E përlotur, Beniada Nishani flet për herë të parë për ndarjen

Pak pas daljes nga “Big Brother VIP”, Beniada Nishani zbuloi se kishte nisur një lidhje dashurie. Ajo u shpreh në intervista të ndryshme shumë e dashuruar me partnerin e saj, identitetin e të cilit nuk e zbuloi asnjëherë, ndonëse në mediat sociale publikoi disa foto romantike duke ia fshehur portretin.

Në media u aludua se ajo ishte në lidhje më vëllain e Arbër Hajdarit dhe ish-futbollistin e Tiranës, Blerti. Sipas zërave që qarkulluan dyshja u njohën në “Procesi Sportiv” dhe u fotografuan disa herë bashkë në evente të ndryshme. Gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk i konfirmoi asnjëherë këto zëra.

Ajo që u konfirmua pak javë më parë ishte ndarja e modeles. Vetë Beniada ka thyer heshtjen sot duke folur për herë të parë mbi ndarjen. E ftuar në “Wake Up”, Beniada u shpreh mirënjohëse për lidhjen për aq sa zgjati. E përlotur nga emocionet e bukura, modelja i uroi më të mirat ish-partnerit.

“Ka rëndësi çfarë ne jetojmë. Edhe nëse një lidhje mbaron ka rëndsi ta kemi shijuar. Si ka shkuar, ka shkuar, s’ka rëndësi. Ne duhet të marrim vetëm kujtimet e bukura. I uroj më të mirën vetes dhe atij personi sepse meriton më të mirën. Kur je pozitive të shkojnë gjërat mbarë. Edhe nëse kam kaluar një verë me ulje-ngritje, jam e lumtur. Tani jam single dhe mendoj se do vijë një dashuri shumë e bukur.”-tha ajo.

E pyetur për projektet televizive, Beniada u shpreh se nuk ka ende një projekt konkret. Por, shtoi se do që të sjellë edhe projekte që lidhen me modën.

“Kam disa surpriza, jo vetëm me televizionin. Beniada nuk është një personazh që do të merret vetëm me televizionin. Dua t’i jap Shqipërisë pak nga moda italiane. Dua të bëj emisione të bukur interesante. Jo thjesht të rri të ngrohë karrigen aty.”