E papritur! Ardit Gjebrea në garën e Eurovizion
Një lajm surprizues vjen nga Eurovision. Në eventin e madh ndërkombëtar që këtë vit do të mbahet në Suedi nga data 7 në 11 maj nuk do ketë vetëm një këngëtar shqiptar si çdo vit. Për herë të parë në histori, ky festival do ketë “dy Shqipëri”, pasi një nga këngët pretendente dhe një nga këngëtaret më premtuese të momentit, shkon gjithashtu me “vulë shqiptare” në kryeqytetin nordik. Bëhet fjalë për Gjeorgjinë dhe për këngëtaren Nutsa Buzaladze, që kanë zgjedhur të kenë producent artistik të këngës së tyre përfaqësuese, një artist shumë të njohur shqiptar, Ardit Gjebrenë.
Natia Mshvenieradze, kryetare e Delegacionit të Gjeorgjisë në Eurovizion dhe drejtuese e Departamentit të Marëdhënieve me Jashtë në televizionin publik gjeorgjian, konfirmoi dje për gazetën DITA se nga 300 projekte për Nutsa Buzaladze që u paraqitën në këtë televizion, komisioni zgjodhi tre për fazën finale: Këngën “Firefighter” nga Darko Dimitrov, një tjetër nga kompozitori suedez Thomas Gi:Son (fitues dy herë i Eurosong me Loreen, me këngët “Euphoria” dhe “Tattoo”) dhe këngën e kompozitorit gjeorgjian, George Pruidze.
Në fund Komisioni zgjodhi fitues për të përfaqësuar Gjeorgjinë në Eurovision, këngën Firefighter! Por surpriza vjen kur shikon producentin artistik të kësaj kënge vërtetë të fuqishme që i përshtatet mirë profilit skenik të këngëtares gjeorgjiane.
“Ne e ftuam Arditin për ta ndjekur deri në fund projektin e tij dhe jemi shumë të lumtur që ai pranoi t’i bashkohej skuadrës sonë” – tha Mshvenieradze në njoftimin e saj mbi projektin fitues.
I kontaktuar nga DITA, Gjebrea e konfirmon lajmin e televizionit publik gjeorgjian. Ai shpjegon edhe lidhjen e veçantë që ka me Shqipërinë këngëtarja gjeorgjiane, e cila është mjaft e kuotuar në botën e muzikës për momentin.
“Nutsa ka marrë pjesë para katër vitesh në Kënga Magjike dhe ka patur rezultatin më të mirë që ka patur ndonjëherë një artist i huaj në këtë festival. Pasi u shpall pjesëmarrja e saj në Eurovision, për shkak të suksesit të saj në Rusi dhe në Amerikë me American Idol si finaliste, ajo më mori në telefon dhe më tha: “Ardit do të doja që edhe ti të paraqisje një projekt tëndin për mua në Eurovision”. I thashë, pse jo me shumë kënaqësi, më thuaj natyrën e këngës që dëshiron. Ajo më dërgoi dy tre tipe këngësh. Unë mendova që kompozitori më i përshtatshëm për natyrën që ajo ka dhe këngën që ajo kërkonte, ishte Darko Dimitrov. U lidha me Darkon, ai pranoi dhe pasi eksploruam demo të ndryshme, në fund Darko më dha një propozim fantastik të këngës që është sot. Pra kënga me titull “Firefighter” për të cilën po më pyesni. Me Darkon ia treguam Nutsës këngën, ajo e pëlqeu” – tha Ardit Gjebrea në një prononcim për gazetën DITA.
Jo vetëm Dimitrov por edhe trupa e baletit që shoqëron këngëtaren gjeorgjiane është zgjedhur nga stafi shqiptar. Gjebrea tregon:
“Te Kënga Magjike kam patur fatin që të vijnë balerinët më të mirë, të kanalit italian 5, që janë protagonistë dhe fitues të “Amici”-t të famshëm të Maria de Filipit. U vumë në lidhje me ta, me dy koreografë, dhe u konceptua edhe performanca e Nutsës që do shihni në skenë natën e dytë të Festivalit Europian. Pra ne shkuam me një projekt të plotë në Televizionin publik gjeorgjian. Jam i lumtur që shkoj në Festivalin Europian si producent artistik. E kam provuar me Juliana Pashën në vitin 2010 dhe tani me një shtet tjetër si Gjeorgjia. Ndihem i lumtur dhe krenar” – thotë Gjebrea.
Lajmi ka qenë surprizues edhe për artistë të tjerë shqiptarë. Me suksesin e saj në American Idol dhe me lidhjet që ajo ka krijuar tashmë në Shtetet e Bashkuara, artistja gjeorgjiane mund të zgjidhte këdo, që me siguri do ishte në dispozicion të saj. Por telefonata e saj e parë dhe e vetme ka qenë drejt Tiranës. Rezultati është “Firefighter”, një këngë vërtetë emocionuese si tekst, muzikë dhe performancë.
Kemi arsye të bëjmë tifo edhe për Shqipërinë edhe për Gjeorgjinë në Suedi!
Botuar në DITA
Revista Who