E keni parë Irma Libohovën nuse? Këngëtarja kujton dasmën dhe darkën që do ta mbajë mend gjithmonë
E ftuar pasditen e djeshme në “E diell”, këngëtarja Irma Libohova ka prezantuar para publikut një foto nga dasma e saj.
Ndonëse ishte viti 1982, Irma dhe Besniku, bashkëshorti i saj, ishin çifti i showbiz-it asokohe dhe dasma e tyre u komentua në rrethin e artistëve.
Sapo në ekran u shfaq fotoja me Irmën nuse dhe Besnikun dhëndër, këngëtarja, e emocionuar, kujtoi me nostalgji se, në fakt, ajo nuk ka pasur emocione, ndryshe nga bashkëshorti, i cili, as atë ditë nuk e kishte hequr cigaren nga dora:
“Jam martuar në 82-shin dhe e shikoj që unë nuk kam pasur emocione si nuse. Besniku ka pasur emocione, shikoje cigaren në dorë…”
Një prej dasmave që mbahet mend, shtoi ajo më tej, edhe për faktin se këngëtarja ishte vetë nusja, si në dasmën e saj, ashtu edhe në dasmën e Besnikut:
“Do të mbahet mend, sepse unë kam kënduar vetë në dasmën time, edhe tek familja e burrit, edhe tek e imja..”, – tregon Irma duke shtuar se asokohe ajo punonte në Estradën e Shtetit dhe të gjithë kolegët artistë ishin të ftuar në dasmë.
Për familjen e bashkëshortit, Irma tregon se është ndier gjithmonë e vlerësuar dhe e respektuar, ndaj edhe ajo ia ka kthyer respektin me të njëjtën monedhë.
Ndonëse gjeti një familje ku dominonin burrat dhe më pas erdhi në jetë edhe një djalë që iu shtua gjinisë, Irma dhe vjehrra e saj, si të vetmet gra në familje, nuk e patën të vështirë të merreshin vesh, të respektonin, por edhe t’i vinin në ndihmë njëra-tjetrës sa herë ishte nevoja.
“Ishte familje burrash. Kur shkova unë nuse, ishte vjehrra ime dhe unë të vetmet gra në familje. Lindi dhe çuni më pas e u bënë katër burra. Vetëm ne të dyja ishim gra. Megjithatë merreshim vesh për ato shërbimet që ka nevojë familja….”