Einxhel Shkira flet për depresionin postpartum

Në një seri pyetje-përgjigjesh në profilin e saj në Instagram, moderatorja Einxhel Shkira foli ndër të tjera për depresionin postpartum (depresionin pas lindjes).

Në fillim të videos, Einxhel u shpreh se nuk mjafton një postim për këtë temë – ndaj ajo do ta trajtojë gjerë e gjatë në një video në kanalin e saj në YouTube – e megjithatë ajo tha: “Mendoj se të gjitha e kalojmë…thjesht secila nga ne e përjeton dhe proceson në mënyrën e saj këtë lloj depresioni.”

“E di që është e vështirë dhe e keqja është që vetëm ne mund ta kuptojmë njëra-tjetrën, por do t’ju këshilloja ta përqëndroni të gjithë dashurinë te bebi dhe mirëqenia e tij dhe tek asgjë tjetër, asnjë shqetësim tjetër dhe asgjë rrotull,” tha Einxhel.

Në vijim gjeni një informacion përmbledhës mbi depresionin e paslindjes tek gratë, port edhe burrat.

Depresioni postpartum te gratë: 4 shenja që duhen njohur

Të marrësh një vendim duket diçka terrorizuese: Nënat e prekura nga depresioni pas lindjes kanë gjatë gjithë kohës ndjesinë se vendimet e tyre lidhur me fëmijën mund ta dëmtojnë atë. Ato janë të terrorizuara nga marrja e vendimeve dhe mendojnë se nuk po bëjnë një punë të mirë.

Nuk fle as kur fle fëmija: Pjesa më e madhe e nënave të reja nuk flenë gjumë sa duhet në muajt e parë pas lindjes. Por, në rastin e depresionit pas lindjes, nënat shpesh nuk flenë as kur foshnja fle dhe mungesa e gjumit sjell probleme të reja.

Ndihesh e trishtuar dhe e stresuar gjatë gjithë kohës: Ekspertët shprehen se është normale që në javët e parë pas lindjes, nëna të ndihet disi e mërzitur, të qajë apo të ndihet e stresuar. Por, nëse kjo gjendje vijon për një kohë më të gjatë, do të thotë se mund të keni të bëni me depresion pas lindjes.

Mendoni se mund të lëndoni veten ose fëmijën: Edhe nëse nuk keni kurrë ndërmend të bëni një gjë të tillë, por këto mendime ju kalojnë nëpër kokë, është shenjë se duhet të flisni me një mjek. Sigurisht që mund të keni turp të flisni me dikë tjetër për këto mendime, por ndihma e menjëhershme është një domosdoshmëri, si për ju, ashtu edhe për fëmijën dhe familjen tuaj.

Depresioni postpartum te burrat

Fakti që burrat nuk përjetojnë aq shumë ndryshime fiziologjike pas lindjes së fëmijës, nuk do të thotë se nuk preken nga depresioni i paslindjes. Krejt e kundërta: depresioni i baballarëve të rinj është një problem ekzistues dhe në botë ka shumë raste të tilla.

Të bëhesh me fëmijë sjell ndryshime rrënjësore në stilin e jetesës, edhe nëse lindjen nuk e ke bërë ti. Te gratë, nivelet e luhatshme hormonale dhe ndryshimet neurokimike që ndodhin në tru ndikojnë në një masë të madhe. Por në fakt, një studim i “American Journal of Human Biology” ka treguar se edhe burrat përjetojnë çrregullime hormonale pas lindjes së një fëmije. Ulja e nivelit të testosteronit mund të shtojë rrezikun e depresionit dhe ankthit.

Shtoji kësaj pasoja të tjera si stresi kronik, ushqyerja e parregullt dhe mungesa e gjumit, edhe ata i kanë të gjitha gjasat të kalojnë një episod depresioni, që në pakujdesi mund edhe të shndërrohet në depresion kronik.

Por nuk janë vetëm ndryshimet hormonale ato që luajnë rol tek depresioni pas lindjes i burrave. Një prej faktorëve është edhe ndjesia e shkëputjes nga nëna dhe fëmija, pasi në shumë raste babai lihet jashtë proceseve kryesore të rritjes së bebes. Është tejet e rëndësishme që babait t’i jepet mundësia të krijojë lidhje me fëmijën dhe të ndihet i dobishëm në përkujdesjen për të.

Mbi të gjitha, presioni i kulturës karshi prindit mund ta bëjë këdo të ndihet i paaftë. Pritshmëritë e larta ndaj mamasë dhe babait, që të kujdesen për fëmijën në një mënyrë të caktuar, janë zakonisht shumë larg realitetit të një jete pa gjumë, me kequshqyerje dhe hutim, ku prindërit e kanë tepër të vështirë të bëjnë çdo gjë në përsosmëri, me gjithë ngarkesën që vjen befas në jetën e tyre.

Anabelmagazine