Egla Harxhi rrëfen lindjen e djalit nga lidhja treshe: “Vuajta katër ditë, ja pse e quajtëm Luxifer”

Më datë 6 janar, Egla Harxhi u bë nënë për herë të parë e një djali. Ish-miss Shqipëria ka qenë në qendër të vëmendjes për lidhjen e saj poligame me fotografin e famshëm Alexandre Alé De Basseville dhe një vajzë tjetër, Alesia. Pak ditë më parë ata janë bërë prindër të një djali të quajtur Luxifer, një emër ky i cili është kritikuar shumë në media. Në një lidhje telefonike me “Top Albania Radio”, Egla ka sqaruar kuptimin e emrit të të birit si dhe vështirësitë me të cilat është përballur gjatë lindjes. Ajo është shprehur se emri Luxifer nuk është një emër francez por latin. Nga latinishtja “lux” do të thotë “dritë”, ndërsa “fer” mbajtës, pra Mbajtësi i dritës. Duke folur për procesin e lindjes, tregoi se pati vështirësi të shumta dhe për këtë arsye lindja zgjati rreth katër ditë. Por gjithë kësaj vuajtjeje dhe bekimi ajo i jep një shpjegim mbinatyror. Ajo tregoi se 3 ditët e para, Francën e goditi një stuhi e fortë ndërsa në ditën e katërt kur lindi Luxifer, dolën rrezet e para të diellit. Këtë gjë ajo e ka konsideruar si një ogur të mirë për foshnjën e porsalindur.