E mbyllën në varr 36-vjeçaren për hakmarrje, shpëtohet e gjallë pas 10 orësh gruaja në Brazil
Një grua 36-vjeçare e mbyllur në një varr në një varrezë në shtetin brazilian të Minas Gerais u gjet e gjallë pas një kalvari që zgjati rreth 10 orë, raportojnë mediat e huaja.
Alarmi është dhënë nga punonjësit e varrezave komunale të Visconde do Rio Branco, të cilët vunë re gjurmë gjaku pranë një kamare funerali të sapovulosur me tulla dhe çimento.
“Policia dëgjoi thirrje për ndihmë, theu murin dhe nxori një grua që kishte lëndime në kokë dhe plagë në krahë”-thuhet në deklaratë.
Viktima ishte vendosur e gjallë në një kuti varrimi të ndërtuar në një strukturë që lejon varret të vendosen mbi nivelin e tokës. Sipas vlerësimeve të policisë, kjo nënë u mbyll në varr një natë më parë dhe u lirua vetëm rreth dhjetë orë më vonë.
Dy të dyshuar, të moshës 20 dhe 22 vjeçare, janë ende në kërkim nga policia. Komisioneri përgjegjës për hetimin, Diego Candian Alves, foli për një “hakmarrje” nga anëtarët e bandës për një mosmarrëveshje për armët dhe drogën. Viktima u tha hetuesve se dy persona me kapuç hynë në shtëpinë e saj dhe e rrëmbyen në prani të bashkëshortit të saj, i cili u sulmua fizikisht./Dosja.al