Egla Harxhi: Unë dhe Alexandre lamë Parisin për të bërë Libofshën si Ibiza, miqtë miliarderë që po na mbështesin!

Në Shqipëri rikthehet pasi thotë se në kryeqytetin francez bëri jetë të ngjashme si në filmin “Mesnatë në Paris” të Woody Allen. Ish-Miss Albania Egla Harxhi thotë se në Paris arriti të takonte e të shoqërohej me personazhe që i kishte lexuar në libra, e parë vetëm në filma. Protagonistin kryesor të asaj tabloje mes milionerësh e ka me vete, partnerin Alexandre de Basseville, fotografin me famë botërore nga lidhja me të cilin erdhi në jetë Luxifer. Për planin për ta shndërruar Libofshën në një Ibiza, detajet e projektit dhe miqtë miliarderë që po u shkojnë pas symbyllur, duke besuar te vizioni i tij, Egla flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Të shohim gjithmonë e më shumë në Tiranë. Cila është e vërteta e kthimit tënd në Shqipëri, pse e le Parisin në një kohë ku shumë duan të largohen nga ky vend?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje lidhet ngushtë me arsyen pse doja të largohesha fillimisht nga Shqipëria. Ishte e qartë për mua në një moment të jetës time se e ardhmja nuk ishte këtu. Ky vendim për t’u larguar nuk vinte nga nevoja ekonomike siç ka ndodhur, fatkeqësisht, me shumë të rinj shqiptarë, por në thelb erdhi si nevojë për t’i dhënë shpirtit frymëmarrje. Frymëmarrje sepse ne si popull, për shkak të stigmatizimit historik që manifestohet në breza, vrasim dhe shtypin shpirtin njerëzor nëpërmjet frikës dhe presionit, dhe frika vret shpirtin, siç thoshte Gandhi. Kemi vrarë shpirtin e këtij vendi, dijen, kulturën dhe kemi shkelur me këmbë vlerën për t’u lënë vendin antivlerave, padrejtësisë dhe keqdashësisë.

Egla-4

Po thua që kur u largove nuk kishe ndërmend të ktheheshe, po çfarë ta ndryshoi mendjen, aq më tepër që krijove familjen tënde jashtë?
Kur u largova nuk kisha më në mendje të kthehesha, në mënyrë absolute jo, por sot i jap më shumë kuptim thënies: Kurrë mos thuaj kurrë! Jam kthyer sepse për herë të parë kam diçka, tek e cila besoj me çdo qelizë. Besoj te kauza e ndryshimit të Shqipërisë në një sistem të ri politik, ekonomik dhe shoqëror, besoj te fakti se ky vend do të bëhet dhe se sot refuzoj nga kushdo shprehjen që është kthyer në një mantra: “Eh, harroje, ky vend nuk bëhet!” Se çfarë do të thotë “bëhet”, asnjëri nuk e di, por një gjë është e sigurt, që çdo gjë bëhet ashtu siç ti e mendon dhe e projekton.

Mes rreshtave lexohet një kthim me mision, më shumë sesa një vendim personal. Si kanë qenë këto vite për ty në Paris?
Këto vitet e fundit kanë qenë orvatje për t’i dhënë kuptim jetës, sepse në konceptin tim filozofik dhe ekzistencial, dy fakte qëndronin për mua mbi gjithçka. E para, që çdo gjë është shkak-pasojë, dhe e dyta që jemi të përgjegjshëm për çdo veprim, aksion që kryejmë. Nëse Shqipëria është në këtë gjendje sot, është sepse jemi të gjithë përgjegjës për veprimet që kemi bërë, apo jo? Parisi më dha shumë mundësi për t’u zhvilluar, dhe qenë në kontakt me njerëz që i kisha parë vetëm nëpër filma e libra, duke u futur në një përvojë të ngjashme me filmin “Mesnatë në Paris” të Woody Allen, ku përplasja e qasjeve artistike, politike dhe shoqërore kishin ndodhur në arenën pariziane, por jo vetëm në 100 vitet e fundit. Nevoja ime ka qenë që të rrethohesha me njerëz të zgjuar dhe përdor fjalën “të zgjuar”, jo vetëm për nga aspekti i inteligjencës, por dhe nga zgjimi shpirtëror. Nga ky moment fillova t’i shoh gjërat globalisht, duke u thelluar mbi historinë, ekonominë, politikën për të kuptuar gjithmonë e më shumë në kompleksitet jetën. Sa më shumë thellohesha aq më i vështirë bëhej perceptimi im mbi gjërat, dhe aq më shumë rritej dhe ndjeshmëria ndaj realitetit.

Egla-3

Si ka ndikuar partneri yt në këtë aspekt, të ka ndihmuar apo ta ka bërë më të vështirë?
Alexander më ka ndihmuar shumë në këtë aspekt, duke më transmetuar njohuritë e referencat e tij, me dëshirën e madhe për të më dhënë mjetet që të zhvillohesha më tej në kërkimin tim. Momenti kur çdo gjë ndryshoi dhe rrjedha e ngjarjeve mori rrugën e saj ishte kur Alexander më pyeti në takimin e parë se nga vija. Në mendje, e lodhur nga paragjykimi i fshehtë dhe i ftohtë i perëndimorëve kur thua se vjen nga Shqipëria, i thashë nga Shqipëria me vendosmëri, për të ngjarë sa me bindëse (qesh). Dhe reagimi direkt ishte: “So you are from Illyria, you are from the country of Mother Theresa of Skanderbeg? (Kështu ti je nga Iliria, nga vendi i Nënë Terezës dhe Skënderbeut?)” Në atë moment thashë me vete: “Ky është një njeri i çuditshëm!” Njohuritë që ai kishte për Shqipërinë tejkalonte dhe atë që unë dija për vendin tim.

Vendimi për të lënë Parisin e për t’u rikthyer në Tiranë ishte i tipit impulsiv?
Sigurisht njerëzit mendojnë se vendimi për të ardhur këtu është marrë brenda ditës, dhe projekti, studimi, analiza e situatës janë bërë me të kërciturat e gishtave, por jeta nuk është e tillë asnjëherë. Çdo gjë në fakt kërkon kohën e saj, mundin dhe lodhjen. Por kur e bën diçka se e beson, motorët e energjisë ndizen dhe nuk të lënë të flesh më as natën. Sot jam këtu, dhe megjithëse situata në Shqipëri është kritike, mendoj që jemi në momentin më të mirë për t’i dhënë fund një sistemi, i cili është qartazi dhe i ekspozuar për të gjithë tashmë se nuk ka prodhuar asgjë pozitive për të ardhmen.

Një ish-Miss që po lë të kuptosh se në fakt ke ardhur me një projekt politik në mendje. Ambicia jote është të jesh person publik?
Ndoshta, sot që e mendoj, nuk ka qenë asnjëherë misioni im të bëj diçka të përcaktuar nga një kuadër profesional apo një pozicion, pra, një titull të dhënë nga shoqëria. Nuk kam rendur asnjëherë mbas titujve, por mbas ideve dhe ndërtimit e konkretizimit të tyre. Nuk ka qenë asnjëherë qëllimi im, përmbushja ime në jete, të jem një person publik, edhe pse projektimi prindëror ka qenë shumë impozues. Gjë që, përmes një autoterapie frojdiane kupton se kordoni umbelikal duhet të pritet jo vetëm fizikisht por psikologjikisht, duke i lënë hapësirë vetes të njihesh me unin tënd, e shkëputur nga rrethanat. Jemi të gjithë të ndryshëm dhe kjo e bën të bukur dhe të larmishme jetën.

Egla-2

Ju dhe Principata e Libofshës, a keni një objektiv real apo e gjitha është utopi?
Objektivi është që në zonën e Libofshës të krijohet një rezervë natyrore, e cila në bazë ka mbrojtjen e ekosistemit. Kemi punuar gjatë për të përpiluar një projekt zhvillimi ekologjik, i cili në koncept ka një stil jetese në autonomi totale dhe të pavarur nga shoqëria e konsumit dhe falsitetit. Duhet të kthehemi tek esencialja, te bazat e natyrës. Do të ketë ndërtime të cilat kanë impakt zero në ambient, elektricitet me energji diellore, riciklim i ujit. Fermerët e zonës janë të gatshëm të bashkëpunojnë për zhvillimin e agrikulturës dhe projektit në tërësi. Kemi disa marrëveshje me partnerët e biznesit për t’i dhënë formë projektit.

Lind pyetja si do të realizohet ky projekt, kush janë financuesit?
Shumë miq tanë miliarderë, të cilët sot, mbas një pasurimi kolosal, po i bëjnë pyetjen vetes se ku po shkojmë si shoqëri, ata vetë i janë kthyer një stili jetese ku nuk besojnë më te konsumi eksesiv që po shkatërron planetin. Ata janë gati të ndjekin Alexander symbyllazi në këtë projekt sepse vërtet besojnë te vizioni që ai ka. Kur ka shkuar për herë të parë në Ibiza për të investuar, ishte një ishull që nuk kishte asgjë sepse në atë kohë vendi ku të gjithë shkonin ishte Saint Tropez. Askush nuk kishte besim tek Ibiza. Por shikoni Ibiza sot. Kur dëgjoj nga miqtë e tij që e kanë ndjekur për vite, të njëjtën gjë ka bërë në; Tulum, Goa, Bali, Punta del Este. Sot janë vendet më atraktive në botë. Duke parë zhvillimin që këto vende kanë pasur në sajë të aktiviteteve që ka krijuar, si për shembull; “Full moon party” në Goa ka sjellë një komunikim dhe marketing të jashtëzakonshëm. Ndaj “jet seti” internacional e di që kur ai zgjedh një vend, ai vend kthehet në një model suksesi. Shumë prej tyre kanë propozuar të sjellin në Libofshë madje dhe luanë ose specie, të cilat janë në zhdukje sot, dhe plani është që të krijohet një rezervë natyrore me varietete speciesh të florës dhe faunës për t’i mbrojtur. Ne do të vendosemi brenda këtij viti atje në një vend që nuk do e bëjmë publik, për momentin. Kjo kohë deri tani ka qenë periudhë përgatitore, studimi, analizimi dhe strukturimi. Tani jemi gati për aksion!

Egla-1

Si e gjen veten ti në këtë realitet, ku të gjithë vrapojnë pas luksit. E ndien presionin?
Mendoj se kjo histeri narciste për të treguar se ekzistojmë qoftë edhe për 5 sekonda virtualisht, e ka shtyrë rininë të besojë në një realitet të deformuar. Sot shoh një shoqëri që në masë dëshiron vetëm një gjë, jetë luksi, makina të shtrenjta, rroba të shtrenjta, një shoqëri ku çdokush mban nga një markë në ballë dhe rend gjithë ditën mbas like-ve dhe komenteve. Presioni është shumë i lartë tek ajo që duhet të duket, tek imazhi, sa trishtohesh kur sheh adoleshentët që janë gati të bëjnë çdo kompromis me trupin me dinjitetin dhe shpirtin për të arritur 1 K më shumë. Impakti që Pikaso kishte një shekull më parë në shoqëri, sot me zor do t’i bënte 100 followers. Kemi zëvendësuar intelektualët me imazhe të pompuara me hiç, duke i kthyer në ndikuesit e mëdhenj të këtij shekulli.

Pavarësisht të gjithave, mendon se e ke gjetur formulën e një jete të qetë dhe të sigurt?
Unë përfaqësoj atë gjeneratë që është rritur nga prindër të stigmatizuar nga një e kaluar e errët si komunizmi dhe privimi i lirisë, gjë që mua as nuk më është dashur të luftoj për këtë, sepse lirinë e kam marrë gjithmonë për të mirëqenë. Jam rritur me privilegjet që më janë dhënë, por sot kurrsesi nuk i marr më për të mirëqena, sepse jam e qartë se çdo gjë është e përkohshme, edhe jeta. Ti nuk e di asnjëherë se si vjen dhe duhet të të gjejë të përgatitur për çdo rast. Në fund të çdo konkluzioni që nxirrja, merrja të njëjtën përgjigje. Askush nuk e ka formulën e saktë se si duhen bërë gjërat, por ka gjithmonë një sens të përbashkët për të mos cenuar veten dhe tjetrin dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet edukimit dhe komunikimit. Në fund të ditës jemi thjesht të përkohshëm, e rëndësishme është ta kuptojmë që kemi vetëm një hapësirë kohore për të jetuar dhe pyetja është si do ta jetosh ti këtë kohë./PANORAMA PLUS