisë. Në një moment, teksa zbritën shkallët e restorantit, Donaldi i veshi sandalen Borës dhe i pyetur nga Gjebrea, e cilësoi atë si Hirushe.

“Dhe kur e pyes unë je ti Hirushja, ajo thotë ‘po’. Pyes Donaldin: Je ti princi? Ai thotë ‘po’”. Shpesh, paparazzi i “Panorama Plus” i ka fotografuar të veshur në stilin sportiv në shoqërinë e njëri-tjetrit, fakt që tregon se ata ishin 24 orë në 24 bashkë, për shkak edhe të projektit të përbashkët që bëjnë në televizion.

Prezantuesja, e cila i dha fund lidhjes disavjeçare me Dj. Vin Velin, vendosi ta konfirmonte deri diku historinë e re të dashurisë në emision. Prej muajsh përflitej se ajo dhe aktori ishin në një lidhje, por në fillim u komentua si një thashethem i radhës. Mirëpo, lajmi kishte një ekskluzivitet në ekranin e televizionit ku ata punonin.

Po tani ç’do të ndodhë me Borën dhe Donaldin, ndërkohë që kanë përjetuar jo vetëm një ndarje, por edhe përballje e puthje në ekran, pikërisht në “Big Brother VIP”. Le të shohim nëse Einxhel do të hapë një luftë të re mes tyre, duke qenë se e kanë dëshmuar të dy që xhelozia është arsyeja kryesore e ndarjes. Për Donaldin, xhelozja më e madhe është Bora, aq sa ka arritur dhe i ka marrë “Instagramin” për ta kontrolluar në çdo aspekt.

/Panoramaplus.al