“E kanë mbytur”, babai i Lear Kurtit mohon versionin e krizës epileptike: E kisha djalin 2 metra si luan
Babi i 32-vjeçarit të vdekur, Artur Kurti ka dhënë një intervistë për TCH, duke kundërshtuar policinë se djali i tij ka patur probleme shëndetësore. Artur Kurti ka akuzuar policinë se e ka mbytur djalin e tij.
Agjencia e Mbikqyrjes Policore njoftoi se mbrëmë rreth orës 23:07 minuta në rrugën “Riza Cuka” iu kërkua të ndalonte, por iku me vrap. Po sipas njoftimit, policia e ndoqi dhe e kapi në “Don Bosko”, këtu më pas fillon misteri i madh.
AMP thekson se “gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”.
Policia fajëson ambulancën për vonesën, por nuk sqaron se përse nuk e çoi vetë direkt në komisariat ku shfaqi probleme, por e futi në qeli.
Artur Kurti: Nuk e kam parë trupin e djalit, Kam qenë gjithë natën jashtë morgut dhe sot dhe nuk më kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi.
Gazetarja: A të kanë kontaktuar autoritetet?
Babai: Cilat autoritete? Ato që e kanë mbytur?! Ku ka ktu shtet. Gjeta ata të shkb-së aty më thanë nuk dimë gjë, kur të bëhen ato… nga ora 10 ose 11 do të të themi.
Gazetarja: Të thanë çfarë ka ndodhur?
Babai: Jo s’më dhanë asnjë përgjigje.
Gazetarja: Ku ishte Laerti?
Babai: Në rrugë të zotit ka qenë o motra ime. Nuk ka qenë asnjë person i rrezikshëm për ta trajtuar në ato lloj formash.
Gazetarja: A ka pasur djali yt probleme shëndetësore?
Babai: Jo asgjë. Djali ka qenë 2 metra si luan.