E fejuara prej 6-vitesh e Jurgen Kurtit, si reagoi me policinë në skenën e krimit
Ai shfaqej vazhdimisht me të në rrjetet sociale, ku publikonte momentet e bukura që kalonin bashkë. Një vit më parë ai e kishte shprehur edhe publikisht se ishte i fejuar dhe shumë i lumtur me partneren e tij. Pas ekzekutimit mafioz, familjarët dhe e fejuara e Jurgen Kurtit janë mbledhur në vendin e ngjarjes, ku kanë shpërthyer në lot nga skena e krimit dhe lajmi i vdekjes së tij. Enxhi Ekonomi, e shoqëruar nga familjarët e saj nxitoi të hënën në mbrëmje të shkonte në shtëpinë e të fejuarit të saj.
Ndërsa u kërkonte policëve që ta lejonin të ngjitej lart në shtëpinë e tij, pasi nëna e Jurgenit ishte keq dhe donte t’i qëndronte pranë. E teksa efektivët që mbronin zonën e rrethuar si skenë krimi nuk e lejonin të kalonte, vajza përsëriste me këmbëngulje kërkesën e saj. Ajo ende nuk e dinte të vërtetën, i kishin thënë se Jurgeni ishte plagosur dhe ndodhej në spital, shkruan Panorama. Por pak momente pasi mbërriti në vendngjarje, ajo mësoi gjithçka. Ky ishte momenti ku askush nga ne nuk do të kishte dashur të gjendej aty.
Britmat e së fejuarës së Jurgenit, lutjet e të qarat e saj para policëve që lajmi të mos ishte i vërtetë, shtangën jo vetëm banorët e kalimtarët, por edhe gazetarë e operatorë që ndodheshin duke raportuar nga vendngjarja. E duke parë një skenë të tillë, nuk është e vështirë për të kuptuar se në çfarë gjendje ndodhej nëna e Jurgenit në shtëpinë e saj, ku kishte shkuar vetëm pak minuta para ngjarjes dhe po priste të birin. Jurgen Kurti njihej për jetën e tij të luksit, shoqërinë e zgjeruar me njerëz të botës së artit, biznesit, modës e më gjerë.
Si një ish-model, ai kishte nisur që në moshë fare të re të shoqërohej me personazhe të njohur të botës së ekranit, madje ishte edhe menaxher i disa prej tyre. Ambicien e tij për t’u pasuruar nuk kishte ngurruar ta shprehte në intervista të ndryshme që kishte dhënë në media./Tpz.al