
Edi Reja: Igli Tare është kokëfortë, por unë jam fansi i parë i tij
“Jam fansi i parë i Igli Tares”. Edi Reja e përkufizon veten kështu. Me të si trajner dhe shqiptarin si drejtor sportiv (dhe gjithfarë punësh), Lacio ishte shumë pranë kualifikimit në Champions Ligë si në sezonin 2010-11 (u rendit e pesta vetëm për shkak të diferencës së golave) ashtu edhe në 2011-12 (e katërta, por atëherë Italia kishte vetëm tre vende), duke luftuar deri në fund me Udinezen e Sançezit, Di Natales, Handanoviçin dhe Benatianë.
Dhe ta mendosh që në sezonin 2009-10 bardhekaltrit rrezikonin rënien nga kategoria. “Ishte pikërisht puna e Tarës, sapo ishte bërë drejtor sportiv, që e solli Lacion aty ku i takonte më shumë”, ka treguar Reja.
“Me të, Milani fiton një profesionist serioz, të kujdesshëm, ambicioz dhe të aftë. Di që edhe Maldini e kishte dëshiruar në klub disa vjet më parë. Për mua, kuqezinjtë kanë zgjedhur njeriun e duhur për të rifilluar”, thotë ai.
Çfarë kujtoni nga bashkëpunimi me Taren?
Për mua ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Punon si i çmendur. Qëndron në zyrë gjithë ditën, nuk heq kurrë vëmendjen nga puna. Shikon video pa pushim, 24 orë në 24, dhe ajo që është mbresëlënëse, është se i sheh vetëm. Nuk dëshiron të ndikojnë në gjykimet e tij.
Çfarë nënkuptoni?
Vendimin për blerjet e bën ai. Pra, dëshiron të jetë i bindur për lojtarët që merr. Nuk do të merrte kurrë një lojtar pa e studiuar me kujdes, pavarësisht se kush ia sugjeron.
Çfarë goditjesh kujtoni prej tij?
Më solli Hernanesin që luante ende në Brazil, po ashtu si Felipe Anderson apo Andre Diash, për vite me radhë shtyllë mbrojtjeje e Lacios. Igli është një skaut shumë i aftë, zgjedh lojtarë funksionalë. Ka nuhatje: mori Lihtshtajnerin ende shumë të ri, por më dhuroi edhe Miro Klose, që është lojtari më i fortë që kam pasur.
Dinte të identifikonte talentet që ishin gati të shpërthenin, por edhe lojtarët me përvojë që mund të ngrinin nivelin e skuadrës. Klose ishte mik i tij, erdhi në Romë mes skepticizmit të përgjithshëm, sepse te Bajerni nuk luante më. Por, në Romë, Miro bëri mirë për një kohë të gjatë, duke fituar Kupën e Botës si protagonist. Merita nuk ishte vetëm e Kloses, profesionist i madh, por edhe e Iglit, që i kishte besuar.
A i dëgjonte kërkesat e tij për merkato?
Po, midis nesh kishte dialog. Nuk vepronte sipas kapriçove të veta. Më mori Marketin, që e doja shumë, po ashtu edhe Kandrevën. Por, kam një pendesë të madhe…
Cila?
Kishte marrë Mirandën, që ishte ende i panjohur. Por, për arsye burokratike, jo të lidhura me Tarën, marrëveshja dështoi dhe Miranda luajti për vite me radhë me Atletikon e Madridit të Simeones dhe pastaj të Interit. Do të më kishte pëlqyer ta stërvitja.
Ka pasur edhe dështime, apo jo?
Sigurisht, por kjo është normale. Dhe Lacio në atë kohë kishte kufizime financiare. Nuk ishte punë e lehtë.
Si i udhëheq ai negociatat?
Nuk e di me siguri. Nuk isha aty. Por, duke parë lojtarët që ka marrë gjatë viteve, do të thosha që është i mirë edhe në këtë aspekt.
A mund të përballojë presionin e një klubi si Milani?
Për mua, ai është zgjedhja ideale për Milanin, që do ta ndihmojë ta rindërtojë klubin. Po flasim për një person të aftë dhe karakteri i tij është shumë i fortë. Nuk e përkulin apo trembin asgjë. Dëshiron të arrijë qëllimet që vendos për vete. E konsideroj kokëfortë, por duke qenë edhe ambicioz, do të thosha se kjo është një gjë e mirë.
konica.al