E enjtja e javës së Pashkës, besimtarët ortodoksë lyejnë sot vezët

Për shumë familje korçare, kjo e enjte e javës së Pashkës shoqërohet me një prej ritualeve më të veçanta, atë të lyerjes së vezëve me ngjyrë të kuqe.

Adeliana Nisi është një prej amvisave që prej vitesh të enjten e madhe e nis herët duke ruajtur këtë traditë.

Teksa tregon procesin e lyerjes së vezëve, Nisi ndan edhe kujtimet sesi ky ritual — ashtu si shumë të tjerë — pavarësisht rrezikut, bëheshin në fshehtësi dhe arritën t’i mbijetojnë kohës së komunizmit.

“Në fillim marrim vezët, i lëmë të zjera mënjanë. Marrim bojën e hollojmë me ujë dhe mbasi të kenë zjerë vezët, i ftohim dhe i fusim në ujin e ngjyrosur me të kuqe.

Në kohën që u hoq feja, i bënim fshehurazi. I qëronim dhe guaskën e hidhnim në zjarr sepse të fuste në burg ai flamaniku. Edhe gjyshja, edhe mamaja ime ka bërë. Edhe vjerra ka bërë, edhe unë kam bërë, edhe fëmijët e mijë do të bëjnë gjithmon.

Bëjmë këto bukët me qiqra, lakrorin, të tëra gjërat i bëjmë”– thotë zonja Nisi.

Ndër vite përveç vezëve në ngjyrë të kuqe që nuk mungojnë asnjëherë si simbolikë e ringjalljes, amvisat kanë shtuar edhe ngjyra të tjera dhe elementë dekorative për t’i dhënë sa më shumë hijeshi tryezave të tyre, të cilat pasi marrin ngjyrë lyhen edhe me pak vaj që i bën të shkëlqejnë.

Bazuar në traditë, të dielën e Pashkës vezët e lyera shpërndahen për familjarët, të afërmit dhe miqtë në shenjë mbarësie.

Top Channel