E keni blerë që tani? Ja çfarë duhet të bëni që lulja e Krishtlindjes të rezistojë deri në fund të muajit
Drita vezulluese, topa dhe shirita shumëngjyrësh që zbukurojnë jo vetëm bredhin, por edhe çdo kënd të shtëpisë, kjo është atmosfera që ka filluar tashmë të zërë vend në këto ditë të para të dhjetorit. Por, festa do të ishin të paplota pa yllin e tyre, lulen simbol të Krishtlindjes.
E njohur si Poinsettia, emër i marrë nga botanisti Joel Roberts Poinseet, i cili e zbuloi për herë të parë në vitin 1828, ajo bën pjesë në familjen e Euphorbia pulcherrima. Në Nahuatl (Meksikë, aty ku ka origjinën), dhe në Guatemalë lulja njihet ndryshe si “La Flor de la Noche buena” (Lulja e natës së Shenjtë), kurse në Spanjë është e njohur si “Flor de Pascua”, “Lulja e Pashkëve”.
Një fakt tjetër interesant që bie në sy është që gjethet e lulet e saj duken si jo origjinale, ose të nxitura me kimikate për formën e tyre gati perfekte, por që nga fillimet e saj, Poinsettia ka qenë e njohur për formën e gjetheve që shpesh quheshin edhe si flakë, për shkak të ngjyrës së kuqe, ndonësë po aq të përhupura janë edhe variantet e saj në tonalitetet e rosë, panës dhe të së bardhës.
Nëse ju kanë dhuruar një të tillë dhe druheni se mund t’ju vyshket deri në periudhën e para festave, bëni mirë të lexoni këshillat e mëposhtme:
1. Mos e ekspozoni lulen në temperatura të ftohta, temperatura ideale e dhomës nuk duhet t’i kalojë të 20-të gradët Celcius.
2. Ujitja është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në jetën e lules së Krishtlindjes, prandaj i duhet kushtuar rëndësia e duhur. Specialistët rekomandojnë që ta ujisni sa herë që vini re se dheu është i thatë dhe ndryshon ngjyrë.
3. Një tregues që duhet mbajtur mend është fakti i zmadhimit të gjetheve: nëse ato rriten mbi 6-8 cm, atëherë bima është në gjendje të mirë dhe vazoja ka ushqim të mjaftueshëm. Në të kundërt duhet të ndërhyni me ushqim të lëngshëm të pasur me azot. Duke qenë një bimë fotoperiodike, pra, që çel me pakësimin e ndriçimit ditor, në radhë të parë, bima duhet të jetë e shëndetshme, me 4-5 degë e shumë gjethe.