E nisi ‘aktivitetin’ që 22 vjeç, gruaja e ndau pas 7 muajsh martesë/ Historia e super-mashtruesit Ledjan Muçaraku që tentuan ta fusin në kurth, një 37-vjeçar i prezantohet si polic dhe…
Emri Ledjan Muçaraku mund të mos u kujtojë asgjë nëse e dëgjoni, por mjafton një kërkim në “Google” dhe lista e gjatë e titujve të artikujve prej vitesh kanë një kryefjalë për të, ‘mashtrimin’.
Muçaraku është i njohur si “super-mashtruesi” i më shumë se 1 mijë personave përmes shumave monetare. Ai është gjykuar dhe dënuar me burg disa vite më parë. por së fundmi ai ka rënë vetë pre e një mashtrimi.
Siç raporton Tv Klan, 36-vjeçari ka bërë kallëzim penal në muajin Qershor se një person i cili i ishte prezantuar si punonjës policie, e kishte shantazhuar dhe kërcënuar duke i kërkuar 2 mijë Euro për të mos i publikuar disa prova që ai pretendonte se kishte kundrejt Muçarakut.
Ngjarja ka ndodhur në datë 28 Maj 2021 në një lokal në Tiranë, ku Ledjan Muçaraku ka qenë i ulur dhe iu afrua një person i panjohur për të. Ky person, i cili pas hetimeve të policisë dhe prokurorisë, është identifikuar si Renato Ç 37 vjeç., iu prezantua si punonjës policie duke i treguar një distiktiv.
Në padinë që ka bërë 36-vjeçari, thuhet se Renato Ç. i kërkoi 2 mijë Euro me qëllim që të mos e arrestonte pasi ndaj tij ishin bërë 20 kallëzime nga qytetarët në adresë të Ledjan Muçarakut.
Në dëshminë që 36-vjeçari Muçaraku dhënë para hetuesve, shkresë që disponohet nga tvklan.al, thuhet se: “E kuptoi që ai ishte mashtrues por kishte frikë. Pas kësaj i kërkoi numrin e telefonit dhe ia dha. Më pas dolën jashtë dhe ai i tha që të ikte në shtëpi dhe mos të kishte frikë, duke i thënë që të kishte kujdes dhe mos mashtronte më, se po të vinte dhe një kallëzim në polici, nuk kishte çfarë t’i bënte dhe do të vinte ta arrestonte dhe se të nesërmen në orën 12:00 do t’i jepte lekët te fusha e aviacionit”.
Një ditë më vonë, Ledjan Muçaraku dhe Renato Ç. kishin biseduar në telefon dhe kishin shkëmbyer mesazhe për shumën e parave. Ndërsa dy ditë pas takimit të tyre të parë në lokal, policia konstatoi Ledjan Muçarakun me një person rreth 30 vjeç tek fusha e aviacionit. Ky person u identifikua si Renato Ç. Ai u shoqërua nga blutë e kryeqyetit dhe gjatë marrjes në pyetje pranoi se Ledjan Muçarakun e kishte takuar rastësisht në një lokal pasi e njihte prej daljeve të tij në emisione të ndryshme.
I pyetur për shumën prej 2 mijë Euro, Renato Ç. ka mohuar që të ketë shantazhuar Ledjan Muçarakun për t’i marrë paratë dhe tha se historia është e trilluar prej tij.
Si e nisi mashtrimin që 22 vjeç
Kur ishte vetëm 29 vjeç, në vitin 2014, Ledjan Muçaraku kishte arritur të mashtronte mbi 50 persona, studentë dhe biznesmenë nga i gjithë vendi, duke u premtuar se do t’u siguronte kredi nga banka, që arrinin deri në 1 milion euro.
“Dyshohet se ai ka krijuar një skemë mashtruese dhe piramidale duke lidhur pranë noterëve mbi 50 kontrata huadhënie me interes në muaj, me biznesmenë, persona fizikë dhe individë nga Fieri, Vlora, Berati, Lezha, Durrësi, Tirana, Kruja, Lezha, Laçi, Mamurrasi, Burreli, Kukësi e Kavaja.
Këto kontrata në më të shumtën e rasteve anuloheshin pa përfunduar afati i dhënies së lekëve”, bëhej e ditur nga grupi hetimor asokohe.
Mucaraku mësohet se e kishte nisur aktivitetin kriminal që në vitin 2007, kur ishte 22 vjeç dhe fillimisht pre e tij kanë rënë studentët e më pas biznesmenë.
Ndarja nga gruaja
“Panorama” shkruante në vitin 2014 se ish- bashkëshortes se tij i ishin dashur vetëm shtatë muaj për të kuptuar që Ledjan Muçaraku ishte mashtrues dhe nuk sillte asnjë të mirë në familje.
Ajo u nda prej tij vetëm pas shtatë muajsh martesë, pikërisht sepse ai nuk ishte familjar i rregullt.
Sipas burimeve nga grupi hetimor qe treguan per Panorama asokohe, në vitin 2011 ish-gruaja kishte paraqitur në Gjykatën e Fierit një kërkesëpadi ku kërkonte divorcin nga i shoqi, Ledjan Muçaraku.
Motiv i kësaj kërkese kishte qenë mospërmbushja e misionit që ka martesa, pasi sipas saj Ledjani nuk ishte familjar i rregullt, pasi nuk vinte në shtëpi, nuk punonte dhe mashtronte për gjithçka që thoshte.
Ne nje seance gjyqesore ne vitin 2014, Ledjani ka pranuar se ka qenë pjesë e skemes se mashtrimit, ndërsa ka deklaruar se këto veprime i ka bërë në bashkëpunim me shumë noterë të Tiranës.
“Është e vërtetë që i kam bërë të gjitha këto për të cilat akuzohem, por ju lutem, ju përgjërohem të më falni, pasi e kam bërë nga halli. Më duheshin lekë të mbaroja studimet për Gjuhë-Letërsi dhe askush nuk më ndihmonte dot. U detyrova të bëj një punë që të siguroj fitime. Vetëm një gjë dua të sqaroj: nuk kam bërë 900 kontrata sa keni thënë ju, por 600 të tilla. Dhe për kontratat me shuma të mëdha që kanë të bëjnë me biznese të mëdha, kam pasur bashkëpunim me noterët. Ata më kanë mësuar për gjithçka se si të veproja me klientët e mi. Madje ata për këto kontrata do të merrnin 80 për qind të shumës dhe unë do merrja vetëm 20 për qind. Unë emrat jua kam dhënë, i verifikoni”, është shprehur 29-vjeçari.