E trishtë! Ngordh qeni që shpëtoi dy njerëz nga gërmadhat e tërmetit në Turqi

Proteo, një qen nuhatës nga Meksika, humbi jetën duke u përpjekur t’i shpëtonte jetët e të tjerëve, në gërmadhat e tërmetit në Turqi.Mediumi “Novi” tha se qeni ishte pjesë e ekipit të shpëtimit meksikan dhe para se të ngordhte, i shpëtoi dy persona.

“Faleminderit Proteo për punën heroike. Ju keni përfunduar misionin e ushtrisë meksikane”, thuhet në njoftimin e ministrisë meksikane të Mbrojtjes.

Qentë ushtarakë janë përfshirë në gjetjen e trupave që u bllokuan nga gërmadhat e tërmetit tragjik në Turqi e në Siri, kërkime që vazhdojnë akoma dhe sot.

Numri i viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri ka shkuar në 36.217, raportoi CNN-i të hënën. Vetëm në Turqi, numri i të vdekurve është regjistruar 31.643, ndërsa në Siri 4.574.

Qendra Turke e Koordinimit të Emergjencave njoftoi se këto shifra përfshijnë 3.160 zona nga pjesët ku kontrollohet prej opozitës siriane veriperëndimore.

Autoritetet kërkuese turke dhe gati nga e gjithë bota po i vazhdojnë kërkimet e njerëzve që mbetën të bllokuar në rrënojat e tërmetit.Të hënën u bë një javë qëkur në Turqi u regjistrua një dridhje toke me 7.8 shkallë të Rihterit.