Edit Mihali rrëfen martesën e çuditshme: “Si jetova 17 vite tek mamaja ime dhe e takoja burrin si të dashur”
Edit Mihali ka treguar në një intervistë për programin “Rudina” historinë e jetës së saj që i ngjan më shumë një filmi. 17 vitet e para të martesës jetoi e ndarë nga bashkëshorti. Ishin bashkë, të dy në Tiranë, por zgjodhën të jetonin secili tek prindërit e vet. Po deri sa të shkonin tek martesa, përjetuan një sërë peripecish. E ëma e Editit nuk e donte djalin që kishte fituar zemrën e vajzës, vetëm se ai ishte 15 vjet më i madh.
“Mamaja ime nuk donte, nuk e pëlqente. Kur i thoshin kemi parë Editin me një djalë me biçikletë të kuqe, ajo e kishte vdekje. Më ka mbyllur edhe me çelës, kur Kopi kishte diplomën. Nuk shkova dot ta shikoja. Fishkëllimat e tij nuk kishin fund. Kur mamaja ime e kuptoi që unë s`po hiqja dorë, më tha: E di ç`ke? Merr valixhen edhe ik. Pra ika pa fejesë, pa martesë, pa asgjë.
Mbeta shtatzënë shumë shpejt. U shtrova në spital dhe mamaja u kujdes shumë, meqë ishte në fushën e shëndetësisë. Më mori pastaj në shtëpinë e saj sepse kushtet i kishim më të mira se sa tek shtëpia e burrit. Djali lindi tek mamaja ime dhe prej aty doli 17 vjeç. Unë jetova tek nëna, burri në shtëpinë e tij. Ishte kaq bukur. Vazhdonim takoheshim si të dashuruar. Kur morëm shtëpinë, pas një sërë vuajtjesh, u ribashkuam për të jetuar të tre: Unë, burri dhe djali. Pastaj nuk ishte më njësoj. Im shoq dilte pasditeve vetëm, e unë rrija në shtëpi. 17 vitet që jetuam të ndarë kanë qenë më të bukurat. Ishim kudo bashkë.
Na mbanin mend të gjithë si çifti që dilnim vetëm të dy”, rrëfeu Edit Mihali dhe ku ka më bukur po ta mendosh. Edhe e martuar, edhe të jetosh tek mami, shkruan Alpenews.