Egla Harxhi: Si erdhëm në qejf për skenat e dashurisë, Elena kërkoi një gotë verë, ndërsa unë mjaftohem me kafe
Si nisi historia e setit të fotove intime me Elenën?
Na erdhi ideja që të bënim diçka të fortë dhe intensive, meqenëse seti ishte i destinuar për në Los Angeles. Kështu integruam Elenën si personazh të një historie shumë “funny”. Me ne gjatë setit ishte Alexandra, krahu i djathtë i Tom Ford, që është shumë shoqe me Elodie. Duke pozuar, Alexandra i rregulloi buzëkuqin Elenës, sepse ishim të gjithë midis miqsh dhe po kënaqeshim. Pas setit i thashë Elenës se “kam përshtypjen që nuk ia ke idenë se kush ta bëri buzëkuqin”…
Sa orë u deshën për të realizuar fotot?
Zakonisht një set normal zgjat 1-2 orë. Ndërsa ne filluam në 13:30 dhe mbaruam nga ora 19:30, pasi në këtë rast kishim edhe filmime që nuk ishin backstages, por për të realizuar filmin. Aty pashë mjeshtërinë e Ales, pasi në të njëjtën kohë filmonim dhe bënim fotot. Çdo gjë e kishte në kokë shumë të qartë…
Këto foto sensuale me Elenën i ka realizuar fotografi i Melania Trump. Duket se syri i tij i rafinuar ka evidentuar kiminë mes jush apo jo?
Ale konsiderohet nga të gjithë si artist i talentuar, dhe është një fat shumë i madh të bashkëpunoj me të në çdo projekt. Ai ka një ndryshim shumë të madh nga fotografët e modës, pasi arrin të nxjerrë atë që ke në shpirt, gjë që është shumë e rrallë. Nuk bën retushim, nuk është aspak komercial, dhe kur bëjmë setet është një festë e vërtetë për ne.
Konsumoni ndonjë pije para setit për të ardhur paksa në qejf?
Unë nuk konsumoj alkool prej vitesh, por jam gjithë kohës në qejf pa pirë gjë. Elena kërkoi një gotë verë, por atmosfera krijohet nga humori i njerëzve dhe zakonisht nga dëshira për ta bërë me qejf dhe pasion punën. Fotografi konsumon alkool në masa të vogla kur del në përgjithësi, po gjatë shooting nuk e kam parë asnjëherë të pijë. Kafe po, pa fund, ndërsa unë mund të pi 2-4 kafe.
Vajzat e ndrojtura mund të jenë fotomodele të mira, apo kjo punë s’bën për to?
Hmmm… Mund të themi që shumë vajza që takoj janë shumë të ndrojtura dhe të mbyllura, dhe e kanë shumë problem ta shprehin sensualitetin, forcën, seksualitetin e tyre qoftë edhe vetëm përmes fotove. Por sa vihen në kontakt me njerëz të cilët janë të hapur e që nuk i gjykojnë, që nuk duan të përfitojnë prej tyre, sheh një transformim dhe liri tek to, që është shumë bukur ta shohësh dhe ta përjetosh.